Shansi i Lulzim Bashës për korrigjimin e 18 majit

Postuar në 10 Mars, 2018 19:09

Lulzim Basha ndodhet sërish në një pozitë shumë të favorshme politike që po krijohet paradoksalisht nga kundërshtarët e tij. Paraprakisht duhet të themi se Basha është njeriu që nuk frymëzon, që nuk bind, i papërshtatshëm për opozitarin shqiptar dhe më e keqja, ai nuk ka ditur që dobësitë e tij si politikan i akulturuar me mendësinë shqiptare t’i konvertojë në forcë dhe avantazh. 

Z. Basha luan vetëm për vete. 18 maji na e mësoi të gjithëve këtë dhe ai ishte një akt për të cilën z. Basha duhet të kërkojë falje publike. Marrëveshja politike nuk ka asgjë të keqe. Ajo është madje e dobishme, por vetëm kur përmbajtja e saj përkon me interesin publik.

 I vënë në karrigen ku është, i mbajtur aty me lloj lloj manovrash, duhet të pranojmë sot se zotëria në fjalë një meritë e ka: ai arriti ta gënjente Sali Berishën. Për aq sa shohim sot, më 19 maj, z. Basha kreu aktin e parë të pavarësimit nga mentori dhe padroni dhe kjo nuk është pak. Por ky akt i një politike personale ishte i pabesë në raport me aksionin politik të protestës, retorikën kriminalizuese ndaj Edi Ramës dhe ai cedonte pushtetin moral të opoztës. 

Nëse pazarin Berisha-Meta që pasoi do të shohim si rrjedhim logjik të 18 majit, atëherë mund të themi se z. Basha ia doli, edhe për shkak të një politike skuthi të kushtëzojë lirinë e manovrës për z. Berisha dhe kundërpartin e tij, problematikun Ilir Meta. Nuk është pak. 

Le të sqarojmë edhe një aspekt tjetër. 19 maji nuk duhet amnistuar asnjëherë, por atij është koha t’i rishikojmë disa pasoja të paqëllimshme. 

Sot që flasim z. Basha ndodhet në një situatë operimi opozitar me një kartë: krimi dhe droga. Nuk është kartë e keqe, as e rreme. Por ajo nuk vlen shumë si kartë mobilizimi sa kohë që droga është ekonomi në këtë vend dhe sa kohë që eminenca e rrezikut që ajo sjell nuk shoqërohet me incidente flagrante si ajo e drogës në Durrës dhe nga kultivimi i një bindjeje se opozita e ka seriozisht luftën ndaj saj. 

Kjo situatë dhe sidomos fakti i ndryshimeve në organin e akuzës, bashkë me faktin se z. Basha në asnjë rast nuk ka pranuar të unifikojë termat e akuzës së vet politike me Sali Berishën dhe alteregon e Ilir Metës, përbën një moment që e kthen kreun e PD-së në një faktor të ndryshëm politik nga ata që sot e sulmojnë ngado. Z. Basha nuk ka pranuar në asnjë rast të akuzojë familjarë të Edi Ramës për drogën e Durrësit, as edhe të lëshohet në teori konspiracioni për argumente të ditës. Këto pisllëqe që e bëjnë çdo akuzë të pabesueshme nëse nuk ke fakte konkrete, janë tanimë art i preferuar i Sali Berishës dhe Ilir Metës, dy njerëz të diskredituar që i interesojnë së pari Kryeministrit, Edi Rama. 
Mjafton të sjellim në vëmendje këtu faktin se pas vizitës së z. Rama në presidencë, Meta dha të kuptohej se do të japë autorizimin për negociatat me Greqinë, për të kuptuar se ata që sot pozicionohen si armiq të përjetshëm në fakt janë  miq të mirë dhe ortakë të një sofre. 

Nuk është e qartë se çfarë ka prishur z. Basha në këtë lojë interesash, por e qartë ama është se ai ka një projekt personal për PD-në që konsiston në pastrimin e saj nga njerëz që e mbajnë të lidhur me të shkuarën. 

Ata që sot kritikojmë Bashën, Patozi, Imami apo Topalli e që kërcënojnë me parti të re, e bëjnë këtë në përmbushje edhe të një detyrimi mirënjohjeje ndaj Berishës. Ata janë garantë të tij politikë apo edhe interesave të tij. Ata që e sulmojnë Bashën në media nuk i shërbejnë interesit publik, por veprojnë me lojën e vjetër të kushtëzimit të politikës me atributet fiktive dhe të diskredituara të lirisë së pushtetit të katërt. 

Pushteti e sulmon sepse z. Basha dhe listës së tij të deputetëve nuk i ka rrjedhur asnjë çështje penale. Z. Basha ka madje të metën e madhe se nuk preferon të Fortët, drekat dhe darkat, ahengjet dhe qokat. Ai madje duket se nuk lexon as edhe mediat. Sjellja e tij politike është e natyrshme në shpërfilljen e një establishmenti që për 27 vjet i ka mbyllur Pazaret me korrierë kafenesh dhe gazetarë milionerë apo që bëjnë eminencën gri.

Ky moment presioni i gjithanshëm sot e faktorizon z. Basha si një alternativë politike ndaj një grupimi të së vjetrës që është bashkuar për të rivendosur ekuilibrin. Ccedimi i tij në këtë moment është fatalitet dhe gjymtim definitiv i rolit të opozitës. Qëndrimi do ta afirmonte atë si një njeri që kontrollon PD-në dhe ka çuar në periferi Sali Berishën dhe të vetët. Momenti i tanishëm është rasti i korrigjimit të 19 majit dhe kjo edhe për kryeministrin është sëkëlldi e madhe sidomos kur skandalet nuk kanë të sosur. 

Nuk është e lehtë të thuash se Basha është varianti më i mirë për Shqipërinë. Por ai ka prishur disa interesa dhe ai po ekspozon me të gjithë kompleksitetin e sjelljes së vet, apo edhe padijen, grupimin e njerëzve që pretendojnë se janë “shtylla e PD-së”, se i ha meraku për opozitën, por që në fakt të gjithë, janë vetëm ushtarë të Sali Berishës dhe lojtarë të një loje që ja kemi pirë lëngun. 

Postimi i Fazlliçit, hakërrimet e keqpërdorura të Patozit, lëngata retorike e Besnik Mustafajt dhe edhe sulmi i pushtetit dhe analistëve, janë në fakt akte që deshifrohen më mirë te heshtja e Sali Berishës. Një heshtje që parathotë shumëçka. Sot z. Basha është paradoksalisht i vetmi që e ka kundërshtar real Sali Berishën dhe ky është lajm i mirë për ata që duan vërtet edhe rotacion, por edhe lagimin e Edi Ramës. Mjafton që z. Basha të luajë rolin e opozitarit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.