A është Rusia aq e fortë sa ç'duket?

Postuar në 13 Shkurt, 2018 13:29

Disa media të njohura perëndimore i kanë lënë vend raportit vjetor të shërbimit sekret estonez, që trajton në mënyrë të përmbledhur kërcënimet kryesore konvencionale ndaj Estonisë dhe vendeve balltike. Bloomberg e cilëson shërbimin estonez si një nga agjencitë më të specializuara në botë për çështjet ruse, nisur nga njohja e gjuhës dhe e kulturës, por edhe penetrimi në brendësi të zhvillimeve që mundëson një pasqyrë më realiste të situatës sesa ajo që rëndom përcillet nga mediat perëndimore.

Një analizë objektive e situatës në Rusi përballet me dy sfida: së pari murin e propagandës së urdhëruar nga Kremlini, e cila nuk është pa ndikim. Së dyti, murin e klisheve që qarkojnë Rusinë dhe kreun e saj, presidentin Vladimir Putin sidomos në mediat perëndimore dhe qarqet e ekspertëve që merren me to.

Raporti estonez qëndron midis të dyve duke na dhënë një panoramë të përgjithshme për një Rusi e cila duket se ka probleme shumë serioze.

Raporti thekson se në planin afatshkurtër, sfida kryesore janë zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, të cilat Kremlinit i interesojnë të kalojnë sa më qetë. Raporti pranon se vlerësimi për Putin në shoqërinë ruse është ende i lartë, por pakënaqësia po rritet. Në ekonomi nuk ka konkurencë dhe suksesi lidhet me sistemin e patronëve qeveritarë që shërbejnë si pika të domosdoshme lidhjeje dhe mbrojtjeje. Kjo është evidente dhe në këtë kuadër merr kuptim edhe pakënaqësia e brezit të ri që sot ndërvepron me internetin. Qeveria ruse ishte ndër të parat që kufizoi lirinë e internetit duke eliminuar anonimatin dhe regjistruar VPN-të, pra operimin e rrjeteve private.

Nga ana tjetër, raporti vlerëson se media ruse dhe propaganda e Kremlinit nuk ka qenë shumë efektive në kontrollin e rinisë, të paktën aq sa të balancojë ndikimin e internetit.

Kur vjen pun ate situate ushtarake, shërbimi estonez pranon se për Estoninë dhe vendet e tjera balltike, kërcënimi kryesor është Rusia. Por në dokument, cilësohet se mundësia e një konfrontimi ushtarak mes Rusisë dhe një anëatri të NATO-s, të paktën për vitin 2018, është e ulët. Ndonëse në stërvitjen Zapad-2017, Rusia simuloi një konfrontim me NATO-n duke marrë si pikë fillestare përballjeje Bjellorusinë dhe për këtë shkak ndërmori një sulm ndaj vendeve balltike, sërish ky demonstrim përbën një akt teorik që nuk përkon me kushtet objektive të momentit.

Sipas raportit duhet vënë në dukje gjithësesi, se sjellja e Rusisë në raport me stërvitjet ushtarake tregon se lidershipi rus nuk do të dijë shumë për vlerat themelore të traktateve ndërkombëtare përfshirë transparencën dhe besimin. Në vitin 2018 parashikohet krijimi i një Garde Kombëtare me bërthamë nga Ministria e Brendshme e cila do të përfshijë edhe njësi të policisë speciale. Përveç sukseseve, sidomos me riaarmatimin e forcave kufitare me sistemet më moderne, problemet nuk mungojnë. Korrupsioni, mungesa e disiplinës mbeten në nivele të larta. Shërbimi sekret estonez vlerëson se këto janë manifestime të moralit të ulët të trupave.

Problemi ekonomik dhe strukturor sipas raportit u vu re edhe në angazhimin në Siri. Ndonëse ushtria ruse përmbushi tre objektivat kryesore, nuk e mbështet dot më një angazhim të mëtejshëm të thelluar. Rusia ja doli të menaxhojë shumë mirë imazhin e vet si lojtare globale, por tërheqja e njoftuar në dhjetor të vitit 2017, dëshmon “dobësi strukturore” dhe ekonomike.

Raporti degradon edhe synimet strategjike të Kremlinit, teksa e vlerëson përfshirjen e Rusisë në Lindjen e Mesme si politikë irritimi për Perëndimin dhe jo si kontribut për zgjiedhjen e problemeve.

Gjithësesi në mendimin aktual, lidershipi rus e ka në axhendë ndërhyrjen jashtë kufijve dhe këtë e dëshmoi edhe me stërvitjen Zapad -2017 e cila simulonte kalimin në luftë për shkak të një revolucioni me ngjyra në Bjellorusi.

Lidhur me politikën e jashtme, raporti vlerëson se ka dy synime: fund izolimit dhe ristabilizimi si aktor në arenën globale. Në vitin 2018, politika e jashtme ruse do të vijojë t’i përmbahet kundërshtimit të zgjerimit të NATO-s në Finlandë, Suedi dhe Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjes për të përçarë BE-në. Problemi ukrainas, Siria dhe Libia janë të tjera pika angazhimi në politikën e jashtme ruse. “Gazprom” dhe “Rosneft” shihen si mjete të politikës së jashtme, ndërkohë që Bjellorusia zë një vend të veçantë për vetë pozicionin që ka në Europë.

Një rol i veçantë i kushtohet operacioneve të ndikimit, apo luftës informative.

“Kremlini beson se superioriteti informativ do të përcaktojë betejën globale për pushtet”, thuhet në raport.

Sipas pikëpamjes ruse, konfrontimi informativ nuk bën dallim nëse bëhet fjalë për kohë paqeje apo lufte. Rusia ka krijuar qendra të luftës informative në çdo distrikt ku janë shpërndarë forcat e armatosura ruse. Në këtë kudër një rol thelbësor ka edhe spiunazhi kibernetik që sipas raportit ka rrënjë që në kohën e KGB-së. Aktualisht janë disa agjenci që kryejnë aktivitet të tilla: FSB – Shërbimi Federal i Sigurisë, SVR – Shërbimi i Zbulimit të Jashtëm, FSO – Sherbimi Federal i Mbrojtjes.

Në tërësinë e vet, panorama e përgjithshme na ofron një Rusi me ambicie, por edhe me problem të thella. Shërbimet estoneze duket se sugjerojnë realizëm mbi kapacitetet ruse që përcaktojnë në fakt edhe mundësinë e përmbushjes së ambicieve që në media shikohen të shkëputura nga të parat. Rusia ka mungesë perspektive me këtë lidership dhe strukturë ekonomike pushteti. Ajo ka rritur ndjeshëm rolin e vet, por nuk është në gjendje të kalojë në konflikt të hapur me perëndimin, madje nuk ka aftësi as edhe për të realizuar plotësisht objektivat afatshkurtra të politikës së jashtme.

Por siç ka ndodhur shpesh me këtë vend, asgjë nuk është e sigurtë. Por edhe e njohur në mënyrë shteruese. Sidoqoftë, i ashtuquajturi rrezik rus është paradoksalisht edhe pasojë e luftës informative të Kremlinit, suksesi i së cilës ka ndihmuar për krijimin e një paranoje apo fobie nga e cila vuan sot edhe vetë Rusia. Dhe e cila mundet të jetë instrument i qëllimshëm në duart e qendrave perëndimore që po duan të kthejnë politikën në raport me Lindjen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.