Thirrje për sulm nga hakerat për një praktikë që e vendosi vetë

Postuar në 06 Shkurt, 2018 14:17

Ish-kryeministri Sali Berisha u bënte thirrje dje nga profili i vet në Facebook të gjithë hakerave në botë që të ndërmarrin një sulm të përgjithshëm ndaj sistemeve shtetërore që kontrollohen nga kryeministri dhe qeveria e tij. Një thirrje që shërben si sinjal shqetësues për axhitimin politik dhe emocional të z. Berisha, pasi ciladoqoftë shkelja në këtë rast, një ish-kryeministër nuk bën thirrje për përmbysje.

Mund të përkthehet në anglisht kjo thirrje për të parë si do të trajtohet në media të huaja. Berisha sjell si argument mbështetës për këtë alarm të radhës, një vendim të Këshillit të Ministrave për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit që autorizon këtë të fundit për administrimin të kodit të burimit të çdo sistemi si përfaqësues i pronarit shtet që është Këshilli i Ministrave.

Kodi i Burimit është versioni origjinal i softuerit siç është shkruar nga prodhuesi dhe zotërimi i tij jep disa të drejta që kanë të bëjnë me veprimet që I kërkohen një kompjuteri.

Si e zgjidh bota këtë çështje?

Nëse lexojmë edhe në një burim të hapur si Wikipedia, situata është juridikisht e qartë. Në SHBA para vitit 1974, kodi I burimit ishte pronë publike, por kjo ndryshoi. Në enciklopedinë online citohen dy raste përballjes gjyqësore, njëri në vitin 1999, ku palë e paditur ishte qeveria e SHBA. Në vendimin e vet, gjykata përcaktoi se kodi I burimit duhet të konsiderohet nga pikëpamja kushtetuese, një formë e lirisë së shprehjes. Çka I jep atij të drejta autoriale.

Si është praktika në Shqipëri? Dhe si vepronte qeveria e z. Berisha?

VKM-ja e qeverisë shqiptare, për aq sa citon në mënyrë të pjesshme z. Berisha e konsideron veten si pronare të kodit të burimit dhe këtë veprim ish-kryeministri e krahason me shtetëzimin e pronave nga Enver Hoxha. Një analogji e paqëlluar, por edhe me gabime, pse jo gafa.

Z. Berisha ndoshta nuk e di, ose bën sikur, se një praktikë të këtillë e ka normuar dhe aplikuar edhe qeveria e tij. Përmes një udhëzimi të posaçëm, ish-ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, Genc Pollo sanksiononte të njëjtën gjë që në vitin 2013. Numri i vendimit është 2 dhe mban datë 2 shtator 2013.

Udhëzimi për “Standardizimin e Hartimit të Termave të Referencës për Projektet e TIK në Administratën Publike”, thotë shprehimisht në pikën II – Rregullat e Hartimit dhe Procedura e Miratimit të Termave të Referencës - gërma “e” se “…institucionet gjatë hartimit të termave të referencës për projektet TIK, duhet të marrin në konsideratë çështjet si më poshtë…

Të sigurojnë pronësinë e kodeve burimore(source code) dhe/ose të drejtën për të blerë kodet burimore

Çka na thotë se ajo për të cilën sot z. Berisha kërkon sulm botëror nga hakerat është në fakt praktikë e promovuar nga qeveria e tij. Ky incident nuk është as i pari dhe as i fundit për të na treguar se ata që qeverisin në Shqipëri në realitet nuk kanë në kontroll çdo gjë. Në këtë rast, nuk ka qenë detyra e kryministrit të dinte një hollësi teknike si kjo e kodit të burimit, por meqenëse z. Berisha ka prioritet të kthehet në altoparlant mesazhesh shumëqëllimëshe që vijnë në inbox e tij, ndoshta kësaj radhe mund të ketë rastin të kuptojë se është përdorur. Apo keqpërdorur. Një thirrje në hava që ndoshta z. Pollo e ka lexuar dhe i është mbajtur dora t’i bëjë like.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.