Opozita shet suksesin e protestës për një status të kryeministrit në Facebook

Postuar në 28 Janar, 2018 14:29

Opozita shqiptare fitoi dje me protestën e zhvilluar në Tiranë, betejën afatshkurtër me pasigurinë e pjesëmarrjes së njerëzve.

Ciladoqoftë shifra që jepet, apo planet me dron që duan të minimizojnë numrin e njerëzve që dolën në bulevard, thelbi mbetet i paprekur: mijëra njerëz dolën për të kundërshtuar qeverinë e Edi Ramës. Në kushtet e një bojkotimi masiv që iu bë Partisë Demokratike edhe nga anëtarët e vet në zgjedhjet e 25 qershorit, pjesëmarrja e djeshme është një moment frymëmarrjeje.

Por opozita po tradhëton veten me padurimin për të vjelë një reagim frike nga qeveria dhe kryeministri, ndaj të cilit ka dy ditë që shtron pyetje dhe i tregon numra të ekzagjeruar. Duket se një pjesë e aktorëve kryesorë të PD-së, përfshi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, po kërkon një certifikatë force nga kryeministri, të cilin po e kërcënojnë pa marrë mbrapsht ndonjë kundërpërgjigje.

Ky personalizim i betejës politike rikonfirmon edhe njëherë axhendën e vërtetë politike të drejtuesve të PD-së, një pjese të tyre, që mesa duket duan të mbajnë në pazarin e zakonshëm një kryeministër që nga ana e vet ka detyrime apo është I detyruar të vendosë edhe se çfarë I thonë apo kërkojnë të tjerë jashtë Shqipërisë.

Reforma në drejtësi me parashikimin e qartë tashmë të arrestimeve të peshqve të mëdhenj, ka prodhuar te protesta tendosjen maksimale të nervave, për të na njoftuar se në këtë që po ndodh, një pjesë e lidershipit opozitar po ndjen se është viktima e drejtësisë penale.

Kërcënimi ndaj kryeministrit në këtë rast, është në fakt një rrugë për të këmbyer destabilizimin eventual të vendit me një marrëveshje garancie të re, çka nëse ndodh, do të ishte fundi i çdo shprese për drejtësi në këtë vend. Është e paqartë nëse vetë z. Rama është I interesuar për këtë që po ndodh, por “gabimet” me emrat e kandidatëve për në KLP dhe KLGJ na thotë se të gjithë i kanë duart pis. Është e pashpjegueshme sesi mund të dështojnë dy filtra në përzgjedhjen e kandidatëve, ndërkohë që PD-ja deklaron se nga 30 kandidatë nga shoqëria civile për KLP-në, vetëm 3 janë të pastër. Pra për 27 të tjerë, sido që të shkojë procedura e shortit ne do të kemi surprizat e ngjashme me “Telefonin” Kozma Jano.

Procedura e ndotur me KLP-në do të thotë në fakt ose bllokim i procesit, ose deligjitimim i tij, për të lënë në krye të organit të akzuës, Arta Markun edhe për një periudhë jotë vogël. Një prokurore e përkohshme që kontestohet nga opozita në planin kushtetues dhe ligjor, pra një prokurore që I jep kauzë politike pakicës.

Bashkë me absurditetet e zgjedhjes së emrave për KLP panorama bëhet më e qartë kur sheh se loja e atyre që e “duan” reformën dhe atyre që nuk e duan, në fakt është mbulim për skenarin e vërtetë. Pra se asnjë nuk e do reformën.

Sigurisht që ky shpjegim nuk duhet marrë si abolutist, as edhe si kriter nihilizues për protestën, pasi përtej axhendave të njërit dhe tjetrit, në protestë shumëkush shkon edhe sepse vërtet është i pakënaqur. Por ky është edhe problemi të cilin PD-ja, z. Basha, z. Berisha dhe znj. Kryemadhi as që duan ta kujtojnë e që është: shpërfillja e protestës së vërtetë të qytetarëve, e cila nëse do të konsiderohej seriozisht, nuk do të kishet nevojë për këtë teatrin post ku njëra palë, në këtë rast, opozita, e kërkon notën kaluese të veprimeve të veta, të një status në Facebook nga kryeministri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.