Arrestimi i Ahmet Muçës dhe arrestimi i klientëve të prostitutave…ilegale!!!

Postuar në 06 Mars, 2018 14:11

Sot u bë publik lajmi se është arrestuar Ahmet Muça, personi që ka patur nën adminstrim universitetin “Kristal”. Muça u ndalua se jepte diploma për 2500 euro edhe pse në fakt universiteti është mbyllur. Në një shtet si ky që kujdeset, ose më mirë, preokupohet për gjeneratën tjetër, madje po shpenzon këtë brez për të ardhmen, ky arrestim duhet përshëndetur. 

Madje kjo është ndërhyrja që duam në një treg liberal diplomash letër bakalli që gjithësesi paskan akoma myshterinj. 

Vetëm se ka një paradoks në këtë çështje që nuk mund të argumentohet me dispozita të Kodit Penal. Dhe ky paradoks është mosarrestimi I atyre që kanë blerë diploma false. 

Për ata që e kanë të vështirë ta rrokin logjikën e këtij argumenti, nuk po përdorim termat korrupsion pasiv dhe aktiv, por po sjellim një shembull. 

Shumë shpesh dëgjojmë që policia, sidomos në rrethe bën operacione blic në hotele apo shtëpi që shërbejnë si vende ushtrimi prostitucioni. Duke lënë mënjanë aspektin cinik të këtyre operacioneve – fakti që duhen për statistikë, apo qoftë edhe për gallatë meqë kushdo e gjen një shërbim të tilllë me lekë, pra dihet ku janë – nuk mund të mos na duket çudi se përse gjatë tyre arrestohen edhe klientët. 

Çfarë quhet “arrestuar në flagrancë” në kësi rastes? Segmenti kohor mes ereksionit, prekjes dhe lëvizjeve të dorës drejt portofolit? Apo mbahen në përgjim ambiental klientët në akt e sipër të cilët nëse përçartin fjalë si “sa do”, apo “pa merak për lekët” menjeherë u hidhen prangat? 

Mund të duket banal një krahasim i tillë, por po të mendosh se një i diplomuar me diplomë false është shumë më i dëmshëm se një person që e zë nata apo rruga me mendje të harbuar, është e padrejtë kjo sjellje. 

Ky është një shtet që toleron shkatërrimin themelor siç është kjo e arsimit dhe ndërhyn me filozofinë e bamirësit për ata që luajnë kumar apo ushtrojnë të vetmin aktivitet autokton të mbarë njerëzimit.  Kjo pedagogji moralo-ligjore e shtirë është vetëm dëshmi e asaj sesi një shoqëri e tërë shtyn jetën dhe ditët mbi norma të paqena dhe mbi një hipokrizi që është shkak i disfunksionit normal hormonal të saj. E që këtej vijnë edhe këto autotredhjet psikologjike që i shohim të dëshira për t’i rënë çdo gjëje shkurt. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.