Të panjohurat e OSHEE

Postuar në 01 Shkurt, 2018 11:02

Problemet me OSHEE-në kanë nisur të kërcasin pavarësisht përpjekjeve për të mbuluar situatën me ngecjen e reformës energjetike dhe abuzimet e mëdha financiare. Një ditë më parë ishte Drejtori Ekzekutiv i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac që lëshoi kritika të ashpra madje duke thënë se kompania kishte injoruar letrën e Sekretariatit për zvarritjet në ndarjen e OSHEE në dy ndërmarrje dhe fillimin e liberalizimit të tregut të energjisë.

Siç shkruan BIRN, gjendja financiare e OSHEE është e panjohur. Kompania është kritikuar nga FMN mes të tjerash për mosrespektimin e kërkesave për transparencë, pasi nuk ka publikuar raportet e veta financiare tremujore që nga shtatori i vitit 2016

Gjithashtu, OSHEE nuk rezulton të ketë dorëzuar bilancin vjetor të vitit 2016 dhe raportin e auditimit te Qendra Kombëtare e Biznesit, gjë që përbën detyrim ligjor për çdo kompani të regjistruar në Shqipëri. Ministria e Financave, e cila nën kërkesën e FMN-së publikoi në prill 2016 rezultatet financiare të tre kompanive të sektorit për tremujorin e parë të atij viti, nuk e ka përditësuar këtë raportim që nga ajo kohë.

FMN e konsideron transparencën e treguesve financiarë me rëndësi kyçe për atë që njihet si “qeverisje e korporatave” të sektorit publik pas mungesa e transparencës i lejon këto lloj kompanish të bien në keqmenaxhim, ose që përkeqësimi i gjendjes financiare të kompanive të kalojë jashtë vëmendjes së publikut.

Reduktimi i humbjeve në sektorin e shpërndarjes efektivisht ka ngecur që nga ajo kohë. Në vitin 2016 humbjet ishin 28% ndërsa në periudhën janar-gusht 2017, humbjet ishin 27.5%. Për vitin 2016, objektivi i qeverisë ishte reduktimi i humbjeve në 26% ndërsa për vitin 2017 humbjet duhej të reduktoheshin në 21%. Ecuria e keqe e dy viteve të fundit e ka bërë të vështirë arritjen e objektivave për vitet 2018-2020. Për vitin 2018, objektivi është për reduktim të humbjeve në 19% më 2019 15% dhe më 2020 8%.

Të dhënat e ERE tregojnë se sasia e borxheve të paarkëtuara të OSHEE u rrit nga 69 miliardë lekë në 2015 në 71.6 miliardë lekë në gusht 2017. Brenda strukturës së konsumatorëve debitorë, konsumatorët familjarë kanë qenë më të rregulltit dhe borxhet e tyre u reduktuan gradualisht nga 52.6 miliardë lekë më 2015 në 50.3 miliardë më 2017. Nuk ndodhi e njëjta gjë me kategorinë e konsumatorëve “jobuxhetorë”, ku përfshihen korporatat e tjera publike, në përgjithësi, ujësjellësit. Borxhet e tyre ndaj OSHEE u rritën nga 1.6 miliardë lekë në 7.4 miliardë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.