Biologjia dhe letërsia

Postuar në 22 Janar, 2018 11:14
Intervistoi: Roberto Carnero

Shkenca dhe aftësia krijuese e njeriut e afirmuar sidomos në arte. Një temë e “kohëve tona” që synon të shpjegojë misterin e artit njerëzor si interpretim i realitetit. Profesori i letërsisë në Universitetin e Pizës, Alberto Casadei, flet në një intervistë për “Avvenire” mbi këtë ndërthurje. Të njohësh njeriun dhe biologjinë e tij si premisa të krijimit që po ashtu mban vulën e tij. Libri “Biologjia e letërsisë” hulumton këto aspekte “moderne”, të cilave në fakt njeriu i ka shpërfaqur me veprat e artit që mbetet antropocentrik në të gjitha manifestimet e veta. Koha e sotme kërkon që të sjellë një kuptim të ri mbi këtë aftësi që shtrihet në mijëra vjet dhe qëndron në bazë të atij që përkufizohet si qytetërim njerëzor.

Profesor Casadei, ju pohoni se sipas teorizimit tuaj, termi “biologji” duhe kuptuar në një optikë kulturore përveç se shkencore. Mund të na shpjegoni në ç’kuptim?

Në fushën e biologjisë inkuadrohen shumë lloje kërkimi, nga genetika deri në raportin njeri-mjedis. Diskutohet shumë mbi statusin e biologjisë si shkencë, dhe përkundrazi janë të shumta përpjekjet për të krijuar një model specifik, një lloj “filozofie të biologjisë”. Ja pra, në një perspektivë të këtij lloji, raportet mes natyrës dhe kulturës, që për një kohë të gjatë janë konsideruar vetëm të ndara dhe të dallueshme, mundet në fakt të kryqëzohen sërish: p.sh, njeriu vepron në mjedisin e tij për ta kuptuar, tenton të marrë në zotërim deri edhe aspekte të fshehura të tij dhe duke bërë këtë, e ndryshon vazhdimisht atë.

Dhe arti, çfarë vendi zë brenda këtij raporti dinamik?

Arti sigurisht që hyn në këtë qark qysh nga manifestimet e tij të para, si pikturat dhe statujëzat prehistorike...

Është i qartë synimi për të përfaqësuar saktësisht aspekte të caktuara të realitetit, si kafshë që duhen gjuajtur aop shmangur, por ndërkohë shfaqen simbole që me gjasë shërbenin për të vepruar mbi realitetin, përmes magjisë dhe në veçanti me fjalët e përsëritura ritmikisht.

Këtu kapet një kontakt i mundshëm mes natyrës dhe kulturës: ajo që më pas do të kthehet në poezi, e përdorur në nivele shumë të larta që nga vepra e parë epike që është ruajtur deri ëm sot, “Epi i Gilgameshit”(rreth 3000 vjet p.e.s), është në instancë të parë një formë që orienton prirjet biologjiko-trupore ndaj ritmikës dhe metaforizimit, me synimin për të përftuar një diskurs të posaçëm që tërheq vëmendjen mbi aspekte të caktuara të realitetit. Sot neve kjo mund të na duket shumë e thjeshtë, por bëhej fjalë për të arritur aftësi stilistike jo të vogla, sigurisht përgjatë mijëra vjetëve.

Studimet tuaja vërtiten prej kohësh mbi raportin mes letërsisë dhe neuroshkencave. Në dritën e kërkimeve tuaja, si ndryshon konceptimi i veprës letrare?

Risia, sidomos në librin tim të fundit, është mbi të gjitha përqendrimi i plotë i një koncepti të ri të stilit. Zakonsiht ne mendojmë për stilin si një tërësi tiparesh formale, por mandej jemi të detyruar të themi se në fakt, nëse i heqim Dantes apo Ariostos, karakteristikat e tyre stilistikore, veprat e tyre do të ishin totalisht ndryshe.

Si të thuash që “stili” dhe “përmbajtja” e një vepre letrare nuk janë elementë të ndarë...

Në fakt stili është pikërisht ai operacion kompleks që mes të tjerash mundëson përdorimin mënyrë të selektuar të disa prirjeve konjitive: kur shohim apo lexojmë një vepër arti vëmë re, ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme këtë cilësi sipërore krahasuar me atë materiale të fillimit.

Në punimin tim jam përpjekur të përcjell një përkufizim të stilit që përfshin edhe energjinë, mbi të cilën reflektonte Nietzsche, pra kapacitetin e tij për të qarkulluar bërthama specifike të informacionit.

Cilat janë pasojat e këtij konceptimi të ri?

Ajo lejon të kapërcehen kufizimet historike: ne deri më tani e konsiderojmë ankesën e Didonës te “Dido dhe Enea” të Henry Purcell(1689) një manfestim të dhimbjes dhe pathosit, ose pranojmë që emfaza deri edhe buçitëse e himnit të Champions League të na vijë nga një kompozim i Handel i vitit 1727. Në thelb, është edhe falë përjetësisë së disa konstanteve bilogjike, të ripunuara stilistikisht që ne mund të vazhdojmë të vlerësojmë vepra kaq të largëta në kohë nga ne.

Çfarë mbetet nga një koncept i aplikuar tradicionalisht që me tekstet e para letrare si “frymëzimi”?

Sigurisht që bëhet fjalë për një lloj miti, por ka një bazë vërtetësie. Veprat e mëdha nuk mund të planifikohen në tavolinë, duhet që të gjurmohen, intuitizohen përbërës të thellë që jodomosdoshmërisht duhet të jenë traumatikë, ndonëse shpesh janë, të paktën në letërsinë moderne.  Unë besoj se arti në përgjithësi dhe letërsia në veçanti mund të përçojnë vizione të botës që krijojnë “ngjarje”, apo “fantazi”, pra narrativa të besueshme apo poezi të errëta, realizëm apo fantasy, dhe e gjitha kjo përkthehet pastaj në zhanre të përcaktuara që ndryshojnë me kohën.

Por për t’u kthyer tek ajo që po thosha, kjo hyn vazhdimisht në predispozitën tonë për të interpretuar realitetin: ne veprojmë mbi të dhe arti, nga ky pikëvështrim, është një manifestim më i ngritur dhe i specializuar i të përjetshmes “të përpiqesh të kuptosh”. Goethe te Fausti, do të kishte përdorur termin “Streben”, një tension i pashtershëm që u përket arteve po aq edhe shkencave.

Mes shembujve që Ju sollët, është ai i Dantes. Çfarë mund të na mësoj “Komedia Hyjnore” në raport me temën e trajtuar prej Jush?

Dante është përherë themelor dhe në librin tim kërkoj të hetoj pse vetëm poema e tij bashkë me dramat e Shekspirit po bëhen ikona botërore dhe jo një klasik mes të tjerëve. Dante krijon një botë të mundshme: nëse duam të kuptojmë Empireon e tij, duhet të zhytemi në metaforat e tij komplekse dhe të imagjinojmë realitete që duket se i korrespondojnë deri edhe atyre të sugjeruar nga fizika më moderne. Ndoshta nuk është kështu, por Dante sigurisht që ka realizuar një përpjekje të pakonkurueshme deri më sot në përfaqësimin e fushave të panjohura e që shkojnë përtej përvojës, e gjithësesi të konceptueshme nga mendjet dhe trupat tanë.

Në kapitullin e fundit të librit tuaj, Ju flisni sesi ëeb dhe Cloud ndikojnë mbi letërsinë dhe mbi mënyrën e interpretimit të saj. Çfarë mund të thoni për këtë?

Përpiqen të interpretoj mjedisin ku jetojmë. Shumë mendojnë që teknolgjia dhe sidomos Interneti me të gjitha aspektet e veta, zëvndësojnë mundësitë tona biologjike, por në fakt vetëm sa i fuqizojnë dhe riadaptojnë. Kështu, ne tani kemi mundësi të jashtëzakonshme për të realizuar vepra që tejkalojnë kufizimet e faqes(sikurse në kohën e vet shtypi tejkaloi përçimin oral) dhe integrojnë aspekte shumë të ndryshëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për të akostuar fjalët, imazhet dhe muzikën, siç është bërë përherë, por për të menduar për modalitete krijuese me të vërtetë të integruara. Është një sfidë e madhe: edhe njëherë tjetër, siç ka ndodhur në shumë epoka ndryshimi, do të bëhet fjalë për evituar zgjidhje të pafuqishme për të tentuar interpretimin e “resë” së globalizimit.

Burimi: https://www.avvenire.it/agora/pagine/stile

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.