Kreu i ushtrisë amerikane: "Assad e fitoi luftën"

Postuar në 14 Mars, 2018 13:41

Duket se ka disa ndryshime, apo diferenca në politikën e jashtme amerikane, e cila që nga ardhja në pushtet e Donald Trump, po flet me disa zëra. Largimi i Tillerson nga posti i sekretarit të Departamentit të Shtetit është një shenjë se qasjet e Donald Trump nuk përtypen dot kollaj, ndërkohë që një tjetër sinjal i tillë ka ardhur kësaj radhe nga ushtria.

Kreu i Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane, gjenerali me katër yje, Joseph Votel ka deklaruar para Senatit amerikan se marrëveshja bërthamore me Iranin është e dobishme pasi ajo ka adresuar një kërcënimet kryesore që vijnë nga Irani. Ai ka dëshmuar para Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura po atë ditë që Trump shkarkoi Rex Tillerson.

Do të kemi shqetësime në rajon për mënyrën sesi ne mendojmë të adresojmë këtë kërcënim të veçantë nëse kjo nuk bëhet përmes marëveshjes…Në këtë moment mendoj se marrëveshja është në interesin tonë”, tha Votel. Mendimi i tij i kundërvihet kështu pikëpamjes së presidentit Trump që ka kërcënuar të tërhiqet nga marrëveshja që u negociua mes SHBA, Iranit dhe pesë fuqive të tjera.

Por ndoshta pohimi më i rëndësishëm i Votel, që përgjigjet për situatën në Lindjen e Mesme, është ai për situatën në Siri. Sipas tij, presidenti sirian, Bashar al-Assad, e ka fituar luftën civile dhe në këto kushte gjenerali ka rekomanduar komunikim diplomatik dhe dialog me Rusinë dhe Iranin.

Sigurisht ne do të bëjmë çfarë do të na kërkohet, por unë nuk rekomandoj një gjë të tillë në këtë pikë ku kanë arritur gjërat

tha ai duke iu referuar një përballjeje ushtarake.

I pyetur nga senatori Lindsay Graham nëse është e tepruar të thuhet se “Assad e ka fituar luftën me ndihmën e Rusisë dhe Iranit”, Votel tha se:

Nuk mendoj se kjo është një deklaratë e tepruar

I pyetur sërish nëse politika amerikane në Siri duhet të vijonte me largimin e Assad nga pushteti si objektiv, Votel tha:

Nuk e di që kjo të jetë politikë e veçantë jona në këtë pikë. Fokusi ynë mbetet mundja e ISIS

Mesazheve të Votel i kanë pasuar si lajme disa të dhëna se SHBA po planifikon bombardimin e Damaskut. Lajmi ka dalë në media si pasojë e një reagimi të Kremlinit, që pretendon se ka të dhëna sekrete se SHBA do të provokojë një pretekst për përdorim armësh kimike. Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, ka deklaruar se aktorë të këtij skenari janë rebelët që po luftojnë në Ghouta. Sipas tij, sulmet false me armë kimike do t’i faturohen ushtrisë siriane për të motivuar bombardimin e Damaskut në rajonin ku janë stacionuar këshilltarët ushtarakë dhe policorë rusë.

Në eventualitetin e kërcënimit të jetëve të njerëzve tanë, forcat e armatosura ruse do të marrin masa kundërvepruese kundër raketave dhe lëshuesve të përdorur

citohet Gerasimov.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.