Si të thotë ambasadori...

Postuar në 12 Dhjetor, 2017 12:41

Donald Lu është rishfaqur sot edhe njëherë si zëri i fortë i skenës politike shqiptare që kërkon dënim të nivelit të lartë. Përtej rolit të një ambasadori, kryediplomati amerikan në Tiranë, ka hedhur kritika të forta në drejtim të Prokurorit të Përgjithshëm, por duke lënë të kuptohet se ka një Pazar politik për të vijuar me këtë situatë teatrale krizash pa mbarim.

“Sistemi i shkuar mbrojti njerëzit me pushtet dhe pasuri mes korrupsionit dhe ndikimit politik, sistemi i ri nuk mund të ketë një prokuror të përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht, ky vend nuk mund të hyjë në BE nëse ka shkallën më të ulët të ndjekjeve penale.

I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë për një zëvendësues të përkohshëm të prokurorit të përgjithshëm që i përfundoi mandati më 7 dhjetor. Të dyja palët t’i japin fund epokës kur prokurori mbron politikanët e korruptuar. Politikanët ti lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe të zbatojnë këtë reformë në drejtësi”, tha Lu gjatë fjalës së tij në Konferencën Vjetore të Avokatit të Popullit.  

Mesazhi i ambasadorit amerikan rekomandon zbatimin e ligjit kur bën thirrje për një Prokuror të Përkohshëm, ndërkohë që kjo nuk është diçka e domosdoshme. Një ditë më parë Ulsi Manja, deputeti socialist i angazhuar për vënien në jetë të procedurës për prokuror të përkohshëm, ka deklaruar se frika e opozitës është e kotë, pasi sipas tij, dispozitat e reja sanksionojnë një rol shumë më të vogël të kreut të akuzës në administrimin e dosjeve hetimore. Pra do të kemi një Prokuror që nuk ka këto kompetenca dhe këtë rol që ka sot. Mundet të pyetet se për cilën arsye atëherë presohet kaq shumë për zëvendësimin e Llallës, por nuk vijohet me procedimin kushtetues.

Nga ana tjetër, z. Lu pohon diçka që bie disi ndesh me atë që tha para pak ditësh Presidenti i Komisionit Europian, Juncker. Zotëria jo vetëm që e quajti çështjen “Tahiri” një ekzagjerim mediatik, por madje lavdëroi qeverinë shqiptare për ritmin e reformave.

Bllokimi te Prokurori i Përgjithshëm nuk cenon reformat në vetvete, sidomos po të mbahet parasysh se tashmë do të ketë Byro Hetimi dhe Prokurori antikorrupsion. Çka do të thotë se organi i akuzës është vetëm një ndër levat e sistemit dhe kështu me rol të minimizuar. Kur z. Lu thotë se ky “vend nuk mund të hyjë në BE me këtë nivel ndjekjesh penale”, ndërkohë që z. Juncker e lavdëron Shqipërinë e Edi Ramës dhe të dy heshtin për implikimin e z. Tahiri, atëherë qytetari i Shqipërisë e ka të vështirë të kuptojë se çfarë është kjo Europë që po na shfaqet para syve. Z. Lu deklaroi madje se për hetimin e ish-ministrit ja lë atë Prokurorisë, por sot mban shënim regjistrin e ndjekjeve penale.

Z. Lu referon ekspertët e OPDAT dhe Euralius, por Shqipëria ka edhe një Kushetutë që dinë ta lexojnë jo pak veta. Dhe kur kemi çështje interpretative atëherë është mirë që aktorë të jashtëm të mos ndërhyjnë pasi thjeshtë anojnë peshoren.

Le të vihet re sesi ambasadori bën këtë nënvizim: “Të dyja palët t'i japin fund epokës kur prokurori mbron politikanët e korruptuar”.

Kujt i drejtohet kjo thirrje? Z. Rama dhe z. Basha? Nëse po atëherë politikanët e korruptuar për të cilët kodohet ky mesazh janë dy të tjerë, apo shumë të tjerë që tanimë janë bërë pjesë e atij skenari që kulmoi më 17 gushtin e vitit të kaluar, kur z. Meta, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit deklaroi se ishte i gatshëm të shkonte në burg. Le të theksojmë se kjo gjuhë përkon me ftesat e përditshme të z. Rama për z. Basha dhe nevojën e një pakti.

Dhe përkon ndoshta me një axhendë që shikohet si efikase, por që është e kompromentuar dhe nuk i shërben vendit, sa kohë që vihet në punë me mekanizma dhe procedura që janë shumë të dyshimta. Dhe në anashkalim të qëndrimeve publike për çështjen Tahiri dhe atë të kanabisit. Në fund të fundit, në demokraci procedura nuk është garniturë, por esencë dhe kur i bie kaq shkurt me kërkesa politike, duke "harruar" se protagonistët e rinj politikë janë përfaqësues të këtij sistemi, atëherë me siguri që i dilet gjatë.

Comments

Submitted by Taras (not verified) on

Ishe ti o Donald qe e ndalove kete palaco prokuror te ndiqte penalisht kompanine amerikane te petrolit ne qarkun e Fierit qe po shkaterron dhe semure banesat dhe banoret ne Manze. Kur iu intereson ju kapitalisteve iu jepni imunitet te gjitheve, use and abuse, after ju hang them.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.