Na e thuaj më mirë vetë pse ike nga TCH(nëse ike)

Postuar në 26 Dhjetor, 2017 10:56

Ja një shembull i fundit që fatkeqësisht i jep deri diku të drejtë kryeministrit të vazhdojë këngën e kazanit për mediat. 

Prej disa ditësh në disa faqe online, po ndiqet me hollësi fati profesional i Sokol Ballës. Drejtues prej vitesh i informacionit në Top-Channel, por edhe i emisionit Top-Story. Thuhet se Balla do të lëvizë nga televizioni në fjalë, se ai po negocion me një tjetër televizion. Për ta mbështetur këtë tezë shtihen në punë…Burimet. Mirëpo nga janë këto burime? 

E themi këtë jo për të nënvlerësuar Ballën dhe peshën e tij, pasi këto janë të njohura dhe me kohëzgjatje jo të vogël. 

Por për të vënë në dukje se këtu çështja është te standardi i raportimit të një “lajmi” që ka të gjitha kushtet teorike për të qenë i zbardhur për të gjithë.  Balla është gazetar dhe ai e di shumë mirë sesi orientohet kurioziteti në këtë rast. Këtë e dinë edhe kronikanët e lëvizjes së tij, të cilët patjetër që mund ta pyesin, me mikrofon, me diktofon, me telefon për adresën e re të punësimit. 

Ku është sensi i raportimit me burime në këtë rast?

Një tjetër aspekt i kësaj miniçështjeje që tradhëton keq standardet e të ashtuquajturës gazetari në Shqipëri, është edhe mbajtja e mbuluar e arsyeve të ikjes së Sokol Ballës nga drejtimi i Top-Channel. 
Kompania në fjalë është treguar më e ndershme, ajo njoftoi në faqen online për largimin e tij nga pozicioni i drejtorit. Vetë z. Balla nuk ka bërë asnjë sqarim dhe as ka dhënë arsye pse është larguar. Zotëra është person publik, ai mëton prej vitesh se përcjell të vërtetën, ndaj një përgjegjësi publike e ka patjetër. 

Dhe këtë përgjegjësi e kanë edhe mediat- të gjitha bashkë ato që raportojnë për këtë çështje – që të zbardhin arsyet e ikjes, apo shkarkimit. 

Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Konspiracioni vazhdon me lajme nga dreka dhe darka, me burime që kanë shumë vrima nga fryjnë lajme e të tjera si këto. Është kjo përgjegjësi që do ta kërkonte një deklaratë publike. Pasi pas kësaj do të kuptonin të gjithë nëse kemi të bëjmë me heqjen e një drejtuesi për arsye ekonomiko-financiare të kompanisë, për xhelozi drejtuesish, për linjë editoriale të personalizuar, për qoka pushteti, apo thjesht për konsum marrëdhënieje. 

Që këtej serioziteti i medias dhe gazetarit do të kishin tjetër peshë dhe ato etiketat e bujshme dhe autosugjestionuese të tipit “lajmi më parë kalon nga Kashari”, apo top këtu e top atje, mund të ishin më modeste në kuptimin që suksesi i padiskutueshëm i kësaj kompanie që është aset për shoqërinë shqiptare të ecte dora dorës me transparencën për të cilën po na bie bretku të gjithëve si komb qysh kur vumë këmbën dhe mendjen në demokraci.

Comments

Submitted by Luli (not verified) on

A ia vlen per nje medioker te tille?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.