Provokaka...

Postuar në 22 Mars, 2018 14:42

Digitalbi duket se është kompani që dominohet nga shenja e Akrepit. Shenjë që siç thonë të pret me këmbët e para.

Kjo u vu re nga reagimi ndaj një debat trans-historik siç është ai për shfaqjen në ekran të një prej prezantuesve të veta. Në kësi debatesh trans-historike(term me të cilin kuptojmë pa lejen e askujt një lajm që ndonëse konsumohet tani ka rënë në vesh si të paraardhësve tanë ilirë, ashtu edhe të pasardhësve që po presin ta kenë para syve si model orientimi) nuk kanë rëndësi emri. Goja është protagonisti, goja e njeriut që flet ça i shohin sytë.

Kalimi në fyerje personale bën pjesë në kodin e zanatçinjve të këtij vendi, që nëse huazojmë etiketat e sotme lodërtare të televizioneve ia del që edhe një Provokacija(që edhe kështu ngjan si moda e re e pështyrjes në rrugë) ta shndërrojë në Provokaka.

Provokaka është këtu pa keqdashje. Është një rezultante e një reaksioni unik që shakanë apo dalldisjen pas vetes që mund të ketë dikush, ta kthejë në debat të pagdhendur përçmimesh reciproke, që vjen e merr formën e një glikoje të zjerë shumë e që nuk vihet më në gojë.

Dikush thotë katundar. Po pse vallë atëherë t’i përgjigjesh një katundari, kur vetë përcaktohesh si sërë e lartë? Në këtë rast katundarët janë në të dy anët, por më shumë kashta e mullarit zë Dixhitalbin pse vetë është media që promovon dhe ha bukë nga katundarllëku, qoftë ky si nacionalizëm, qoftë si folklorizëm.

Kjo kompani e ka të nevojshme përshtatjen me tregun e ri të Shqipërisë, një treg ku jo se ka më shumë kërkesa, por askujt nuk i rruhet  më për Alban - ezllëqet që mbushën jetën tonë në vitet ’90.

Këtu kemi edhe një autogol në pikëpamje biznesi: Dixhos(të na falin se nuk e kemi për synim dëmtimin e imazhit, por na pëlqen të flasim me shkurtesa përkëdhelëse) nuk i lejohet të dalë nga fokusi i vetëpërkufizimit si televizion apo media e të gjithë shqiptarëve. Fundja katundarët këtu janë ende shumicë, edhe pse qyteti po e barazon fshatin, kuptohet pasi është mbushur me fshatarë. Apo katundarë siç e do zhargoni i kërthizës qytetëruese të shqiptarisë që është Tirona, apo Tirana.

Humori, produksionet, por edhe paratë që mbajnë në këmbë këtë shaka Albaneze të kohës dixhitale vijnë nga ata, mes të cilëve del edhe ndonjë që thotë: Ej ma varni një çikë se dua edhe unë të dal në TV.

Kaq asgjë më shumë. Është Provokacija e këtij fshati, jo ndonjë gjë thelbësore, siç edhe e mori D-albi e që e ktheu në Provokaka.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.