Këshilltari i Kryeministrit: Radhën e ka Kontrolli i Lartë i Shtetit

Postuar në 26 Shkurt, 2018 11:24

Spartak Braho, këshilltar i kryeministri dhe një njeri i njohur i politikës dhe pushteteve në Shqipëri, publikon së fumdmi një opinion në gazetën “Dita”. Tema e opinionit është Vettingu. Sipas Brahos ky proces duhet të jetë vaksina për shtetin shqiptar. Pastrimi sipas tij, në kuptim të zbatimit të ligjit është madje dhe “qëllimi i mazhorancës socialiste progresiste”, ndërkohë që Braho e sheh procesin si të dobishëm për shumicën e shoqërisë. Ja frazeologjia e zgjedhur nga Braho për këtë proces që të kujton gjuhën e Enver Hoxhës kur fliste “për abscestin që u shtrydh” në referencë të fraksionit të Vlorës:

Për shumicën e opinionit shqiptarë ai nënkupton shpresë, se më në fund punët në këtë vend do të shkojnë në drejtimin e duhur, se po lind një rreze drite e cila do të udhëheqë rrugën për një zhvillim normal demokratik dhe të konsolidimit të plotë të shtetit të së drejtës.
Për të tjerët, pra për një pakicë, për ata që kundërshtojnë dhe nuk e mirëpresin, këtë proces, “Vetting”, do të thotë dizinfektim i plehut të korrupsionit moral, financiar e institucional, për ti dhënë kështu fund fushës së lirë për të abuzuar me punët, me paratë dhe me pasuritë e shtetit, nëpërmjet uzurpimit dhe shfrytëzimit të funksioneve publike

Këto thotë Braho që deri më dje ishte mentori i Ilir Metës, simbol i një politike që afektoi establishmentin me zakone jo të shëndetshme. 
Ajo që ka rëndësi në opinionin e Brahos është objektivi. Teksa vlerëson procesin e vettingut të nisur në polici, drejtësi dhe në organet e prokurorisë, këshilltari i kryeministrit sugjeron edhe dy drejtime ku me gjasë është vënë syri i qitjes dezinfektuese: Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe tatimet dhe doganat. 

Kontrolli i Lartë të Shtetit është një institucion i një rëndësie të veçantë te cilit Kushtetuta e ka përcaktuar si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar i shtetit.
Ai varet nga parlamenti dhe raporton përpara tij një herë në vit, por punonjësit e tij duhet urgjentisht ti nënshtrohen Vettingut. KLSH e mbuluar gjithmonë nën aureolën e “pavarësisë”, dhe i argumentuar e ndërtuar si element i kontrollit të opozitës ndaj strukturave shtetërore, ka në përbërjen e vet aktualisht, afro 200 punonjës. 
Por si i ka kryer ky institucion, funksionet e tij?
Mendoj, se jo si duhet. Një nga faktorët kryesorë të dështimit të luftës ndaj korrupsionit në përdorimin e fondeve publike, si dhe dënimit dhe eleminimit të tyre është pikërisht, edhe KLSH-ja. Është fakt, se shumica e denoncimeve të KLSH pranë organeve të drejtësisë, në prokurori më konkretisht, kanë mbetur “stok” edhe si rezultat i investigimit të dobët të shkeljeve korruptive, pa përjashtuar natyrisht, edhe nivelin e dobët të punës zbuluese dhe hetimore të organit të akuzës në mjaft raste.
Të gjithë ata që punojnë aty, nëpunës dhe kontrollorë, që kanë të bëjnë me kontrollin e përdorimit të vlerave monetare e financiare, me paratë e shtetit, duhet të kalojnë urgjentisht në sitën e procesit të vettingut. Kështu ky organ do të çlirohet, edhe nga akuzat e paragjykimet jo të rralla, si organ “gjobvënës

shprehet Braho. 

Është një sinjal i qartë se zhvilimet politike do të zhvendosen edhe drejt këtij institucioni që ka denoncuar disa shkelje të mëdha të kësaj mazhorance progresiste socialiste si p.sh çështjen “CEZ”. 

Përtej aspektit politik që ngërthen ky propozim duhet pyetur nëse kjo shumicë ka vërtet vullnetin që të pastrojë shtetin ashtu siç sugjeron zoti Braho. Kjo do të thotë që pastrimi të nisë së pari nga shtëpia e vet, aty ku zullumet nuk po mbarojnë dhe që po i kushtojnë shumë vendit. Po instalojnë pabarazinë si normë jetese dhe po tjetërsojnë pasuritë kombëtare. Nuk është parë ky vullnet deri më tani, ndaj goditja ndaj KLSh më shumë sesa një parashtrim teorik dhe politik për pastrimin e institucionit në fjalë është në fakt një synim për neutralizimin ligjor të tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.