Kriza e dakordësuar për mandatin e Prokurorit të Përgjthshëm

Postuar në 08 Dhjetor, 2017 14:30

Kush ka ndjekur zhvillimet për çështjen e mandatit të Prokuorit të Përgjithshëm, nuk mund të mos vërë re një neglizhencë të dyanshme, e cila nuk mund t’i faturohet paaftësisë apo mungesës së ekspertizës.

Lënia pas dore e një çështjeje të tillë është në fakt një akt programimi krize në mënyrë të qëllimshme.  Jo vetëm sepse paketa e ndryshimeve kushtetuese që kanë hyrë në fuqi është  e detajuar si asnjëherë më parë në aspektin procedurial, por sepse vetë reforma në drejtësi si prioritet e ka organin e akuzës një ndër lëndët kryesore.

Ja edhe një argument tjetër që na shpjegon zvarritjen dhe organizmin e një krize boshe që riprodhon dy palë debate që në fakt janë në akord me njëra – tjetrën. Reforma zgjedhore dhe modelimi i pafund për konstituimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në dy dekadat e fundit, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë ka ndryshuar thuajse pas çdo edicioni elektoral duke tentuar korrigjimin e disa problemeve administrative dhe teknike, që janë gjeneruar nga keqpërdorimi i vetë ligjit. Partitë nuk kanë pranuar deri më sot depolitizimin e komisioneve, as edhe duan të heqin dorë nga kontrolli i KQZ-së, njësoj sikundër vendosin në marrëveshje për një system zgjedhor që ose prodhon deformime legale, ose nuk është përfaqësues. Listat e kandidatëve, janë po ashtu një tjetër problem. Dhe për të mbuluar debatin për çështjet themelore, reforma zvarritet për t’u lënë për miratim në javët e fundit të një legjislature.

Nëse shohim çështjen që po debatohet aktualisht, kriza e krijuar e që po qarkohet formalisht rreth argumenteve juridike dhe kushtetuese, është e parashkruar në dispozitat kushtetuese dhe afatet e përcaktuara në to. Pra të dyja partitë e dinin shumë mirë se po shkonin drejt një pike për zgjidhjen e së cilës patjetër që do të debatohej dhe do të kërkohej zgjidhje politike. E cila do t’i mbivendoset Kushtetutës që nuk është respektuar. Duke patur parasysh këtë gjë, është arsyeja politike që duhet kërkuar te ky moment i ri i krijuar në mënyrë të vetëdijshme.

Së pari duhet marrë në konsideratë personi që ushtron sot mandatin e kreut të organit të akuzës. Adriatik Llalla është parë gjerësisht si njeri i Ilir Metës në atë institucion. Por ky mbetet një spekullim dhe thashethem, edhe pse aktualisht çështjet më të nxehta në fakt përbëjnë problem për mazhorancën socialiste.

Së dyti është edhe marrëveshja e 18 majit. Askush nuk di me siguri se çfarë përmban ajo. Premtime për reforma të thella etj., njësosj sikundër asnjë nuk di nëse Sali Berisha ishte pjesë e saj, kishte dijeni, apo u vu para faktit të kryer. Lulzim Basha ka pranuar që ajo u imponua nga amerikanët dhe qëndrimet e herëpashershme të ambasadorit amerikan në Tiranë, krijojnë përshtypje në këtë drejtim.

Së treti është procesi i integrimit në BE dhe hapja e negociatave që është premtuar në pranverë.

Të trija së bashku bashkë me faktin se Brukseli e amnistoi çështjen e drogës, çojnë në konkluzionin se tarifa që Shqipëia duhet të paguajë për të gjitha këto është ecja përpara e reformës dhe bashkë me to vjelja e rezultateve konkrete.  Të cilat në kuptim të reformës në drejtësi, të çështjeve që janë hapur në prokurori, deklarimeve të z. Lu për familje dhe politikanë kriminelë, por edhe të përvojës me vendet fqinj si Kroacia dhe Maqedonia, sugjerojnë se me rezultate konkrete dhe të besueshme nënkuptohet arrestime të nivelit të lartë dhe goditje të vërteta të krimit dhe korrupsionit.

Keëtu hyjmë në fushëveprimin e politikës, e cila duket se duhet të bëjë kurban diçka apo disa nga vetja dhe roli i organit të akuzës në negociimin e drejtimit të shpatës së ligjit ka rëndësi parësore.

Prokuroria po luan në mënyrë krejt të padrejtë një rol balancuesi kur nga njëra anë mban të ngrirë dhe zvarrit çështjen “Tahiri”, “Sejdini” “Balili” etj., që adresohen te mazhoranca socialiste, nga ana tjetër nuk përparon edhe për çështje si CEZ, Rapiscan etj., që happen periodikisht nga politika.

Është e qartë se Prokuroria e Adriatik Llallës është denatyruar dhe është profilizuar si instrument shantazhi, ndërkohë që kalimi në krizën e mandatit është përgjegjësi direkte e socialistëve. Pse? Sepse duke ditur këtë potencial ngërçi, PS-ja dhe qeveria mund të hapte më parë procesin. Me sa duket asnjë nuk ka dëshirë të bëhet kampion dhe protagonist arrestimesh të nivelit të lartë, sa kohë që siç shohim të dyja palët kanë prangosur veten me llokma korrupsioni. Z. Rama vetë, që premton tërmete me reformën në drejtësi, është e qartë se preferon meritën e arrestimeve, por jo autorësinë dhe përgjegjësinë e tyre. Ndaj edhe kjo kriza juridike për mandatin është thjesht një mënyrë për të shtyrë në kohë një proces që është axhendë e të huajve. Nuk ka asnjë shpjegim për këto ngatërresa ciklike që kamuflohen pas pallavrave me pakte kombëtare që propozohen si martesa ditore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.