Drejt një Europe jokristiane

Postuar në 22 Mars, 2018 14:36

Europa po shkon drejt dekristianizimit të saj. Alarmi që është ngritur shpesh në vende si Hollanda, apo Gjermania, sot ka prekur mbarë kontinentin, përveç vendeve ku identiteti fetar ka arsye specifike të përforcohet si p.sh në Poloni, Hungari apo në Balltikun kufitar me Rusinë. Por një sondazh i fundit i organizuar nga univeristeti i St Mary tregon se rënia e besimit fetar apo vetëpërcaktimi si afetar, ka njohur ritme të jashtëzakonshme në brezin e ri.

Sipas të dhënave të këtij sondazhi, vendi më pak fetar – duke patur parasysh se grupmosha e sonduar është ajo e moshës 16-29 vjeç, është Çekia ku 91% e të pyeturve deklarojnë se nuk kanë asnjë afilacion fetar. Kjo përqindje zbret në 70-80% në Estoni, Suedi, Hollandë.

Vendi më fetar është Polonia, ku vetëm 17% e të rinjve thonë se nuk kanë asnjë besim, ndjekur nga Lituania.

Në shifra të larta është afetarizmi i deklaruar edhe në Britani, apo Francë që shkon diku te 60-70%. Në sondazhin e organizuar duke marrë për bazë sondazhin social europian 2014-2016, nuk figuron një vend i rëndësishëm si Italia dhe aty nuk përfshihen as katër vende të Ballkanit që janë anëtare të BE-së si Greqia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria.

Sondazhi shkon edhe më tej kur hulumton përqindjet e atyre që luten, pra që përveç se afilohen me një besim janë edhe praktikantë, apo edhe që kërkojnë shërbime fetare. Panorama është e qartë: Europa po shkon drejt një realiteti të shndërruar tërësisht në raport me atë që konsiderohet prej shumëkujt si baza e identitetit të saj: Kristianizmi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.