Heshtja inkriminuese për një të shpallur ndërkombëtarisht si i korruptuar

Postuar në 15 Shkurt, 2018 14:23

Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku citohet të jetë shprehur sot se hetimet e kryera nga organi i akuzës janë të paplota dhe me mangësi. Deklarimet thuajse të përditshme të zonjës Marku po bëhen në kuadër të analizave që po kryhen në çdo prokurori rrethi.

Ajo çfarë bën përshtypje është anashkalimi i plotë i kryelajmit të sotshëm: refuzimit nga SHBA i të drejtës për hyrje të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Siç u bë e ditur, sekretari amerikan i Departamentit të Shtetit, Rex Tillerson ka deklaruar se ka refuzuar hyrjen e Llallës dhe familjarëve të tij për shkak se ka informacione të besueshme për akte korrupsioni të lartë nga ish-kryeprokurori i Shqipërisë.

Ky lajm është lënë sot mënjanë nga politika. Asnjë trajtim serioz dhe asnjë vëmendje. ResPublica pyeti pranë Prokurorisë nëse do të ketë një hetim apo vlerësim për këtë çështje, por nuk pati një përgjigje pohuese dhe as mohuese.

Heshtja me të cilën po mbulohet ky skandal është edhe më implikuese sesa vetë denoncimi ndërkombëtar që iu Adriatik Llallës. Është një heshtje e përbashkët e një konsensusi që vazhdon dhe nuk cenohet për asnjë arsye. Është heshtja e raporteve dhe interesave të vërteta që rëndom mbulohen nga vizibiliteti i teatrit politik të ditës me akuza banale dhe qesharake, që synojnë si e si të mbajën larg syve pazarin e vërtetë politik që zhvillohet edhe nën garancinë e njerëzve si Adriatik Llalla. Ky i fundit madje nuk ka reaguar, çka lë dyshimin e arsyeshëm se një dosje ekziston mbi të dhe çdo përpjekje për përgënjeshtrim do të krijionte të tjera probleme.

Sot Shqipëria ka një ish-kryeprokuror të shpallur të korruptuar, për të cilin ka një të dhënë zyrtare se ka informacione të besueshme për aktet e tij dhe ka një Prokurori dhe një Parlament që hesht për të. Mos shpresojë kush te një drejtësi që i shmanget përgjegjësive të veta apo që ushtron goditje koniunkturale. Ajo është vetëm levë e pushtetit dhe asgjë më shumë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.