Qesharake/Zbulohet arsyeja e prishjes mes Edi Ramës dhe Baton Haxhiut

Postuar në 04 Janar, 2018 22:26

Pak ditë më parë doli lajmi se Anonymous Albania ka hakeruar e-mailin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Dikush mund të presë me padurim ndonjë xhevahir sekret nga e-maili, ndërkohë që ata që e njohin Ramën e dinë shumë mirë se ai mbledhjet e rrethit të ngushtë i bën larg, e-mailit, në WhatsApp.

Por një lajm aty ka dalë. Redaksisë së “Të Kripura” i ka rënë në vesh se mes e-maileve është edhe një debat mes gazetarit Baton Haxhiu dhe Edi Ramës. Haxhiu I sugjeron Ramës që të bëjë diçka ekstravagante, një lodër imazhi nga ato të vetat. Haxhiu nuk është keq me fantazinë: ai i sugjeron Ramës që të shkojë në mbledhje qeverie me kapele republike, të veshë në rrugë një xhaketë me kuadrata kombinuar me tuta kaush dhe me lidhësen e gjatë përpara. I kapur ndoshta në fajin e të qenit shumë i vakët, Haxhiu i rekomandon z. Rama të zgjasë flokët, të ndryshojë modelin e qethjes dhe më e papritura të lërë mustaqe e të rruhet taze.

“Bëhu lajm o njeri”, thuhet se këshillon pi-aristi i kryeministrit për çështjet e menaxhimit të zhurmnajës shqiptare.

Halli i Haxhiut është në fakt çështje strategjie: Veshja e ngacmon kureshtjen e shqiptarit që si individ pa jetë private, apo pa fantazi në jetën private, dëshmon një uri hiperkonsumatore për çikërrimat “private” të kryeministrit. Që këtej, pasi mediat zhurmojnë për karagjozllëkun e radhës, Haxhiu i gjen punë vetes dhe e tematizon sipas rastit, poturen, atletet, këmishën, apo edhe corapet si çështje të një mesazhi polisemik që lidhet me Integrimin.

Ka dyshime serioze se Haxhiu me propozimin për mustaqet e Ramës, na njofton për një axhendë nacionaliste përpos të tjerave, sidomos tani që edhe Vetëvendosja mori peropinë. Ca mustaqe janë, mustaqe që i japin peshë fjalës, por edhe statusit në Facebook.

Anonymous nuk ka pranuar të zbardhë më tej sesa kaq, por fakt është se mustaqet janë një gjetje sfiduese. Çfarë mund të bëjë Basha dhe Lali Eri përpara suprizës së mustaqeve?! Po Tahiri do ketë më bythë të thotë “s’keni parë gjë akoma?” Lëre pastaj atë surprizën me faqe të kuqe kur Mogherini të takojë azganin e Ballkanit.

Kjo është njëra anë. Ka dyshime ndërkohë se debati i vërtetë mes të dyve nuk ka qenë lënia apo jo e mustaqeve, se siç e dimë, Ramës aq i bën, nuk i rruhet dhe ja u kry.

Puna është se Haxhiu, një profesionist i vërtetë, i ka kërkuar kryeministrit që të nisë e ta ndryshojë pak emrin e vet. Ta bëjë Edo. Pra jo Edi. Se Edi me mustaqe në Shqipëri nuk ngjit. Edo, ngjan si Lac, si biçim që s’ta ha qeni shkopin. Kjo ka qenë tepër sidomos kur edhe profile në Facebook do të ndryshonte në Edo Rama. Kjo ka krijuar një gjendje Stand By. Por nuk përjashtohet që Edi ta kthejë në Edo dhe ca mustaqe vesh më vesh. Një arsye e shëndoshë është edhe se Narkoshteti i Edi Ramës, do dojë nja dy vjet të tjera të bëhet Narkobanda e Edos. Pra ka edhe arsye taktike të mirëfillta. Haxhiut i ka mbetur qejfi nga heshtja e z. Rama për këto këshilla që nuk kanë të paguar dhe që do hiqnin monopole estetike në politikë, apo edhe do të davarisnin klishe të mërzitshme siç janë politikanë të rruajtur taze, apo që vishen serioz.

Raportoi: Shaptilografisti 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.