Diplomaci publike me historinë. Rusia kujton marrëveshjet e viteve '90 mes Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik

Postuar në 16 Janar, 2018 13:57

Ambasada ruse në Tiranë ka shpërndarë sot një deklaratë të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova, e cila ka komentuar publikimin e disa dokumenteve që provojnë angazhimin e Perëndimit përkundrejt Bashkimit Sovjetik, për moszgjerim të NATO-s në Lindje.

Zaharova i referohet dokumenteve të publikuara nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare në universitetin e “Georgetown” në të cilat pasqyrohet korrespondenca dhe bisedimet e nivelit të lartë mes ish-drejtuesve sovjektikë dhe liderëve perëndimorë.

Ato pasqyrojnë shumë qartë obligimet e Perëndimit për të mos shtyrë NATO-n drejt lindjes. Në kopjet e fjalimeve publike, materialeve të Fondacionit “Gorbaçov”, të kabllogrameve, letrave dhe stenogrameve të bisedave, të cilat janë deklasifikuar zyrtarisht nga Departamenti i Shtetit dhe ministritë e jashtme të vendeve të tjera, flitet qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë tërthorazi për obligimet e liderëve të vendeve kryesore të Perëndimit për të mos zgjeruar Aleancën në drejtim të kufijve të Bashkimit Sovjetik.

Shprehja e famshme e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve James Baker “asnjë inç drejt lindjes”, në kuptimin e moszgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, e përmendur gjatë takimit të tij me Mihail Gorbaçov-in më 9 shkurt 1990, është një nga rastet e shumta të një vale të tërë sigurimesh të vazhdueshme në fillim të viteve ‘90 nga ana e liderëve të vendeve perëndimore që pas bashkimit të Gjermanisë Aleanca do të mbetej brenda kufijve të saj.

Të tilla pohime mund të gjejme edhe në bisedat e asaj periudhe të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë Hans-Dietrich Genscher me kreun e DASH-it James Baker dhe me homologun e tij britanik Douglas Hurd. Kjo çështje është trajtuar edhe gjatë takimeve të Mihail Gorbaçov-it dhe Eduard Shevarnadzes me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, si edhe gjatë bisedave të Vladimir Krjuçkov-it (drejtor i KGB-së) me Zv.Këshilltarin e Presidentit amerikan për sigurinë kombëtare Robert Gates.

Të gjitha këto fakte të shumta të dokumentuara që vërtetojnë ekzistencën e dakordësive të mëparshme shkatërrojnë përpjekjet e partnerëve tanë perëndimorë për të mohuar sot për sot atë që është e dukshme. Materialet e publikuara dëshmojnë qartë për shkeljen e rëndë nga ana e Aleancës të “marrëveshjes xhentelmene” me BRSS-në për respektimin e interesave të tij të sigurisë, si edhe të obligimeve të saj për moszgjerimin e NATO-s drejt lindjes. E vetmja pyetje është a kishte xhentelmenë në mes të kolegëve tanë perëndimorë që bënin “marrëveshje xhentelmenësh”? është shprehur Zaharova.

Komenti i zëdhënëses në fjalë vjen ndërkohë që Maqedonia po përgatitet të hyjë në NATO dhe kur në Ballkan, ka një përpjekje që edhe Serbia të anojë qartë drejt kësaj politike mbrojtjeje. Rusia nuk e ka kursyer ndihmën për Beogradin zyrtar të cilit I kërkohet ruajtja e neutalitetit ushtarak, ndërkohë që kontestimi i tij për zgjerimin e Aleancës ka qenë prezent dhe i vazhdueshëm.

Qëndrimi dhe propozimi rus për një arkitekturë të re të sigurisë europiane dhe mandej akuzat e vazhdueshme për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet politike në disa vende të Europës, aop financimi prej Moskës i partive të ekstremit të djathtë, të gjitha analizohen si përpjekje e ndryshimit të rrjedhës që pasoi rënien e Murit të Berlinit. Zaharova ka theksuar se edhe sipas dokumenteve të publikuara së fundmi, Perëndimi siguroi se në Lindjen Europiane, interesat e Bashkimit Sovjetik do të respektoheshin, të paktën në fushën e sigurisë. Një marrëveshje e ngjashme me atë Stalin –Churchill që sipas Kremlinit nuk është respektuar.

Formalisht Perëndimi gjendet përpara një vakuumi që la rënia e Bashkimit Sovjetik, entitet që nuk ekziston më në rendin ndërkombëtar, çka mund të sugjerojë se edhe “marrëveshja e xhentëllmenëve” nuk qëndron pasi njëra palë ka pushur së ekzistuari. Mjafton të kujtohet se kufiri i djeshëm i BS-së me Europën ishte në ai që sot është kufiri perëndimor ukrainas, për të shpjeguar qoftë përparimin e NATO-s, qoftë edhe shprehjen e presidentit rus, Vladimir Putin, se “rënia e BS-së ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të 20-të”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.