Kush janë ekspertët që na sugjerojnë Lu e Vllahutin?

Postuar në 08 Dhjetor, 2017 11:47

Ndërhyrja e ambasadorëve të SHBA-BE në debatin për Prokurorin e Përgjithshëm rihap sërish diskutimin nëse ekspertiza e sugjeruar prej tyre është peshorja e duhur për të dalë nga situata, por pa shkelur Kushtetutën meqënëse leksioni i parë që vjen nga partnerët është shteti ligjor. 

Në deklaratat e së enjtes, Donald Lu dhe Romana Vllahutin i diktojnë parlamentit të veprojë sipas opinionit që kanë dhënë misionet e tyre OBDAT dhe EURALIUS për zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshëm, në kushtet kur Adriatik Llallës i ka mbaruar mandati, të cilin sipas ndryshimeve Kushtetuese ligjërisht e konstaton vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organ që nuk është ngritur akoma.

Në veçanti mazhoranca është para një gjelle që në fakt e ka gatuar vetë me mbështetjen e ambasadorëve dhe misioneve përkatëse dhe tani kërkon që çorbën ta hanë të gjithë, si rrugë më e shkurtër për të mbërritur qëllimin në injorim të rregullave dhe sovranitetit kushtetutes.

Pa folur për gjuhën e përdorur dhe ndërhyrjen e papranueshme të ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vllahutin që janë ngarkuar të asistojnë reformën në drejtësi përmes misioneve OBDAT dhe EURALIUS,  përvoja e tyre këtë drejtim nuk është garanci për një proces në respekt të së drejtës kushtetuese dhe sovrane. 

Dhe për këtë ka prova që janë konstatuar nga një arbitër i tretë dhe i çertifikuar ndërkombëtarisht për integritetin dhe ekspertizen profesionale. Flasim për Komisionin e Venecias, i cili në opinionin e publikuar në 8 dhjetor 2015 ka rrëzuar një pjesë të mirë të ekspertizës së  misioneve OBDAT dhe EURALIUS për draftin e reformës në drejtësi me këtë përkufizim "Qëllimi i amendamenteve është i lavdërueshëm, por skema organizative është e komplikuar dhe reforma ka të ngjarë të çojë në një proces shumë të ndërlikuar vendimmarrës, me shumë organe që kontrollojnë njëra-tjetrën në një sistem të komplikuar kontrolli dhe balance”. 

Problemet me hartimin draftit ku morën pjesë edhe Euralius dhe Obdat i pranoi asokohe edhe vetë kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, i cili bëri këtë intepretim. 

Nëse ne mendonim që të gjitha i kishim “OK” mund të kishim thënë, “po, votojmë draftin e ekspertëve të nivelit të lartë dhe nuk ka nevojë të shkojmë në Venecia. E çuam në Venecia, së pari sepse kishim nevojë për një ekspertizë shumë më profesionale për të parë gjëra që ne nuk kishim mundur t’i shihnim më thellë në këtë proces edhe në pajtim me modele të tjera, edhe me standardet ndërkombëtare që mbron ky organizëm prestigjioz në mënyrë që të kishim një produkt sa më cilësor. Unë jam shumë dakord edhe me vlerësimin e opozitës, të ekspertëve të tyre veçanërisht, që padyshim ka nevojë të rishihet drafti në dritën e sugjerimeve, komenteve, propozimeve të ardhura nga konsultimi i gjerë i zhvilluar gjatë gjithë muajit nëntor dhe nga rekomandimet e Komisionit të Venecias. Dhe kjo nuk është fundi botës, përkundrazi duhet vlerësua si një gjë tejet pozitive.

Aktualisht jemi në kushtet e parashikimeve që bëri Komisioni i Venecias për një proces të komplikuar, për të cilin ambasadorët Lu e Vllahutin na sugjerojnë opinionet e EURALIUS dhe OBDAT si zgjidhje. Në një Republikë Parlamentare të drejtën Kushtetuese e zgjidh vetëm Gjykata Kushtetuese dhe jo opinionet e ambasadorëve që për më tepër janë provuar se nuk mund të merren si referenca ligjore në të ardhmen, kur mandati i tyre të ketë mbaruar. 

Vlen të kujtojmë se besueshmëria e misionit Euralius është vënë në diskutim edhe për manovra të tilla që u quajtën gabime (pa)dashje  në përkthim të ligjit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, çka pasoi me largimin ” misterioz nga Tirana të shefit të EURALIUS në vendin tonë, Rainer Deville. 

Nuk dihet sa qëndrimet dhe sugjerimet e zotit Lu dhe zonjës Vllahutin janë në lartësinë e parimeve që sugjerojnë dhe përfaqësojnë SHBA dhe BE, vëmendja e të cilave në këto kohë të trazuara  është në drejtime të tjera. Gjithsesi përfaqësuesit e tyre në Shqipëri kanë humbur besueshmërinë dhe integritetin në funksion të nevojës personale për të afirmuar një autoritet që nuk përputhet me çfarë realisht duhet të përfaqësojnë realisht  SHBA e BE, dy bashkësi që na  kanë dhënë një ndihmë të çmuar në rrugën e vështirë që kemi përpara për të përqafuar Demokracinë dhe vlerat Perëndimore. 

Me kursin properëndimor argumenton qëndrimet e saj edhe Partia Socialiste e Shqipërisë, kryetari i së cilës nga ana tjetër kërcënon Europën se Rusia dhe Kina janë një alternativë për rajonin, duke na imponuar si fanarë ndriçues atë çfarë predikon pro qeverisë së tij, dyshja Lu e Vllahutin. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.