Vëzhgim/Një polic i keq i politikës shqiptare

Postuar në 07 Dhjetor, 2017 15:13

Parlamenti shqiptar miratoi një paketë kushtetuese për reformën në drejtësi. Deri në mbërritjen te kjo votë, asistenca e SHBA-së dhe BE-së ishte strategjike, ndonëse në disa momente shumë eksesive në formë.

Pas reformës në drejtësi në Shqipëri ka një operacion ndërkombëtar që vepron për të mbikëqyrur procesin. Për këtë arsye ndërhyrja e sotme e ambasadës së SHBA dhe BE-së për një cështje teknike, gjithësesi me rëndësi politike, si interpretimi I ligjit për zgjedhjet e prokurorin e ri të Përgjithshëm, është e tepërt dhe duhet kundërshtuar.

Z. Lu nuk është kujdestar i zbatimit të ligjit në Shqipëri, as polic dhe as agjent tatimor, edhe pse i bën nga pak të gjitha. Mund të kuptohet se ka një axhendë arrestimesh të nivelit të lartë që duket se ecin dora dorës me “politikën e re” që dominon dy partitë e mëdha që po ruajnë paktet e veta, por këto sjellje, thjesht minojnë integritetin formal të institucioneve.

Shumëkush ka alergji nga fjala sovranitet. Nëse është kështu, atëherë le ta ndihmojmë veten me arsyetime dhe krahasime. Z. Lu është shumë i gatshëm që të bëjë Kumbarin e çdo procesi duke investuar autoritetin e SHBA përmes deklarimeve të këtilla, por nuk dëgjuam asgjë prej zyrës së tij për çështjen “Tahiri”. As edhe një mesazh apo presion pozitiv për prokurorinë. Në opinionin shqiptar u soll një deklaratë e Hoyt Yee, por asgjë nga z. ambassador që kodon mesazhet e veta vetëm në një drejtim.

Nuk kërkon kush që diplomatët e huaj të zbardhin axhendat e tyre, apo të shtetit që përfaqësojnë, vetëm se sjellje të këtilla, si prej polici rrugor që dikujt i vë gjobë dhe dikujt tjetër i shkel syrin, tradhëtojnë seriozitetin e atij angazhimi që shpallet pas termave si partner strategjik i Shqipërisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.