Avaz i 27-vjetëve

Postuar në 13 Dhjetor, 2017 22:29

Dy ditët e fundit, dikush ka shtyrë ujërat për të riktyer në vëmendje çështjen “Tahiri”. Pak të dhëna të reja nga sms e bashkëshortes së ish-ministrit të Brendshëm, një skup i shfryrë dhe I mbingarkuar me fjalë nga Top-Channel, dhe Tahiri është sërish në qendër të lajmit politik.

Por duket se në hapësirën kohore mes shpërthimit të çështjes dhe fundit të padukshëm të saj, lajmi që do ketë më shumë tirazh apo klikime do të jetë arrestimi eventual i Tahirit. Lajmet me procedurë nuk ngjisin dhe e bezdisin vëmendjen e një publiku që e konsumoi spektaklin me një ish-ministër që me gjasë e ka të djegur karrierën e vet.

Ajo që kërkon hetim gazetaresk dhe duhet shtruar me kujdes është paaftësia e të gjithë aktorëve në lojë, disa herë e qëllimshme dhe e organizuar, dhe disa herë për shkak të rutinës dhe padijes, për ta shtruar çështjen Tahiri në vijimësi në standardin e një skandali që kërkon përgjeëgjësi politike.

Po shohim të kundërtën dhe po dëshmojmë se çështja në fjalë po reduktohet te përgjegjësitë penale të një ish-ministri, I cili nëse do të huazojmë fjalën e preferuar të kryeministri Edi Rama, është “korruptuar nga sistemi”. Madje është pikërisht ky parim që kërkon korrigjime që shkojnë përtej leximit të dëshmisë së penalitetit të z. Tahiri, apo të larjes së duarve me një përjashtim nga detyrat politike e partiake.

Z. Rama ka siguruar heshtjen ndërkombëtare në këtë drejtim. Një heshtje që po kërkon të na bindë se kanabizmi ishte pasojë e një ministri që duhet të hetohet e deri në vendimin e drejtësisë është i pafajshëm. Ky lloj izolimi, i pasuruar me gjithfarë kleçkash kriminalistike dhe hetimore po zë në kurth median, një pjesë të saj që është e interesuar të zbardhë të vërtetën, një pjesë tjetër që bën lojën e vet dhe po gëlltit edhe opozitën që e dëshiron çështjen si levë pazari. E në këtë kuadër fajësia zbret poshtë, ajo administrohet si (pa)drejtësi penale që anashkalon përgjegjësitë politike dhe standardin demokratik.

Por heshtja e qëllimtë ndërkombëtare nuk mund të na gënjejë me një standard që vjen nga vendet e BE-së në kësi rastesh e që është patjetër zgjedhje të reja, apo më së paku një qëndrim I qartë politik dhe llogarikërkues në nivelin më të lartë. Drejtësia ka një rol, politika e ka detyrim pastrimin dhe distancimin, marrjen e përgjegjësive.

Dhe nuk mund të në gënjejë në asnjë rast duke u nisur nga metri shqiptar i aplikuar për 27 vite. Gërdeci, ishte rasti më i qartë i një sjelljeje politike të dyanshme pazari ngritur mbi një fatkeqësi që sot është një rudiment akuzator i ndonjë seance histerike në parlament. Nëse do të aplikojmë standardin e sotshëm të ndjekur nga PS-ja për Tahirin, përgjegjës nuk do të ishte as Fatmir Mediu, por me gjasë përgjegjësi i punëtorëve. Nuk kishte pse të akuzohej Sali Berisha.

Politika me ndihmën e të gjithëve po vetëamnistohet me këtë lloj loje, këtë lloj pingpongu që luhet nga dy apo tre vetë që trashin pushtetin mbi dosje zyrtarësh dhe vartësish, që ecin nga stadi i të pandehurit drejt asaj të viktimës së domosdoshme, kaq e vyer për të mbyllur punët e pista të këtij vendi.  Z. Tahiri premtoi se “nuk kishim parë gjë akoma”. Në fakt ne këtë e kemi parë këtu e 27 vjet të shkuara.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.