Negociatat e Shqipërisë, Hahn del bosh nga takimi me Kotzias

Postuar në 16 Dhjetor, 2017 22:20

Pas takimit me Komisionerin e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Johannes Hahn të shtunën në Athinë, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias tha se diskutimi ishte i gjerë lidhur me perspektivat e zgjerimit të BE, duke nënvizuar se për çdo zgjerim duhet të jenë përmbushur kushtet e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së.

I ftuar të komentojë mbi tweet-in shumë pozitiv të Hahn  lidhur me rolin kyç të Greqisë në çështjen e zgjerimit të BE-së me vendet fqinje,  ministri i Jashtëm grek tha se  Komisioneri i Zgjerimit "vërteton edhe një herë se Athina ka një rol kyç për të luajtur”.

Kotzias mbajti dhe një konferencë për shtyp ku foli  konkretisht për aderimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE, çështje që dominoi edhe diskutimet me komisionerin Hahn.

Takimi i ardhshëm i Kotzias-Bushati në janar në Korçë

Për Shqipërinë Kotzias iu referua kryesisht diskutimeve në  takimin tre-ditor që pati në Kretë me homologun Ditmir Bushati. Ai tha se diskutimet do të vijojnë në 20 Janar Korçë, duke u shprehur shprehur optimist se ky takim do të përmbyllë temat e lënëa të hapura, në mënyrë që ato të mos bëhen pengesë për fillimin e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Ne duam që të dyja palët të zgjidhin problemet që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë ose të konkretizojmë marrëveshje të së kaluarës me kërkesat e sotme. Në përgjithësi ne mendojmë që gjithë ky proces të përmbyllet me një Traktat Miqësie mes Greqisë dhe Shqipërisë ose me rinovimin e Traktatit të Miqësisë të vitit 1996, pasi ka përgatitje të mirë dhe vullnet nga të dyja anët. Shpresoj që slogani se historia nuk duhet të jetë burgu ynë, por shkolla jonë të provohet në praktikë. Gjykimi ynë është se ne duam të zgjidhim problemet dhe në qoftë se i zgjidhim do të  jemi mbështetës të fuqishëm të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk na ndajnë probleme të një shkallë të tillë që nuk mund t’i zgjidhim"- deklaroi Kotzias.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.