"Gabi" ngjitet në krye. Zëvendëson blerjet online. Çfarë do të bëjë qeveria për ta mbyllur edhe këtë mundësi?

Postuar në 05 Mars, 2018 11:47

Revista ekonomike “Monitor” shkruan sot se tregu i rrobave të përdorura në Shqipëri ka njohur rritje të madhe. Gabi, siç edhe quhet në Tiranë, është bërë ofertë kryesore në një treg ku ka shumë nevoja, pak lekë, por edhe ku konformimi me luksin e dukjes në një xhiro në Bllok, synon gjetjen e një formule tipike shqiptare: Edhe mirë, mall firmato, edhe lirë, edhe e përdorur(shkeli syrin vetes), por edhe “status” prej klienti që di të kërcasë takat.

Revista shkruan – ndoshta pa të keq – se Gabi po zëvendëson blerjet online. Siç mund ta dinë të gjithë, qeveria aktuale, para dy vjetësh vendosi të ulë dyshemenë e blerjeve online për të cilat aplikohet TVSH. Nga 150 euro në 22 euro.

Asokohe pati një “debat” firmato që ndau dy mendime: sipas qeverisë çdo blerje duhet taksuar dhe kështu vendoset barazi në treg me operatorë që paguajnë taksa. Një pjesë tjetër që mendonte se me ndryshimin e vlerës, në fakt qeveria po godiste një alternativë cilësie për qytetarët.

Ndoshta qeveria ka të drejtë në masën e vet, nga një pikëpamje strikt ekonomike dhe ligjore. Por efekti Gab që rapoton sot “Monitor” na thotë se kur ndërmerren disa politika duhen analizuar të gjitha aspektet.  Jemi në kushtet pra kur njerëzit duan që të kenë diçka cilësore të cilën tregu legal shqiptar nuk ua ofron. Këtë e zëvendësonte deri diku oferta online, por qeveria pa majtas duke bërë aplikim takse për të parë sot sesi qytetarët klientë janë drejtuar gjetkë.

Kjo jo vetëm që flet për atë prirjen që folëm pak më lart, por edhe për faktin se nisma nuk dha atë që pritej. Me gisht në gojë këtu mbetet qeveria, por më pak se ata tregëtarë që lobuan (me të drejtën e tyre kuptohet) për të bërë atë retifikim shifre.

Por nuk është çudi që kjo situatë të marrë një tjetër kthesë sidomos kur në Tiranë qeveris një politikan eksperimental si Erjon Veliaj, i cili nuk përjashtohet që ndërkohë që merret rregullisht me polici me ata që shesin hurdhra dhe majdanoz në rrugët e Kryeqytetit, të kthejë sytë e dovletit bashkiak edhe mbi rrobat e përdorura.

Nuk është paragjykim të themi se një mini aksion antiinformalitet në këtë drejtim të nisë sërish në dëm të xhepit dhe mundësive të qytetarit të zakonshëm. Dhe çfarë është më e hidhur: çdo nismë për legalizim është e pakritikueshme sepse në treg duhen rregulla. Por ja që realiteti është shumë më I vëhtirë sesa ai rregullimi imagjinar pagesë, faturë, bilanc. Ja që diçka duhet toleruar, qoftë edhe duke mësuar diçka nga kjo zhvendosje nga blerjet online drejt Gabit që ka 26 vjet që po vesh një pjesë të mirë të shqiptarëve pa ua bërë rrobën dhimbje koke.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.