Ngushëllime nga PD për "grushtin socialist"

Postuar në 19 Janar, 2018 20:29

Ka një seli, një kryetar si Lulzim Basha, një podium dhe strukturë organizative në gjithë Shqipërinë? U krijua si antipodi i Partisë Socialiste, për të mbrojtur dhe përfaqësuar veç të tjerash edhe interesat e pronarëve apo ish- të përndjekurve politikë.

Sot, pas 27 vitesh, Partia Demokratike është tërësisht jashtë misionit të proklamuar si një forcë e djathtë që beson te shteti i së drejtës dhe ekonomia e tregut. Pa hyrë në historicizma dhe interpretime mbi prejardhjen politike të partisë në fjalë dhe lidershipit, janë aktet e saj që tregojnë se PD nuk përfaqëson interesat e shtresave të djathta, nëse mund të quhen kështu kategoritë që u goditën me shtetëzimin e pronës apo me kriter biografinë politike.

Janë  dy vendime flagrante të qeverisë socialiste dy vitet e fundit që lidhen pikërisht me trajtimin e pronës apo ish-të përndjekurve, të cilat kanë ndeshur me një reagim vanitoz të Partisë Demokratike. Në dhjetor qeveria miratoi dy VKM që rregullojnë formulën e kompesimit të tokës në disfavor të ish-pronarëve.

Sipas kësaj formule, ish-pronarët nuk mund të kompesohen më shumë se 20% të vlerës së truallit të shtetëzuar, në çdo rast jo më shumë se 10 mln lekë, ndërsa pjesa tjetër kompesohet fizikisht në një hark kohor prej 10 vitesh. Një goditje që i shtohet zvarritjes shumëvjeçare me cëcshtjen e pronave, ku jo pak mëkatare kanë qenë edhe qeverite e PD-së.

Vendimi i dytë që u lajmërua me gjysmë zëri nga ministri Ahmetaj dhe që pritet të kthehet në ligj është heqja e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit që kanë vuajtur por që nuk janë gjallë. Në të dyja rastet Partia Demokratike u mjaftua me një “recitim”për shtyp të Jorida Tabakut, ndonëse qeveria socialiste cënoi dy prej shtyllave kryesore të parimeve djathta. E drejta e pronës e sanksionuar në kushtetutë dhe e dhunuar hapur nga qeveria socialiste u kalua me një konferencë limonadë nga një parti që ka thirrur protestë kundër lidhjeve të qeverisë me krimin. Me pak fjalë “grushtit socialist” Partia Demokratike e Sali Berishes dhe Lulzim Bashes i përgjigjet me deklarata bajate ngushëllimi, që mesa duket prodhojnë ende vota në të djathtë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.