Prishja e dakordësuar e godinës së Teatrit

Postuar në 14 Mars, 2018 00:16

Edi Rama e pati të thjeshtë kësaj radhe për të rrëzuar nga themelet godinën e Teatrit Kombëtar. Pak ditë proteste, një testim me daljet e ministres së Kulturës dhe kryetarit të Bashkisë, dhe kryeministri doli para artistëve për t’u thënë troç: aty ku sot është teatri do bëhet ça dua unë.

Rasti në fjalë është emblematic për mënyrën sesi operohet imazhi dhe struktura funksionale e kryeqytetit shqiptar,m se kush kanë të drejta mbi hapësirën e tij, mbi të ardhmen dhe përfaqësimin. Nga kjo pikëpamje, mënyra e veprimi të kujton stilin autokratik të atij që mendon se ka një vend në histori në riimagjinimin e një qyteti apo copëzave të tij. Këtu po lëmë mënjanë çështjen nëse TK kishte vërtet nevojë të shembej ose jo, apo të rindërtohej sipas të njëjtit stil, pasi kjo ka rëndësi të dorës së dytë. Situata e krijuar dhe shpejtësia e veprimit mundësojnë një vëzhgim në disa aspekte:

Së pari, ndonëse qeveria ka të drejtën ligjore dhe politike të zhvillojë zonat urbane, mënyra e veprimit flet për dështim të opinionit publik, në mos mungesë të tij.

Duhet thënë se çështja e Teatrit nxori në pah artificialitetin e disa nocioneve klishe për institucionet, qofshin edhe ato shpirtërore si memoria, apo arti. Është e tepërt të pretendohet se një teatër të mund të bëhet çështje reale në një vend si Shqipëria, me shumë probleme, por lehtësia e pushtetit për të shpërfillur me TK-në, artistët, njësoj si akademikët flet shumë edhe për degardimin dhe boshatisjen kuptimore të institucuoneve të trashëguara nga e shkuara e që nuk dinë të përshtaten dhe gjejnë vendin e duhur në Shqipërinë e sotme.

Së dyti, është mungesa e reagimit qytetar, qoftë edhe për të kuptuar diçka më shumë nga synimet e qeverisë që u bënë të njohura kur kjo e fundit vendosi kështu. Me reagim qytetar është fjala për shoqërinë civile dhe faktorë të tjerë që do të duhet të ushtronin presion më të madh. Duket se në Tiranë lidhja me qytetin, historinë dhe të ardhmen e tij ndërmjetësohet vetëm nga pushteti që cakton territorin dhe orientimin e tij pa u cenuar aspak. Vështirë se gjëra të tilla do të mund të imagjinoheshin në qytete apo kryeqytete të tjera ku lidhja e qytetatërve me hapësirën dhe memorien është më e fortë.

Problemi i tretë është ai politik. Opozita shqiptare e përfaqësuar nga PD-ja kryesisht dhe LSI-ja nuk ka shprehur asgjë më shumë sesa disa statuse në Facebook për këtë çështje. Duket se asaj i intereson që koston e këtij zhvillimi ta marrë kryeministri, ndërkohë që njerëz brenda saj përfitojnë në mënyra të ndryshme. Opozita ka shumëçka në dorë. Ajo mund të shprehë vizionin e vet për qytetin dhe të paralajmërojë zhbërjen e çdo projekti që nuk respekton disa standarde. Kjo do të frenonte edhe lobimet e pandershme nga biznesi. Le të kujtojmë këtu rastin e mbikalimit të “Zogu i Zi” në Tiranë, të cilin Edi Rama i sapozgjedhur në krye të PS-së dhe në detyrë si kryebashkiak, e ktheu në kauzë politike. Pati edhe protesta madje atë kohë, por sërish mbikalimi u prish. Me një vepër si ajo u pre edhe një linjë pune në Bashkinë e Tiranës, u kufizuan interesa dhe u ripërcaktua hapësira e veprimit në Tiranë. Sigurisht që PD-ja nuk është sot në këto kushte, por bashkë me LSI-në ajo ka shumë në dorë në Këshillin Bashkiak, ashtu edhe në kuptimin se presionin serioz të tyre do ta merrte në konsideratë shumëkush.

Për fat të keq, z. Rama luan për këtë çështje jo vetëm me fushën bosh, por është me partnerët e zakonshëm si Basha dhe Meta. Ndaj humbja është disafish, për faktin se ajo që duket si tekë e dikujt mund të jetë plan pune për të gjithë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.