Shqiptarët vetëm 90% proamerikanë. Deputetët 100%

Postuar në 08 Shkurt, 2018 13:41

Është shndërruar në një shfaqje banale diskutimi i sotshëm në Kuvend për votën e Shqipërisë për Jeruzalemin kundër qëndrimit të SHBA.

Duke e lexuar këtë si një mundësi për të bërë politikë filoamerikane, opozita shqiptare ka depozituar një rezolutë përmes të cilës kërkon ndryshimin e qëndrimit të vendit tonë. Në diskutimet e ditës së sotme, nuk pati në fakt asnjë moment sqarues për rezolutën, për temën e Jeruzalemit, votimet historike të Shqipërisë etj.. Përfaqësues të opozitës e cilësuan aktin si antiamerikan për të synuar te ky përcaktim politikën e madhe të pakicës parlamentare.

“Qeveria miratoi rezolutën turko-jemenite”, tha ish-kryeministri Sali Berisha. Përkundrejt kësaj zhurme retorike që nuk ka asnjë qëllim pozitiv apo nuk sjell ndonjë kontribut për debatin publik dhe politike, shumica ka propozuar edhe ajo një rezolutë paralele që mbështet qëndrimin e deritanishëm: statusi i Jeruzalemit nuk mund të ndryshojë.

Në tekstin e rezolutës së PS-së nënvizohet si prioritar interesi kombëtar duke përcaktuar si partner strategjikë për këtë aspekt të politikës së jashtme, SHBA-të dhe BE-në.

“I kërkon qeverisë që në përputhje me interesin kombëtar, të vijojë të bashkëpunojë për forcimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimin në tërë rajonin e Lindjes së Mesme, me aleatët dhe partnerët strategjikë, në radhë të parë SHBA dhe BE”, thuhet në tekst që është për nga synimet një marifet i radhës për të vënë opozitën para provës së një vote që thekson bashkëpunimin me SHBA, por edhe për të mos lejuar që seanca të kalojnë me një votë formale kundër kërkesës për të adoptuar një qëndrim pro-Trump.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.