“Kumbaro duhet të thirrej në Prokurori për Teatrin”

Postuar në 12 Mars, 2018 11:15

Në lojën e përshtypjeve për të ardhmen e Teatrit Kombëtar do të hyjë edhe kryeministri Rama përmes degjesave me artistët. Sipas regjisorit Kastriot Çipi, transparenca lidhur me këtë projekt po trajtohet si çështje private e kryeministrit dhe  kryebashkiakut Veliaj.

“Nëse e keni fjalën për takime me përfaqësues të bashkisë, në dijeninë time ka pasur vetëm katër vizita private me ftesë personale nga vetë z. Veliaj. Asnjë komunikim zyrtar, asnjë komunikim publik. Pritet të bëhet një takim më i zgjeruar, në Kryeministri. Mesa duket, gjenerali Rama do të vijë vetë në front. Nuk e dimë se cilët janë të ftuarit, por besoj se do të ketë më shumë se katër artistë, që do të shkojnë me lugë në brez për të ngrënë çorbën e prishur”-thotë Çipi në një intervistë për gazetën Panorama.

Regjisori që përfaqson edhe Sindikatën e Artistëve të Skenës dhe Ekranit  flet për përgjegjësi penale të titullarëve të Ministrisë së Kulturës dhe akuzon kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj se shpifi publikisht për praninë e asbestit në muret e teatrit.

“Kumbaro do të duhej të ishte marrë në pyetje nga Prokuroria qysh në vitin 2014, kur deklaroi publikisht se salla kishte rrezik shembjeje dhe lejoi vazhdimin e shfaqjeve. Sot ajo duhet të merret në pyetje edhe për të sqaruar se pse në katër vjet e gjysmë në post nuk ka kërkuar kurrë ekspertizën teknike të Institutit të Ndërtimit, i vetmi institucion i ngarkuar me ligj për kontrollin e gjendjes teknike të ndërtesave publike. Veliaj shpifi publikisht për praninë e asbestit në muret e teatrit. Shpifi edhe se arkitektët italianë kanë deklaruar se ndërtesa "nuk mban më", pra mund të shembet aksidentalisht, prandaj edhe duhet shembur”-shton me tej Çipi.

Kumbaro ka deklaruar se në territorin ku shtrihet sot Teatri Kombëtar do të zbatohet një projekt i ri sipas formulës së Partneritetit Publik Privat, ndërsa kryebashkiaku Veliaj ka pranuar se bashkë me godinën e re të Teatrit do të ketë edhe ndërtime të tjera të tipit hoteleri. Bashkëpunimi me investirorët privatë sipas tij është e vetmja rrugë për të financuar projektin e Teatrit, pasi bashkia dhe qeveria nuk e përballojnë dot financiarisht.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.