Sipas RPSSH/24 mijë grekë dhe 50 mijë italianë, të vrarë, ngrirë apo të humbur gjatë luftës italo-greke

Postuar në 23 Janar, 2018 00:25

Nisja e punimeve për gjetjen, identifikimin, zhvarrosjen dhe varrosjen e ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-1941, ka provokuar sërish disa debate. Tanimë janë dy vendprehje, në Këlcyrë dhe Bularat, të dyja në qarkun e Gjirokastrës, ndërkohë që për disa aktorë politikë, çështja po synohet të mbarset emocionalisht me të ashtuquajturin skandal i Kosinës.

Po kështu, autoritetet shqiptare nuk pranojnë të thonë asgjë, ato bëjnë shurdhmemecin për një histori që i shpëton instrumentalizmit vetëm përmes transparencës. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë që mban sekret, ose më mirë nuk tregon numrin e të vdekurve të një lufte ku ajo ishte vetë viktimë.

Dedë Prenga, kryetar i komisionit shtetëror për këtë çështje, deklaronte disa ditë më parë në një intervistë për Tema Tv se të dyja palët japin shifra të ndryshme sa i përket të vdekurve grekë në luftën në fjalë. Duke qenë se kjo është një çështje e ndjeshme, e mira e punës e do që t’i drejtohemi të dhënave zyrtare.

Meqenëse Republika e Shqipërisë është shtet shumë serioz dhe nuk bëzan, një rrugë është t’i drejtohemi Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, që është më transparente në këtë drejtim.

Në botimin e vitit 1987, të Ministrisë së Mbrojtjes, posaçërisht Akademisë Ushtarake, me titull: “Historia e Artit Ushtarak Botëror”, me autorë Ibrahim Pajova dhe Shahin Leka, luftës italo-greke, i kushtohen 42 faqe(fq. 288- 330).

Analiza e bërë në këtë hapësirë është e pajisur me harta dhe aty jepen në hollësi veprimet ushtarake të kryera në kuadër të kësaj lufte.  Mund të sillet këtu informacioni se lufta në fjalë, për aq sa I intereson Shqippërisë, ndahet në tre etapa, duke nisur që nga momenti i kundërmësymjes greke që u zhvillua në territorin tonë:

  1. Etapa e parë: 14 nëntor- 22 nëntor 1940 në drejtimet Nestorion-Dardhë – Korçë dhe Prespa e vogël – Mali Ivan. Përparimi i plotë i trupave greke, 12-20 km.
  2. Etapa e dytë: 23 nëntor-12 dhjetor 1940. Drejtim kryesor Janinë-Berat, kurse Korçë – Elbasan mbeti drejtim mbështetës dhe angazhues për forcat italiane. Përparimi mesatar ditor 4 km.
  3. Etapa e tretë: 13 dhjetor – 6 janar 1941. Drejtimi mbetet I pandryshuar. Përparimi mesatar ditor 300-350 m.

Detyrat për këto veprime iu ngarkuan Armatës së Maqedonisë Perëndimore dhe Korparmatës I. Më vonë pati riorganizime dhe u vunë në veprim edhe Armatat Thesprotia dhe Epiri.

Kundërmësymja greke përfundon me depërtimin maksimal në territorin shqiptar në javën e parë të marsit 1941 në vijën Pogradec - mali i Vallamarës – Grabovë – Çorotati – Ujanik – Dobrushë – Spatharë – Arrëz e Madhe – pjerrësitë lindore të Shëndëllisë – pjerrësitë lindore të Golikut – mali i Terzorit – mali i Barit – Progonat – Nivicë – Çipini i Bolenës – bregu jugor i përroit të Bardhë – mali i Vunoit – pjerrësitë lindore të malit të Mblerëzës – Himarë.

Nga 6 janari deri në më 9 mars ushtria greke ka zgjerime, por ajo humb iniciativën e cila merret sërish nga ushtria italiane e cila kaloi në mësymje të përgjithshme deri më 25 mars, ndonëse nuk përparoi asnjë metër.

Angazhimi i forcave në këtë luftë jepet nga historiografia ushtarake shqiptare e para vitit 1990 në këto raporte:

Trupat greke : 15 divizione me rreth 135 batalione dhe nga trupat italiane 27 divizione me 142 batalione. Gjithësej u përdorën 2500 gryka zjarri artilierie dhe mortaje.

Sipas etapave të sipërpërmendura, grekët përdorën: në linjën Kastoria – Korçë – Elbasan 5 divizione. Në linjën Karasovan – Frashër – Berat 6 divizione dhe në drejtimin Janinë – Gjirokastër – Tepelenë 4 divizione.

Të dhënat e mësipërme japin një ide të përciptë, por deri diku të saktë të asaj që ndodhi në atë periudhë, kur luginat e Vjosës dhe të Osumit, bashkë me rajonin e Korçës, ranë nën kontrollin ushtarak grek. Sa i përket viktimave, libri në fjalë jep këto të dhëna(duke iu referuar luftës në tërësi):

Për palën greke: 13 408 të vrarë dhe 11 000 të ngrirë.

Për palën italiane: 12 755 të vrarë, 12 368 të ngrirë dhe 25 067 të humbur(faqe 330).  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.