Kullat konsensuale të Tiranës

Postuar në 16 Shkurt, 2018 20:58

Ka një shtim të fjalorit të personalizuar kundër kryeministrit shqiptar. Thuajse nga të gjitha drejtimet opozitare, term për kuptimin e të cilit duhet të biem dakord të gjithë: opozitarë quhen jo ata që përfaqësojnë një alternativë, por ata që kanë hesape apo pakënaqësi me pushtetin dhe angazhohen për këtë qëllim. 
Përpjekja për demonizimin, stigmatizimin, karikaturizimin e Edi Ramës, ka marrë me vete edhe njerëz si Ylli Manjani, që vetëm ushtar apo të pagdhendur nuk mund ta quash. 
“Shkollëpakti” e quan Petrit Vasili, “Përbindësh pushteti” e quan Manjani. Monika Kryemadhi, që drejton partinë me emrin LSI, nuk kursen asnjë lloj epiteti, që i varen kryeministrit si zilka që I mbajnë iso këmborës kryesore: Sali Berishës me gjetjen e tij origjinale: Noriegën. 
Në këtë përrua që duket se është e vetmja rrugë për të mbuluar dobëitë themelore të opozitës parlamentare po synohet të ndërtohet një strategji politike që shet kundërvënien personale ndaj kryeministrit si dëshmi e parimeve në veprim kundër keqqeverisjes. 

Por sa vlen si strategji opozitare kjo qasje e cila po gjen vend përditë në mediat opozitare? Sa vlerë ka ajo në konsumin e një pushteti që vetëm pak muaj më parë u konfirmua me votë dhe nuk harron t’i shkelë syrin çdo faktori opozitar? 
Z. Manjani bën sot një përcaktim të vërtetë: “Shihni, megjithë skandalet e përditshme si hyn asgjë në këmbë! Përkundrazi, gjendet fajtor gjithmonë dikush, por jo Ai që ka bërë skandalin...”, shkruan ai. Vërtet si ndodh kështu përherë? Përgjigja e vetme e kësaj pyetjeje është vetëm një: implikimi i opozitës që po luan duetin e pushtetit me mazhorancën. Tradhëtia e hapur ndaj interesit publik dhe shitja e tij në çdo moment. 

Meqë kemi një rast të freskët bëjmë mirë t’ia sjellim në mend edhe z. Manjani apo partisë së tij dhe PD. Opozita po I rri larg debatit publik që po zhvillohet për teatrin kombëtar dhe eventualitetin e ndërtimit të një kulle aty. Opozita dhe kryetari i PD-së po lajnë duart si Pilati përpara aferave që po zbulohen përditë e ku përfshihet qeveria dhe bashkia në një lidhje të shkurtër biznesi me një kompani që siç dihet është afër familjarëve të z. Basha. 
Një opozitë normale do të reagonte menjëherë. Një opozitë si kjo e jona që nuk lë letër pa nxjerrë kur vjen puna te kandidatët e KLP dhe KLGj, që asistohet përditë nga qytetarë dhe intelektualë dixhitalë, është ngurosur për një çështje që ka brenda të gjitha elementët e një sëmundjeje që po dërrmon çdo hapësirë publike në Shqipëri. 
Është një heshtje interesi familjar, që vret shpresën dhe që në fund fare kompromenton sistemin aktual ku opozita ka një rol domethënës. Një kryetar opozite që asociohet përherë me interesa familjare mes të cilave edhe një pallat që u pagua nga të gjithë ne, ka defiçenca themelore që minojnë të ashtuquajturin mision të tij. 

Do të mjaftonte vetëm ky rast, për të kuptuar se PD-ja dhe Lulzim Basha bëhen më shumë pis sesa Edi Rama dhe Erjon Veliaj. Dhe mjafton ky rast për të bërë dallimin mes pallavrave demonizuese për Edi Ramën që bën namin dhe heshtje kriminale të opozitës. Le të kujtojmë se me këtë teknikë luhej edhe në kohën e qeverisë së Sali Berishës. 
Se çfarë gjërash i atribuoheshin, se me çfarë lidhjesh e asocionin për ta nxjerrë edhe si projektues të ndarjes së Shqipërisë. Berisha iku nga pushteti dhe të parët që i uruan “rrugë të mbarë në historinë e Shqipërisë”, ishin po ata që deri më dje i shpallnin luftë parimore. Ishte Edi Rama që në fjalimin e parë të tij në Parlament deklaronte se “me ty do të merret historia”, një qëndrim ky që duhet mbajtur mirë parasysh nga të gjithë shqiptarët që mund te jenë gënjyer nga përralla e re e Rilindjes se “duam të fusim Berishën në burg”. 

Opozita po marketon për popullin prodhimin e vet më të ri: Përbindëshin e pushtetit Edi Rama. Njeri i të gjitha lidhjeve. Në fakt askush që ka dy gramë mend nuk mund ta hajë më këtë. Asnjë kryeministër nuk ka atë fuqi që na thotë sot opozita, vetëm nëse nuk e ka opozitën në thes. Precedenti Berisha na e tregon këtë. Dhe të gjithë duhet të kuptojmë se shpresa e njerëzve përpara se të vritet tradhëtohet dhe ajo është tradhëtuar nga opozita si kjo që përfaqëson z. Manjani dhe kompani private si ajo e z. Basha me të cilat z. Rama e ka shumë kollaj ta gjejë pazarin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.