Një avokati e panevojshme dhe e tepërt për Saimir Tahirin

Postuar në 05 Janar, 2018 10:40

“Gazeta Shqiptare” publikon sot një intervistë me akademikun Rexhep Qosja në të cilën ai flet edhe për çështjen e Sajmir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm.

 Thotë ndër të tjera Qosja: 

Saimir Tahiri! Nuk jam prokuror publik; nuk jam as gjykatës. Saimir Tahiri, them, mund të jetë fajtor për çka akuzohet e mund të jetë i pafajshëm.
Unë respektoj një paragraf juridik pamatshëm të rëndësishëm për drejtësinë dhe për demokracinë dhe ky është paragrafi në Kushtetutën e SHBA-së në të cilin thuhet: çdo kush është i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij.
Saimir Tahirit, një njeriu politik inteligjent, të aftë, ndoshta më pak vigjilent se çdo të duhej në detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme, qe sa muaj, ndoshta gati qe një vit, po i shkelen egër, egër të drejtat e njeriut duke u shkelur njëkohësisht prej akuzuesve të tij ligje e Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Rasti i Saimir Tahirit është rast, i shpikur a i ndodhur ende nuk dihet, me të cilin asnjë minutë nuk do të duhej të merrej njeriu politik, prijësi partiak a bashkëpunëtori i prijësit partiak…”. 

Kjo është një deklaratë partizane që kalon edhe fjalimin patetik të kryeministrit Edi Rama kur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së vendosi t’ia paketonte ministrin drejtësisë penale. Asokohe Rama tha se “unë nuk e di…” nëse këto për të cilat akuzohet Tahiri janë të vërteta, duke i hapur rrugë një hetimi të cilin vetë z. Rama e konsideroi jokushtetues nisur nga kërkesa e prokurorisë. 


Në këtë kuptim, qëndrimi i z. Qosja është ai i dikujt që shpallet gardian i projektit politik të së majtës në Shqipëri, që e argumenton në këtë rast pas dispozitave kushtetuese.

A po i bëhet një proces i padrejtë z. Tahiri? Kjo është shumë e diskutueshme, sidomos kur sheh se ish-ministri nuk ka folur më përveçse ka kërcënuar me frazën “nuk keni parë gjë akoma”.
Nga ana tjetër, kujtojmë se fjalën “Burg” e përmendi për herë të parë vetë z. Tahiri, ende pa u formuluar një akuzë direkte ndaj tij por kur kishte vetëm një kërkesë për mandatin dhe kontrollin e banesës. Ligji dhe procedura janë mjete komode për mendjet që dinë të lundrojnë në hapësirat boshe që krijohen gjithmonë. Kjo nuk e bën aksionin politik të PD-së dhe LSI-së të pranueshëm, por kërkesa për një proces të drejtë për ish-ministrin është sot interes publik, por që nuk mund të ketë epërsi ndaj një kërkese tjetër: Zbardhjes të së vërtetës. Dhe këtë nuk e zgjidh dot asnjë procedurë kur vullneti politik është i kundërt me të. 

Është po ashtu neglizhencë fajësuese të mos kujtosh se z. Tahiri ka qenë ndër ata funksionarë që kanë folur publikisht për gjykatës kriminelë dhe killer, diçka e papranueshme në një sistem si ky që mendojmë se jetojmë. 
Do të ketë kohë për ta përkëdhelur Saimir Tahirin, këtë “njeri politik inteligjent”, do të ketë padyshim edhe gazetarë që do botojnë libër për të kënaqur etjen për të vërtetën e kësaj çështjeje, sikundër do ketë valëvitës të dosjes së tij. Por kjo avokati publike për një ish-ministër që asociohet me kanabisin dhe që ka bërë gabime të pafalshme, është e tepërt. Nuk është faji i drejtësisë dhe as shoqërisë pse e ashtuquajtura e majtë, në botën shqiptare i bashkëlidhet tej e tej një historie kriminalizimi dhe pse jo, edhe krimesh, që dëshmojnë për një konstitucion mendor e moral që nuk ka prezumim ta amnistojë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.