Fundi i Islamit otoman - Turqia në rrugën drejt Lindjes së Mesme*

Postuar në 05 Qershor, 2017 13:51
Svante E. Cornell/M. K. Kaya

***

Urdhërat fetarë dhe politika turke nga Erbakan tek Erdogan

Islami politik turk ka evoluuar bazuar në ndërveprimin e këtyre urdhërave fetarë. Ndonëse numri i anëtarëve nuk është i njohur, ata numërojnë miliona dhe sa kohë që anëtarët priren të udhëhiqen nga liderët e tyre dhe të votojnë në bllok, ata kanë luajur një rol vendimtar në politikën turke. Nga vitet ’60 deri në vitet ’90, partitë islamike të udhëhequra nga Necmettin Erbakan luftuan që të bashkonin urdhërat fetarë të Turqisë dhe komunitetet, shumë prej të cilëve vijuan të mbështesin parti të qendrës së djathtë. Këto parti ishin shekullare dhe me orientim properëndimor, por e respektonin fenë dhe të etur për votat e të devotshmëve të gjykatave.

Baza e ngushtë: Necmettin Erbakan dhe Milli Görüş

Necmettin Erbakan ishte personi që kuptoi idetë e Sheikut Kotku. I lindur në një familje fetare në Sinop në vitin 1926, ai arriti të doktoronte për inxhinieri në Gjermani. Në kërkim të një karriere politike, Erbakan u përpoq të të fitonte një vend në listën e kandidatëve të Partisë së Drejtësisë, e qendrës së djathtë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 1969, por lideri i saj, Süleyman Demirel, dikur student të një kursi, vuri veton. Kjo çarje personale pasqyronte një ndarje mes krahut islamik të partisë dhe lidershipit të saj, që kishte qenë deri në atë moment një “tendë e madhe” e parehatshme për liberalët, islamikët dhe nacionalistët turq. Me kalimin e kohës islamikët dhe nacionalistët tradhëtuan frustracione të mëdha në raport me prirjet properëndimore të partisë dhe lidhjet me biznesin e madh. Kjo luajti një rol në ndarjen mes islamikëve dhe Partisë për Drejtësi pas një përpjekjeje të dështuar të islamikëve për të marrë drejtimin e saj në vitin 1968. Në të njëjtën kohë nacionalistët krujuan partinë e tyre, MHP.

Erbakan kandidoi si kandidat i pavarur në zgjedhjet e vitit 1969 dhe fitoi një vend në parlament. Me bekimin e Kotkusë ai themeloi Partinë e Rendit Kombëtar. Pas mbylljes së saj ai themeloi Partinë e Shpëtimit Kombëtar që luajti një rol domethënës në politikën turke në vitet ’70. Partia mori afarërisht 12% të votave në vitin 1973 dhe si rrjedhojë ishte partner i vogël në shumë koalicione qeverisës nga viti 1973 deri në vitin 1979. Pas grushtit të shtetit të vitit 1980 Erbakan u përjashtua nga politika, por në vitin 1987 ai nisi të rindërtonte Islamin Politik përmes Partisë së Mirëqenies, e cila u bë partia më e madhe me një diferencë të vogël, falë fragmentimit të qendrës së djathtë në vitin 1995. Erbakan shërbeu si kryeministër në koalicionin qeverisës nga viti 1996 në vitin 1997, por u hoq nga pushteti pas 28 shkurtit 1997, me ndërhyrjen e ushtarakëve, akt që çoi në mbylljen e partisë dhe largimin e përjetshëm të Erbakan nga politika.

Pikëpamjet që qëndrojnë pas karrierës së tij të gjatë politike kanë qenë në mënyrë të admirueshme konsistente dhe të ndikuara thellësisht nga mësimet e urdhërit Khalidi, si dhe nga tradita e Vëllazërisë Myslimane që frymëzoi lëvizje globale të islamit politik. Lëvizja merr jetë mbi kërkesën e ndërtimit të një Turqie të fuqishme, të industrializuar që shërben si një lider natyror i botës myslimane. Duke pranuar kontributet e shkencës moderne dhe duke argumentuar madje se shkenca moderne perëndimore bazohej mbi dijen islamike, Erbakan ju kundërvu me forcë kulturës perëndimore. Ai e pa politikën ndërkombëtare nga një perspektivë antikoloniale dhe antiimperialiste: Turqia dhe bota islamike po shfytëzoheshin nga Perëndimi që nga ana e vet kontrollohej nga një konspiracion botëror sionist. Në kujtimet e tij të botuara pas vdekjes, teoritë e konspiracionit anti-semitik zënë vend qendror, po aq sa edhe në ideologjinë e lëvizjes. Erbakan besonte se Turqia kishte nevojë të ndërtonte bazën e saj të industrisë së rëndë, por Perëndimi e kishte ndaluar këtë në çdo hap. Pra në vend që të kërkonte një aleancë me Perëndimin, Turqia duhet të formonte dhe drejtonte një union të shteteve islamike.

Erbakan ishte një figurë ndarëse. Ai kërkoi të ndërtonte një koalicion mes vëllazërive Nurcu dhe Qadiri, por ai u shpërbë në mesin e viteve ’70 për shkak të personalitetit të tij dominues. Në këtë kuadër figura me rëndësi të komunitetit Iskenderpaşa e braktisën lëvizjen. Ata panë nga parti të tjera dhe ia dhanë mbështetjen e tyre partive të qendrës së djathtë. Në vitet ’90, ANAP, drejtuar nga Turgut Özal dhe më vonë nga Mesut Yilmaz, por gjithashtu edhe Partia e Rrugës së Vërtetë(DYP) drejtuar nga Süleyman Demirel dhe më vonë nga Tansu Çiller, përfituan më së shumti nga këto largime. Refuzimi ndaj Erbakan dhe Milli Görüş ishte kaq i shprehur saqë kur dy partitë e qendrës së djathtë u asgjësuan në fund të viteve ’90 si pasojë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit, shumë komunitete fetare në zgjedhjet e vitit 1999, preferuan të jepnin mbështetjen e tyre ose liderit të qendrës së majtë, Bülent Ecevit dhe Partisë së tij Demokratike të Majtë, ose MHP-së.

Një koalicion i urdhërave fetarë: AKP-ja e Erdoğan

Fragmentarizimi i urdhërave fetarë mori fund me formimin e AKP-së. Ndonëse liderët e një partie të sapoformuar - Erdoğan dhe Abdullah Gül—ishin anëtarë të Lozhës Iskenderpaşa, ata u shkëputën nga Erbakan dhe stili i tij i drejtimit dhe mungesa e dëshirës për kompromis. Me më shumë rëndësi, ata kuptuan se në mënyrë që të merrnin pushtetin dhe të mposhtnin establishmentin shekullar të Turqisë, ata kishin nevojë të zgjeronin bazën e lëvizjes. AKP-ja e sapolindur pëfitoi edhe nga një seri zhvillimesh.

Së pari, qendra e djathtë turke ishte fragmentarizuar në dy parti, DYP dhe ANAP, programet e të cilave ishin praktikisht identike, por liderët e të cilave nuk kishin dëshirë të luftonin. Liderishipi i të dyja partive ishte ekspozuar ndaj korruspionit dhe për këtë arsye të dyja e shkatërruan njëra –tjetrën, duke lënë një boshllëk të jashtëzakonshëm në qendrën tradicionale të politikës turke.

Së dyti, kriza financiare e vitit 2001 që solli zhvlerësim me 40% të monedhës çoi në sentimente politike të “largimit të të gjithëve”.

Dhe së fundmi, në mjedisin e krijuar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, liderët perëndimorë, veçanërisht SHBA, kërkuan me ngulm që të kultivojnë “islamin e moderuar”. AKP-ja ishte përfituesja më e madhe e këtij riorganizimi që e favorizoi atë përkundrejt një establishmentit shekullar, përherë e më shumë në stanjacion dhe të parinovuar.

AKP-ja u përpoq aktivisht dhe me qëllim që të krijonte një grupim që mund të tërhiqte elementët e ndryshëm që kishin mbështetur qendrën e djathtë. Kjo përfshinte edhe votues jofetarë, veçanërisht në fazën fillestare. Por pushteti i Erdoğan nuk mbështetet në asgjë më shumë sesa në koalicionin e urdhërave fetarë dhe komuniteteve. Taktikat e tij nuk ndryshojnë nga ato të partive të hershme të qendrës së djathtë që iu ishin vardisur me dëshirë të madhe komuniteteve fetare. Diferenca ishte se tani një bërthamë elitare nga tradita e Milli Görüş po bënte të njëjtën gjë, duke u kërkuar të gjitha komuniteve fetare që të bashkoheshin nën një çati. Duke shpërndarë në mënyrë të shkathët favore, përfshirë emërime politike dhe një pjesë të tortës ekonomike(veçanërisht kontratat qeveritare të ndërtimit), Erdoğan ndërtoi një model politik lidershipi që varej shumë nga mbështetja e urdhërave fetarë dhe komuniteteve.

Milli Görüş, Nakshibenditë dhe Vëllazëria Myslimane

Shfaqja e Islamit Politik në skenën turke derivon nga urdhëri Nakshibendi – Khalidi, por ai ka gjithashtu lidhje të ngushta me shfaqjen e Islamit Politik edhe në vende të tjera të botës myslimane, sidomos me ngritjen e Vëllazërisë Myslimane në Egjipt – Ikhwan al-Muslimeen. Shumë studiues kanë vënë re ndikimin e mendimtarëve të Vëllazërisë, Hasan al –Banna dhe Sayyid Qutb si dhe të Abu Ala al-Mawdudi, themelues të Jamaat –e-Islami në Azinë Jugore, mbi Erbakanin dhe lëvizjen Milli Görüş. Kjo lidhje mund të duket kontradiktore, qëkurse Vëllazëria – e cila në shumë mënyra shtyn drejt islamit purist salafi – i kundërvihet në parim urdhërave sufij dhe natyrës së tyre ezoterike. Gjithsesi kjo armiqësi reciproke mes sufizmit dhe Vëllazërisë nuk duket se aplikohet në urdhërin Nakshibendi – Khalidi. Në të vërtetë, rrënjët e thella sunite të urdhërit Khalidi, afëria e fuqishme me islamin ortodoks dhe Sheriatin dhe politizimi i madh i lëvizjes e bëjnë atë shumë të përpuqshme me pikëpamjet e Vëllazërisë. Në shumë pjesë të Lindjes së Mesme haset një shartim mes të dyja organizatave.

Kjo lidhje është e dukshme sidomos në Gjermani, ku si Vëllazëria ashtu edhe Milli Görüş – të dyja të detyrura të qëndrojnë në ekzil nga qeveritë e tyre – zhvilluan lidhje komplekse, përfshirë martesa mes familjarëve të Erbakan dhe liderit të Vëllazërisë, Ibrahim al-Zayat. Përmes një bashkëpunimi të ngushtë dhe të afërt, këto organizata morën një rol dominues në organizatat islamike gjermane. Në këtë kuptim Erbakan u bë një hallkë kruçiale e Vëllazërisë Myslimane në Turqi. Efekti i kësaj ishte “ta bënte mendimin islamik turk më të orientuar universalisht pavarësisht nga orientimi i tij i brendshëm nacionalist lokalist…kështu kuptimi se Islami nuk është diçka e kufizuar në jetën personale, por edhe atë publike, hodhi rrënjë në formën turke të Islamizmit”.

Erbakan zhvilloi lidhje me organizatat e Vëllazërisë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe Erdoğan i çoi më tej ato. Si rrjedhojë figurat drejtuese të Vëllazërisë filluan të shfaqeshin në konventat e Partisë së Mirëqenies në vitet ’90. Funerali i Erbakan në vitin 2011 është një paradë e figurave më të rëndësishme të Vëllazërisë Myslimane përfshirë liderin e Hamasit, Khaled Meshaal dhe ish-drejtuesin shpirtëror të Vëllazërisë, Mohamed Mahdi Akef. Vijimësia ideologjike mes Vëllazërisë dhe AKP-së demonstrohet nga fakti se përfaqësuesit kryesorë të lidershipit të Vëllazërisë, përfshirë Hamasin, kanë qenë miq nderi në konventat e AKP-së.

Milli Görüş nuk ka qenë kurrë pjesë integrale e Vëllazërisë Myslimane, por Vëllazëria me siguri që e konsideronte diçka të ngjashme me versionin turk të saj, pak a shumë siç shihet Jamaat-e-Islami në Pakistan. Pra pavarësisht rrënjëve sufiste, karakteri Nakshibendi-Khalidi i lidershipit të AKP-së, nuk e izolon atë në asnjë mënyrë nga radikalizimi i Islamit Politik në Lindjen e Mesme. Përkundrazi, rrënjët arabe dhe kurde të urdhërit Khalidi shpjegojnë rrymat më radikale të AKP-së, përfshirë politikën e saj të jashtme ndaj Hamasit, Sirisë dhe Egjipit.

Ngritja dhe rënia e aleancës AKP – Gülen

Mes gupeve të ndryshme fetare që përforcojnë pushtetin e Erdoğan, lëvizja Gülen ka luajtur një rol unik. Ajo qëndroi jashtë politikës dhe në distancë nga Erbakan. Por që nga vitet ’70 dhe më pas lëvizja krijoi një linjë depërtimi në burokraci, edhe sepse anëtarët e saj kishin marrë një arsimim shekullar shumë cilësor, ndryshe nga shumë në urdhëra të tjerë. Lëvizja përfaqësohej veçanërisht mirë në sistemin gjyqësor dhe në polici. Në zgjedhjet e vitit 2002, lëvizja mbështeti AKP-në por vijoi të mbante distancën. Politizimi I saj nisi në bindshëm pas vitit 2007 kur ndodhi një konfrontim mes AKP-së dhe ushtrisë turke. Kjo e përforcoi aleancën infomale mes AKP-së dhe ndjekësve të Fethullah Gülen, që ishin të indinjuar kundër ushtrisë dhe sistemit gjyqësor për persekutimet e ndërmarra pas ndërhyrjes ushtarake të vitit 1997. Lëvizja bëri kauzë të përbashkët me lidershipin e AKP-së dhe vuri në dispozicion asetet e veta në burokraci, veçanërisht në sistemin gjyqësor dhe polici, për të kundërsulmuar elitat shekullariste që kërkonin të rrëzonin qeverinë e AKP-së përfshirë një përpjekje për ta mbyllur partinë me vendim gjyqi.

Si rezultat, AKP-ja dhe lëvizja çuan përpara së bashku çështjet gjyqësore Ergenekon dhe Bayloz, që çuan në burg qindra ushtarakë, burokratë, gazetarë dhe akademikë me akuzën se kërkonin të përmbysnin qeverinë. Duket pra se lëvizja që ishte e aftë të mobilizonte qindra, në mos mijëra ndjekës në burokracinë qeveritare e përdori këtë mundësi për të arritur një ndikim edhe më të madh mbi institucionet shtetërore. Pas referendumit kushtetues të vitit 2010, ajo ishte e aftë të kapitalizonte ndryshimet për të marrë nën kontroll sektorin gjyqësor dhe atë policor. Kjo erdhi ndesh me përpjekjet e shtuara dhe të guximshme të kryeministrit Erdoğan për të centralizuar pushtetin: ai kishte vendosur që Turqia kishte nevojë për një sistem superpresidencial qeverisjeje në mënyrë që kështu ta kthente veten në një sulltan të zgjedhur. Është e qartë se në një skemë të tillë, ai e pa Lëvizjen Gülen si një nga shumë komunitetet fetare që mund t’ia nënshtronte interesave të tij. Por lëvizja e Gülen duket se kishte ide të tjera. Përfaqësues të saj thonë se ata ju kundërvunë aspiratave antidemokratike të Erdoğan mbi parime; kritikët do të kundërpërgjiegjeshin me evidenca të konsiderueshme se ata donin të bëheshin ortakë të shtetit, duke kërkuar të drejtën e vetos ndaj politikave të qeverisë. Shpjegimi i parë është padyshim i vërtetë për shumë nga ndjekësit më demokratë të lëvizjes. Por duke gjykuar nga abuzimet e kryera në proceset Ergenekon dhe Bayloz, është e qartë se përfaqësuesit e lëvzijes në burokracinë shtetërore ishin më shumë të interesuar për pushtetin sesa demokracinë.

Ky tension çoi në një betejë të gjatë për pushtet. Nisi kur prokurorët e lidhur me lëvizjen Hizmet, u përpoqën të ndalonin kreun e shërbimit sekret turk. Hakan Fidan, një nga njerëzit më të besuar të Erdoğan. Në përgjigje ndaj kësaj sfide ky i fundit punoi në mënyrë metodike për të shpërbërë lëvizjen, ndikimin e saj, duke tranferuar, demotivuar dhe pushuar shumë zyrtarë. Në të njëjtën kohë, Erdoğan iu vu institucioneve arsimore të lëvizjes. Ky konfrontim u ashpërsua në dhjetor 2013, pasi disa prokurorë të lidhur me Hizmet, akuzuan katër ministra të qeverisë për korrpsion në shkallë të gjerë dhe arrestuan shumë nga bashkëpunëtorët e tyre dhe pjesëtrarë të familjeve dhe u përgatitën për të goditur kundër familjes së Erdoğan, një lëvizje që ky i fundit e shmangu pjesërisht. Kjo e detyroi qeverinë që të kërkonte një aleancë taktike me forcat nacionaliste dhe s Erdoğan hekullariste në sistemin gjyqësor.

Erdoğan nuk e kishte pritur një sulm të tillë nga Hizmet, por ai u hodh në sulm si në Turqi, ashtu edhe jashtë saj. Jashtë vendit, ai u përpoq të bindtte liderët e huaj nga Azia Qendrore në Afrikë që të mbyllnin shkollat e Hizmet, për të cilat vetëm së fundmi u kishte kërkuar të hapeshin. Brenda vendit, ai krijoi një aleancë të pangjashme dhe të paskrupullt me po atë ushtri, pushtetin e së cilës vetëm kohët e fundit e kishte minuar me ndihmën e Hizmet. Në këtë kontekst qindra civilë dhe oficerë që ishin dënuar me burgime të gjata në proceset Ergenekon dhe Bayloz, u liruan. Erdoğan shkoi edhe më larg duke pranuar thuajse hapur gabimin në një fjalim në Akademinë Ushtarake Turke. Gjithësesi, deklarimet e tij se kishte qenë mashtruar nga Hizmet, janë të pavlera nisur nga vendosmëria me të cilën ai mbështeti pastrimet në establishmentin ushtarak…

Kjo betejë shkatërrimtare në mjedisin islamik konservator është e rëndëishme sepse është unike: është deri më tani më e madhja që ka ndodhur mes grupeve islamike në Turqi. Asnjëherë më parë konkurenca mes grupeve fetare nuk ka çuar në prishje totale të marrëdhënieve; dhe sërish, asnjëherë më parë grupet fetare nuk kanë gëzuar një pushtet të pakontrllueshëm në vend. Impakti I kësaj beteje do të ndihet për dekada dhe ndërkohë që zhvendosjet byzantine në aleancat politike po hutojnë vëzhguesit e huaj, një gjë mbetet e sigurtë: Politika turke tashmë përkufizohet nga marrëdhënia e dhe mes urdhërave fetarë dhe komuniteteve.{…}

Përfundime

Pas krijimit të AKP-së, për herë të parë urdhërat dhe komunitetet islamike ofruan mbështetje për një parti të vetme. Bërthama e lidershipit të kësaj partie I ka rrënjët në lëvizjen Milli Görüş, kjo vetë një krijim i degës Iskenderpaşa të urdhërit Nakshibendi – Khalidi. Por aty ku partitë e traditës së Milli Görüş qëndronin të angazhuar ndaj urdhërit, AKP-ja evoluoi në atë çka sot është esencialisht një koalicion urdhërash dhe komunitetesh fetare. Elementë shekullarë dhe liberal në parti – shumë prej të cilëve ishin oportunistë të fillimit apo që bënë kauza të përbashkëta me AKP-në për shkak të armikut të përbashkët në establishmentin ushtarak – janë spastruar teksa dolën jashtë loje. Rreziku i politikës së ndërtuar mbi urdhëra fetarë u ilustrua nga konflikti brenda islamik mes lidershipit të AKP-së dhe lëvizjes së Fethullah Gülen. Ndonëse ka diferenca ideologjike mes tyre, beteja që zhvillohet nuk duhet ngatërruar sikur është ideologjike. Rivaliteti është fillimisht për pushtetin.

Ngritja e AKP-së u paralelizua nga ngritja e komuniteteve fetare si forca politike. Këto grupe kanë luajtur rolin e bashkimeve vullnetare në sensing Tocquevillan, duke mbushur boshllëkun e krijuar nga dobësia e bashkimeve vullnetaare shekullare në Turqi. Por në ndryshim nga bashkimet vullnetare në Perëndimi, këto grupe motivohen nga një agjendë e fortë politike që përfshin ripërkufizimin e shoqërisë sipas imazhit të tyre. Në këtë kuptim, duhet vënë re një paradoks I rëndësishëm. Tradicionalisht turqit kanë tentuar drejt shkollave më liberale të mendimit islam, si Hanafi për jurisprudencën, që I lejon hapësirë të konsiderueshme interpretimit të ligjit fetar. Në të kundërt të kësaj, islami kurd dhe arab ka paur prirje më ortodokse – shkollat e mendimit Hanbali dhe Shafi sipas traditës Ashari -  që janë shumë më strikte dhe lënë shumë pak hapësirë për interpretim.

Përpjekjet shekullarizuese në mesin e shekullit të 19-të kanë patur një efekt në islamin turk saktësisht në të kundërt të qëllimit të tyre. Ato u shfaqën paralelisht me përhapjen e shpejtë të urdhërit Nakshibendi –Khalidi dhe degëzimeve të tij në Turqi, që solli një kuptim të besimit fetar të ngjyrosur thellë me traditat kurde dhe arabe. Krijimi i Republikës Turke dhe politikat radikale të shekullarizimit në fushën e arsimit çuan në një çarje me qasjet më liberale fetare që kishin konstituuar bërthamën e islamit zyrtar otoman. Me zyrtarizimin e demokracisë elektorale në vitet ’50 boshllëku fetar u mbush me lëvizje sociale që ishin thuajse të gjitha pa përjashtim, produkte të traditës Nakshibendi – Khalidi për ta sjellë Turqinë më afër me interpretimet e Lindjes së Mesme të Islamit. Në një masë të konsiderueshme, kjo shpjegon politikat e jashtme të qeverisë së AKP-së, karakteri ideologjik i të cilës ndryshon radikalisht nga ai i otomanëve. Otomanët rrallë ishin të motivuar nga zelli fetar, nëse ishin ndonjëherë. Kjo sugjeron se nëse hapësira fetare, politike dhe arsimore e Turqisë, do të bjerë nën kontrollin e plotë të ideologjisë së urdhërit Nakshibendi – Khalidi, atëherë Turqia do të bëhet në mënyrë të pakthyeshme një vend i Lindjes së Mesme…

Shënim: Kjo është pjesa e dytë(hequr vetëm pjesa për reformat arsimore) e artikullit mbi ndikimin e fesë në politikën turke. Pjesa e parë mund të lexohet këtu: http://www.respublica.al/2017/09/12/struktura-fetare-e-pushtetit-turk

*Titulli i ResPublica

Përkthimi: ResPublica

Burimihttps://hudson.org/research/11601-the-naqshbandi-khalidi-order-and-polit...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.