Nevoja e aplikimit të politikave të reja mbi popullsinë

Postuar në 28 Shkurt, 2018 12:02
Sokol Axhemi

Çështjet dhe tematikat e ndryshme mbi popullsinë dhe elementët e saj paraqiten mjaft aktuale ditët dhe muajt e fundit në vendin tonë. Në mënyrë të veçantë, rënia e numrit të lindjeve dhe tkurrja e popullsisë shqiptare gjatë këtyre viteve e sidomos të dhënat e fundit në këtë fillimviti 2018 ka ngjallur jo vetëm nevojën për të pasur një debat publik, por edhe urgjencën dhe domosdoshmërinë e marrjes në konsideratë të efekteve dhe pasojave, me të cilat shoqërohen këto procese të zhvillimit të popullsisë shqiptare.

Tashmë shifrat dhe të dhënat e shumta statistikore të ofruara nga INSTAT tregojnë një “alarm imediat” të marrjes në konsideratë të riaktivizimit të politikave mbi popullsinë, në mënyrë të veçantë të politikave pronatalistë, me një sistem efikas masash të domosdoshme ndërhyrjeje. Riaktivizimi i politikave të tilla paraqitet emergjent, duke synuar një rritje të numrit të lindjeve dhe shtesës natyrore të popullsisë shqiptare në të ardhmen.

Indiferenca ndaj politikave të tilla, mungesa e seriozitetit për t’i trajtuar dhe marrë në analizë këto çështje, lënia mënjanë e masave që duhet të merren, nuk bën gjë tjetër, veçse shton alarmin “SOS” për të ardhmen e zhvillimeve të popullsisë në vendin tonë. Sinjalet, tashmë nga viti në vit, tremujori në tremujor e muaji në muaj, duken qartazi të zymta, aq sa edhe projeksionet më optimiste demografike përcjellin dyshime për të ardhmen e “vitalitetit’ të popullsisë së vendit tonë.

Rënia e numrit të lindjeve, ulja e shtesës natyrore të popullsisë, rritja e moshës mesatare të popullsisë shqiptare, trende gjithnjë e në rritje të migrimit të popullsisë në përgjithësi dhe moshave të reja e të mesme në veçanti gjatë këtyre viteve të fundit, projektojnë problematika serioze për zhvillimet e popullsisë në vendin tonë, të cilat kërkojnë edhe një përgjigje efikase institucionale nga ana e strukturave të ndryshme shtetërore.

Tashmë, shkaqet dhe faktorët ndikues në krijimin e problematikave të tilla janë evidentuar dhe njihen jo vetëm nga studiuesit, por edhe nga opinioni i gjerë publik dhe i specializuar. Larmia e tyre, ndërthurja dhe impaktet e shprehura në rolin e faktorëve ekonomikë, politikë, socialë, gjenerojnë domosdoshmërinë e analizave serioze, me qëllim marrjen në konsideratë të një problemi të tillë kaq serioz dhe të rëndësishëm, që duhet të impenjojë ndërtimin e politikave të menjëhershme shtetërore për të ndërhyrë. Tematika të tilla dhe zhvillime problematike evidente të popullsisë, siç po shfaqen në vendin tonë gjatë kësaj periudhe, nuk janë të reja.

Ato njihen se kanë qenë të pranishme edhe në shtete të tjera europiane dhe më gjerë në periudha të ndryshme. Madje, mjaft prej tyre edhe në këto momente ballafaqohen me rënie të numrit të lindjeve, shtesës natyrore dhe impakte të ndryshme që kanë të bëjnë me lëvizjet migrative të popullsisë. Por, realiteti ekonomiko-social i vendit tonë ka ndikuar dukshëm në lindjen dhe zhvillimin e “defekteve” të tilla demografike, të cilat kërkojnë në mënyrë emergjente ndërhyrjen me anë të masave të ndryshme nën petkun e politikave mbi popullsinë.

Ndaj mendimin me studiues dhe njohës të tjerë të fushës, që paraqitet mjaft efikase në kuadrin e ndërhyrjes, se duhet realizuar elementë të veçantë të politikave pronataliste të popullsisë me ndikim në rritjen e lindshmërisë dhe shtesës natyrore të popullsisë. Ndërhyrja në këtë drejtim kërkon që të merren në konsideratë drejtimet themelore ndikuese të shprehura në masa dhe akte të përcaktuara ligjore dhe juridike, ekonomike dhe sociale, të cilat duhet të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në grupe të caktuara sociale të popullsisë, që karakterizojnë moshën fertile të saj.

Me interes të veçantë paraqiten masat e ndryshme juridike (përfshirë akte ligjore e nënligjore) ku të krijohen mundësi më të mëdha për çiftet e rej,a duke zgjatur periudhën e lejelindjes për nënat, pagesën nga shteti të pensioneve sociale për nënat e papuna për një kohëzgjatje 3-vjeçare (derisa fëmijët e tyre të ndjekin institucionet parashkollore) vendosja e një kuote të caktuar me akte ligjore në punësimet e ndryshme shtetërore dhe private për familjarët e rinj apo çifteve të reja, etj. Krijimi i lehtësirave fiskale për çiftet dhe familjet e reja, madje përjashtimi i tyre nga mjaft taksa, ashtu siç aplikohet për disa kategori sociale të tjera të popullsisë, përbën një element të një sistemi masash ndikuese dhe suportuese ndaj tyre.

Pa dyshim, ndërmarrja e masave të karakterit ekonomik nga ana e institucioneve shtetërore paraqitet si një nga elementet më të rëndësishëm të politikave pronataliste të popullsisë. Aplikimi i tyre në vendin tonë do të përbënte një garanci të rëndësishme për të ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në familjet e ndryshme shqiptare e në mënyrë të veçantë te çiftet e reja.

Krijimi i mundë- sive për punë, përfshirja e çifteve të reja në programet e ndryshme të punësimit, ndërmarrja e hartimi i vendimeve të ndryshme qeveritare qendrore dhe lokale për të suportuar çiftet e reja në punësim, strehim, kreditim, etj., janë hapa të duhur ndikues dhe të rëndësishëm që do të ndihmonin dukshëm këto grupe sociale, që përfshihen në potencialet e rëndësishme të shtimit natyror të popullsisë, duke ndikuar në një element kaq të rëndësishëm siç është lindshmëria. Shembuj në këtë drejtim nuk mungojnë nga ana e disa strukturave vendore, siç është rasti i Bashkisë së Tiranës.

Ndonëse në mënyrë sporadike, një mundësi e tillë për mbulimin e kostove të kredisë për strehimin e çifteve dhe familjeve të reja, suportimi i tyre në kreditime afatgjata që merren përsipër nga shteti, është një hap në drejtimin e duhur. Krahas tyre, me mjaft interes duhet të shihet edhe tërësia e masave sociale, të cilat duhet të përfshijnë një rol dhe kujdes me intensiv social e shëndetësor nga ana e institucioneve përkatëse. Në këtë drejtim mjaft efikase duhet të jenë politikat që synojnë një kujdes më të veçantë për jetën dhe shëndetin e nënës dhe të fëmijës. Problematikat e shfaqura në këtë sektor, vdekshmëria foshnjore mjaft e shprehur apo humbjet e jetës së nënës gjatë apo pas lindjes, ndiejnë nevojën e domosdoshmërisë së ndërhyrjes. Njëkohë- sisht, gjenerimi dhe rritja e objekteve sociale në shërbim të fëmijëve pranë qendrave të punës të nënave ndikon dukshëm në rritjen e cilësisë së jetesës dhe lehtësimin e nënave të reja në kujdesin e tyre për mirërritjen e fëmijëve. Një masë tjetër e rëndësishme, kemi mendimin, se duhet të konsistojë në drejtim të një kontrolli më rigoroz dhe strikt në drejtim të klinikave të ndryshme që trajtojnë abortin.

Në mjaft raste, ndërhyrjet jo të duhura kanë sjellë problematika serioze për të ardhmen e mëmësisë, për faktin se sidomos gjenerimi i ndërhyrjes për abort në moshat e reja, shoqëruar me praninë në proces të ndë- rhyrjes diletante dhe jo të specializuar ka bërë të mundur krijimin e problemeve serioze për të ardhmen e këtyre grupmoshave për t’u futur në procesin e riprodhimit të popullsisë. Në një situatë të tillë, krijimi i klinikave të posaçme të specializuara, licencimi i tyre dhe kontrolli serioz e rigoroz mbi to, kemi mendimin se paraqitet si një domosdoshmëri e ngutshme. Pa dyshim, një tematikë e tillë paraqitet shumë e zgjeruar si në kuadrin e analizës që nevojitet, ashtu edhe në përcaktimin e duhur të masave që duhet të ndërmerren në kuadrin e politikave efikase të domosdoshme për ndërhyrje. Prandaj shprehim mendimin e riaktivizimit të politikave pronataliste në këtë fazë të zhvillimeve që kanë prekur popullsinë e vendit tonë.

”Panorama”(http://www.panorama.com.al/nevoja-e-aplikimit-te-politikave-te-reja-mbi-popullsine/)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.