Një spektakël politik i rremë që duhet refuzuar

Postuar në 14 Janar, 2018 17:01

Kryeministri Edi Rama ka preferuar ta shndërrojë 26 vjetorin e FRESSH-it në një ceremoni mburrjeje për qeverinë që drejton.

“Mos harroni se ka së shpejti një betejë për të fituar në gjithë Shqipërinë, përballë gjithë pjesës tjetër të politikës, që janë bashkuar e do bashkohem më shumë, jo për Shqipërinë por për veten, jo për të shkruar historinë por për të penguar drejtësinë të bëjë drejtësi, por për të penguar Shqipërinë të bëhet më e mirë”, tha ndër të tjera ai. Sipas kryeministrit shqiptar edhe ligjërimi i gjuhës shqipe në Maqedoni është meritë e PS-së, që vazhdon t’i dhurojë shoqërisë shqiptarë vetëm fitore dhe të mira.

Nuk ka model më të keq për t’iu drejtuar të rinjve sesa duke u mburrur për arritjet dhe duke refuzuar të flasësh për problemet.

Z. Rama bën sikur nuk e di se vendi që ai drejton, I konsideruar si një ndër nga ato me popullsinë më të re në moshë, është prekur nga një valë ikjeje që vazhdon prej 3-4 vjetësh. Dhe ikja në çdo rrethanë, sidomos kur është për arsye ekonomike, është një mesazh për vendin tënd dhe projektin politik të zhvillimit.
Në Shqipëri ka shumë specialistë dhe akrobatë të avokatisë politike, një prej të cilëve është edhe zotëria që kryen detyrën e kryeministrit. Por liria e pacak për të folur në këtë mënyrë, buron patjetër nga rrënimi I çdo kodi moral dhe etik, nga çlirimi arbitrar prej çdo përgjegjësie. Nga një komunikim ku ai që flet dhe ka mikrofonin bën ushtrime autoritarizmi përkundrejt një turme që duartroket.

Z. Rama e ka kultivuar mirë aftësinë e suksesit të tij skenik. Dhe për këtë ndihmohet nga bujaria dhe vetëviktimizimi i një pjese që në vend se të refuzojë recetat e një suksesi të paqenë, mbush sallat dhe plotëson ngjyrat e takimeve ku thuhen vetëm të pavërteta. Takime me studentë të ekselencës, tani me FRESSH-in, e ca më tej me nëpunës të rinj që u kërkohet iniciativa, e mira dhe suksesi, kalon vetëm aty ku kryeministri i zë pusi vëmendjes publike me mediat e veta.

Ka një teknikë propagandistike shumë cinike që është vënë në veprim e që ndihet nga mosqenia e një opozite reale. Ngatërrohet qëllimisht suksesi i izoluar me optimizmin, shkëlqimi i ndonjë arritjeje personale me modelin e një zhvillimi që po jep frute. Këtu do të kërkuar këmbëgulja për të luajtur me foto në rrjetet sociale, për të folur vetëm për aspektin pozitiv dhe për të mos tematizuar problemet, të cilat edhe kur trajtohen, trajtohen qëllimisht larg dhe jashtë debatit publik. Pasi njësoj si me kanabisin, zgjidhja duhet të jetë ekskluzivitet i kryeministrit dhe qeverisë, për t’ia lënë problemin mediave.

Këto shfaqje si kjo me FRESSH-in aplelojnë për një tjetër mënyrë raportimi, për nevojën e një filtrimi në mënyrë që kjo gënjeshtër e përditshme të mos na hyjë një ditë të bukur edhe në shtëpitë tona, në mendjet dhe shqisat e fëmijëve të cilëve u ofrohet një spektakël i rremë të cilin e shohim të gjithë përditë, përmbi atë realitet që në fakt edhe po dëbon njerëzit nga vendi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.