Qeveria zgjidh punë vetëm po i zure derën

Postuar në 28 Dhjetor, 2017 12:23

U desh rrugëtimi me këmbë nga Patosi në Tiranë qe naftëtarët e rafinerisë së Ballshit të merrnin zgjidhje për pagat e prapambetura të muajit nëntor. Thuajse i njëjti film si me banorët e Zharrzës që themeluar të parët këtë lloj proteste, duke detyruar ministrin e linjës të ulet në bisedime.

Përse duhet që bisedimet të kryhen në Tiranë dhe pasi naftëtarët zënë derën e ministrit, kësaj pyetje vetëm qeveria mund t'i japë përgjigje. Gjithsesi  pas takimit me ministrin Gjiknuri është rënë dakord që naftëtarët do të marrin 100% të pagës së tyre për muajin nëntor.

Kjo ishte një nga kërkesat  e tyre që në fillim të kësaj proteste. Sipas ministrisë administratori i firmës do të marrë kredi për të shlyer borxhin që ka për të gjithë naftëtarët. Ndërkohë, në protestë ka shkuar edhe deputeti i Mallakastrës, Ismet Beqiri për të qetësuar disi situatën, por protestuesit nuk e kanë pritur aspak mirë prezencën e tij, madje pati edhe nga ata që tentoi ta shtynte fizikisht.

Uzina e ARMO-S në Fier ndali punën në mënyrë përfundimtare dhe 200 punonjës të saj u transferuan në rafinerinë e Ballshit, por prej disa javësh edhe rafineria e Ballshit nuk funksionon.

Përmes një deklarate për shtyp, kompania IRTC Oil që ka marrë me qira rafinerinë shprehet se puna në uzinë është ndalur pasi kompania që prodhon naftën në Shqipëri nuk e furnizon atë me lëndë të parë për ta përpunuar, por e eksporton jashtë.

Menaxhuesi i ARMO-s thotë se gjatë këtij viti rafineria është fikur 10 herë dhe se ka ankimuar çështjen pranë autoriteteve përgjegjëse për të marrë dëmshpërblimin e situatës ku ndodhet ajo dhe punonjësit. Por sipas Bankers, kompania IRTC ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të saj të pagesave financiare, dhe kjo është arsyeja e vetme për mosfurnizimin me naftë të papërpunuar për kompaninë që operon në rafinerinë e Ballshit. Sipas Bankers, nëse kompania IRTC vazhdon me këtë situatë, mund të çojë në mbylljen e rafinerisë së Ballshit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.