Me cilët kufinj do të pranojë Serbia të anëtarësohet në BE?

Postuar në 01 Shkurt, 2018 19:03

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, ka deklaruar se Bashkimi Europian nuk e ka njohjen e Kosovës si kusht për anëtarësimin e Serbisë. Ajo ka folur gjatë një mbledhjeje të përbashkët mes qeverisë serbe dhe asaj sllovene gjatë së cilës referoi qëndrimet e presidentit të Parlamentit Europian, Tajani.

“Mendoj se u tha qartë nga presidenti i PE-së, Tajani se Serbia nuk ka pse të njohë pavarësinë e Kosovës për t’u anëtarërsuar në BE”, tha ajo. Sipas saj për Beogradin mjafton përmbushja e marrëveshjes së Brukselit, të cilën Serbia e ka realizuar në pjesën më të madhe.

Qëndrimi serb luan me hapësirat e krijuara nga mesazhi dhe kërkesa europiane për të mos importuar problem kufitare në BE nga vendet aspirante. Serbia po synon të imponojë si kartë lehtësuese suksesin e dialogut me Prishtinën duke shmangur njohjen që është në fund të fundit diskrecion i një shteti. Nuk dihet se me cilët kufinj do të pranojë të anëtarësohet në BE Serbia, pasi referuar Kushtetutës së saj, Kosova është pjesë integrale e saj, ndërkohë që shumica e vendeve të BE-së e njohin Kosovën shtet.

Ky është një paradoks që vetëm Ballkani mund ta prodhojë sigurisht me Serbinë si kampione e pakonkurueshme e kësaj diplomacie që pajton vetëm në imagjinatën e saj, atë që nuk përligjet në realitet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.