Një etapë e re në raportet greko-shqiptare

Postuar në 24 Dhjetor, 2017 19:55

Dekreti i sotshëm i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për dhënien e nënshtetësisë për Kryepeshkopin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë mund të lexohet qoftë si nisje një etape të re në raportet greko- shqiptare, ashtu edhe si mbyllje e një etape të vjetër. Ky dekret nuk është thjesht një çështje e brendshme e Shqipërisë.

Emri dhe personi i Janullatos nuk mund të ndahet nga Greqia dhe kombësia e tij, pasi në një pjesë të madhe të opinionit shqiptar, këto dy elementë janë standardi i gjykimit për kryepeshkopin. Dhe ka arsye të besohet se refuzimi për 25 vjet i dhënës së nënshtetësisë, lidhet pikërisht me këto dy aspekte të identitetit të tij.

Por Janullatos i përket edhe historisë së Shqipërisë, ndonëse në sytë e shumë shqiptarëve kombësia e tij mplekset përherë me misionin dhe rolin në krye të KOASh për të ngjizur një paragjykim dhe dyshim të vazhdueshëm.

Nënshtetësia shqiptare për Janualltos i jep fund pra një keqkuptimi dhe dyshimi që mund të ishte i natyrshëm në fillim të viteve ’90, por që sa erdhi dhe u transformua në një atavizëm që cenonte edhe dinjitetin e komunitetit  të shqiptarëve ortodoksë.  

Dekreti I Presidentit ndihmon në këtë drejtim; e bën më të natyrshëm edhe çështjen e kalimit të drejtimit të KOASH nga Janullatos drejt një kleriku tjetër, me kombësi shqiptare.

Nëse do ta shohim në kontekst, me këtë të sotmen, njësoj si me pranimin nga pala greke për heqjen e ligjit të luftës, sipas pikëpamjes shqiptare për këtë çështje, merr fund përfundimisht një klimë e trashëguar nga Lufta e Ftohtë.

Letra e presidentit Meta nënvizonte kontributin e Janullatos në ngritjen e KOASH, i cili duhet njohur si I tillë pa u pleksur me malinjitetin e retorikës nacionaliste. Është një vepër që shteti shqiptar do të bënte një gabim të mos e konsideronte ashtu siç është.

Është herët për të thënë se çfarë ofron perspektikava e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë. Por fakt është se ky vit ka qenë ndër më të rëndësishmit pas vitit 1996 kur u nënshkrua Traktati i Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë, me disa arritje të pamohueshme për palën shqiptare që ulet në tavolinë me një paketë çështjesh për të cilat negocion pa drojen e mëparëshme.

Me dyshimin se në këto negociata ngërthehen edhe llogari elektorale, politike, apo edhe personale, do të duhet të pranojmë se Shqipëria gjithsesi po i afrohet një zgjidhjeje afatgjatë të problemeve që barten në raportet më komplekse që ajo ka me fqinjët.

Jemi në një moment që sugjeron se një tjetër perspektivë afron për vendin tonë, se disa ekulibra kanë ndryshuar, të paktën aq sa të vënë në lëvizje një vullnet që dëshiron të mbyllë probleme që nuk mund të liheshin më pezull.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.