“Grosistët” e zullumit politik

Postuar në 20 Dhjetor, 2017 13:38
Prof. As. Dr. Artan Xh. Duka

Drejtësi pa “skadencë”

Rrokada në prokurori u bë dhe kësaj rradhe ia vlen si lajm sepse dorëzanës për reformën në drejtësi janë SHBA e BE. Keq që u katandisëm deri në këtë pikë, por ja që 30 vjet “qerrja” na mbeti në baltë dhe “zia” për Kushtetutë e sovranitet nuk u shkon atyre që tre dekada me rradhe e patën shansin t’a respektonin por abuzuan me të. Shumë shpejt të “mëdhenjtë” do dalin nga “moda” dhe qytetarët e nëpërkëmbur nga abuzimi politik do të mund të kërkojnë drejtësi për padrejtësinë.

Rama e qeveria e tij ndërkohë, bëjnë mirë të kenë gati  e të postojnë sa më shpejt “mullarin” e dosjeve të abuzimit politik. Ua ndjen apo jo si qytetarë, kanë apo jo merakun se mos i hapin gropën vetes, nuk ka më rëndësi se tashmë u ka dalë duarsh edhe atyre vetë. E kanë detyrim, premtim të hershëm elektoral, për mbajtjen e të cilit, me të drejtë apo pa të drejtë, edhe janë lakuar plot. Dhe nëse e kanë bërë baltë vetë, të paktën do të përmënden për pak burrëri.  

Paniku që ka zënë një pjesë të klasës politike e sidomos oborrin e PD e LSI që në parlament e jashtë tij e humbi toruan dhe degradoi në dëshpërim grotesk gjatë votimit të kryeprokurores, është një ogur i mirë që më në fund ligji do të jetë shpejt njësoj për të gjithë, bile pa datë “skadence” sepse ka garanci pafund nga SHBA e BE.

Drejtësia e “verbër” është emergjencë kombëtare sepse për një takëm politikanësh që bërtasin më shumë sot, abuzimi me pushtetin pas viteve 90, nuk ka qënë përjashtim por rutinë, bile pritshmëri për ta dhe tufën rrotull dhe efekti ka qënë katastrofik nga degradimi ekonomik, anarkia me pronën që bllokoi investimet dhe cënoi kohezionin social, sabotimi i integrimit europian etj. Mbi të gjitha vrau besimin tek ligji dhe bashkë me të edhe shpresën tek e ardhmja dhe opsionet ishin ose emigrimi pakthim ose mbijetesa stresuese në dinjitet apo “përqafimi” i antivlerave për të bërë përpara në jetë!

E nuk bëhet fjalë për episode aty-këtu abuzimi (që njerëz jemi edhe i harrojmë) por për “grosista” abuzimi që as nuk të lënë t’i harrosh ato teksa të trimëruar nga tredhja e drejtësisë në dekada, bëjnë karshillëk në publik dhe të fanepsen në çdo ekran!

Kushtetuta si streha e fundit e zullumqarëve

Me ligjin të “shenjtë” e të njëjtë për të gjithë, do të rrëzohen plot “idhuj” deri më tani të paprekshëm të tranzicionit në politikë. Nuk do ketë më mite dhe kjo do të çlirojë shoqërinë nga reminishencat tribale, ndryshe besnikëria e verbër ndaj individit të “fortë” (kur ndonse i jep detin Greqisë sërisht ka 30% elektorat!) duke kontribuar në emancipimin demokratik të qytetarit, çlirimin prej komplekseve dhe racionalitetin në votën që hedh. Me ligjin që nuk të bën “burrë”, politika nuk do të jetë më si dikur.

Për rrjedhojë, reforma në drejtësi do të shërbejë si katalizator për mbarë reformimin demokratik në vënd ku në paralel me Gjenezën, i “pari” është ligji dhe “krijuesi” është SHBA. Pa një shtet ligjor, edhe nëse na hapen dyert e BE, sërisht do jemi “jashtë” saj sikurse me një të tillë, edhe pa qënë në BE, ndjehesh brënda saj. 

Kur ligji të ulet këmbëkryq në këtë vënd, jo 3000 sa u deklarua në media por as 30 nuk do qasen tek parlamenti të protestojnë kundër avancimit të reformës në drejtësi dhe për rrjedhojë mbrojtjen e korrupsionit elitar. Protesta për t’i dalë krah atyre që janë sinonim i Piramidave, Gërdecit, 21 janarit, tentativës për t’i falur det Greqisë etj bëma antikombëtare, është kundër interesit dhe dinjitetit kombëtar dhe historia do e etiketojë si turp kombëtar. Dhe nuk ka “cuca” opozitare (që nuk duhet t’i gënjejë mëndja që përfaqësojnë dinjitetin e gruas shqiptare teksa bëjnë xheloz me agresivitetin e tyre edhe jeniçerët e PD) që të bëjnë që bota ta shohë me sy tjetër atë. 

 Ndonse e dinë që e kanë betejën të humbur, agresiviteti i pashoq i PD e LSI brënda e jashtë parlamentit, bojkoti i votimit etj e ka një qëllim. Të krijojnë alibinë se prokuroria është e kapur dhe politike (ndonse e para e saj nuk vjen nga kontigjent i thekur socialist) dhe si e tillë, të zhvlerësojnë akuzat e saj në të ardhmen ndaj abuzimit elitar të pushtetit të tyre të djeshëm duke i etiketuar ato si thjesht të pritshme, politike dhe që kërkojnë të asgjësojnë frymën opozitare në vënd!

Kështu do gënjejnë veten se do ia hedhin paq e mbase do kandisin militantët pas! Si struci me kokën në dhe, ata do krijojnë realitetin e tyre paralel duke harruar se për fat të keq të tyrin e të mirin tonë si shoqëri, drejtësia kësaj rradhe ka vulën e SHBA e BE, standartet e të cilëve i kemi pranuar si referencë për të ardhmen të gjithë pa përjashtim.

Pavarësisht entuziazmit e pritshmërive të reformës në drejtësi, paradoksalisht është i llojit “gëzohu o i hidhëruar”. Dëmi i “grosistëve” të abuzimit dhe litarët pafund përjashta të tyre morën në qafë breza të tërë dhe në mos i pakthyeshëm, do ndjehet për vite me rradhë. Asnjë drejtësi nuk do të bëjë realisht drejtësi ndaj zullumit që na ra në derë. Por më mirë vonë se kurrë dhe nëse e kaluara nuk ndreqet më, të paktën të mos e kemi më nëpër këmbë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.