Mesazhi i Merkel: Të ruajmë unitetin e Europës

Postuar në 31 Dhjetor, 2017 11:38

Nën hijen e  krizës politike që ka ndarë më dysh Gjermaninë, mesazhi i kancelares Angela Merkel është përqëndruar në çështjet që lidhen me kohezionin e Bashkimit Evropian.

"E ardhmja e Gjermanisë është e ndërthurur me të ardhmen e Europës. Të 27 shtetet në Europë do të duhet të punojnë më shumë se kushdo tjetër për të ruajtur unitetin e komunitetit tonë. Kjo do të jetë një çështje vendimtare në vitet e ardhshme"-thuhet në deklaratën e Merkel, përmbajtja e së cilës u përcoll në shtyp nga zyra e shtypit e Kancelarisë. Kancelarja gjermane thekson se çështja ka të bëjë me aftësinë e evropianëve për të ruajtur parimet e tyre, si brenda Unionit dhe jashtë, si dhe nevojën për të marrë masa të cilat do të kontribuojnë në suksesin ekonomik të Evropës dhe rritjen  e sigurisë për qytetarët.

Sipas kancelares gjermane, Berlini, në bashkëpunim me Parisin, dëshiron të bëjnë përpjekje për të arritur këto qëllime dhe ta bëjë Europën "të përshtatshme për të ardhmen". Në mesazhin e fundvitit  kancelarja përshkruan si prioritetet kryesore për vitin 2018, rritjen e investimeve për sigurinë dhe mbrojtjen, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore dhe kapërcimin e hendekut mes zonave urbane dhe rurale. "Ne duhet të ndërtojmë kushtet që Gjermania të vazhdojë të lulëzojë për 10, 15 vjet. Dhe Gjermania do të përparojë vetëm kur suksesi i saj t'u shërbejë të gjithë njerëzve, të përmirësojë dhe pasurojë jetën e tyre"-shprehet Merkel.

Kancelarja thekson në mesazh se gjermanët janë të shqetësuar si kurrë më parë për kohezionin social të vendit, shumë prej tyre lavdërojnë diversitetin dhe shoqërinë e hapur gjermane, ndërsa të tjerët kanë frikën e  rritjes së krimit dhe dhunës, ankohen për mungesën e mjekëve në zonat rurale dhe shqetësohen për menaxhimin e flukseve migratore. "Të dy palët janë realitete në vendin tonë: suksesi dhe optimizmi, por edhe frika dhe dyshimet”-shtoi Merkel.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.