Lisi i Galerisë së Arteve dhe miqtë e Amerikës në Tiranë

Postuar në 27 Dhjetor, 2017 17:37

E mbani mend këtë pemë?

Shpresoj që po. Sepse njeriu duhet të kujtojë edhe pemët, ato që kanë një kuptim dhe kanë një vend në gjeometrinë rutinore të përditmërisë sonë. Duhet t’i kujtojë edhe si emblema të një qyteti që e përthith jetën tonë që ikën pa kuptuar.

Ky është lisi i ndjerë i Galerisë së Arteve.  I dashuri lis mbushi këtë vit 5 vjet nga ekzekutimi me vdekje që iu bë në një natë korriku apo qershori të vitit 2012.

Mos u çudisni por ky lis që shihni këtu, e i cili "ka parë" shumë prej fytyrave tona të ulen poshtë tij, u sakrifikua në emër të miqësisë me SHBA-në. Atë miqësi që po duan të privatizojnë një kategori njerëzish që janë të gatshëm dhe të aftë ta la-përd(h)orin për nevoja të ekzistencës politike e jo vetëm.

Lisi ka një histori të trishtë, mizore pothuajse, ahumane të një vrasjeje të fshehtë. Larg syve të qytetarëve. Një vrasje pa ceremoni mortore. Lisit iu bë pusi nga Bashkia e Lulzim Bashës.

Siç u tha, në atë kohë do të bëhej festa e Pavarësisë së SHBA dhe disa punonjës të ambasadës ku drejtonte Aleksander Arvisu, thanë se lisi ishte i pasigurtë. Kaq mjaftoi që vendimi për vrasje të merrej sa hap e mbyll sytë. Pas ankesave në media, gazeta zyrtare e PD-së, që po rrriste ato kohë kanakarin Lulzim Basha për të marrë drejtimin, do të publikonte një vendim të Drejtorisë së Parqeve dhe Rekreacionit sipas të cilit lisit i bëhej autopsia dhe epikriza e një kalbëzimi që ishte rrezik për qytetarët. Ndaj edhe vendimi i prerjes.

Ne e dimë të gjithë sa cinike është ekspertiza mjeko-ligjore. Sa kollaj ajo e interpreton shkakun e vdekjes në vende si ky yni.

Vjen ky lajm në mendje dhe kjo histori e trishtë e Tiranës, të cilës Lulzim Basha i ka kushtuar të paktën një pemë simbolike, kur lexon se thuajse e njëjta gjë do të bëhet në Shtëpinë e Bardhë në SHBA.

http://www.presstv.com/Detail/2017/12/27/546920/Melania-Trump-Jackson-Ma...

Zonja e Parë, Melania Trump, ka kërkuar që një pemë e mbjellë në vitin 1828 nga ish-presidenti Andrew Jackson, për nder të gruas së tij, të pritet sepse përbën rrezik.

Por një pemë me pasaportë amerikane ka më shumë të drejta sesa një pemë që ka fatin të ndeshet gjatë jetës së saj me fytyra si ajo e Lulzim Bashës. Kështu siç raporton CNN, për prerjen e kësaj peme janë shprehur ekspertët. Por jo postum, por përpara se të ekzekutohet vendimi.

Sigurisht që të kërkosh përgjegjësi për akte të tilla në Shqipëri ngjan luks. Por në mos për aspektin brutal të sjelljes, të paktën është ai filoamerikanizmi nallban që na zbulohet këtu cullak e për të na bërë të kuptojmë sesa larg duhet qëndruar nga zhurmnaja tifozerike e Tiranës politike. Ai filoamerikanizëm që patjetër që neverit edhe ata zyrtarë që mund ta kenë dëgjuar këtë minilojën politike të Shqipërisë. Sepse në fund të fundit nuk ngjan se po arrijnë ndonjë gjë të madhe. E kujtoni besoj lajmin se vizita e Clinton në Tiranë u bë për të plotësuar një axhendë, edhe pse këtu shitet si gjeopolitikë, apo si investim për stabilitet. E me siguri, kur Donald Trump të lexojë letrën e z. Meta, do t’i kujtohet duke qeshur ajo harta e botës që u publikua në internet e që e ndante botën sipas vizionit të padijes absolute të Donaldit.

Ku i binte Shqipëria në atë hartë dhe nën cilën etiketë përfshhej?

Ja, ndihmoni veten! 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.