Informim apo klering?

Postuar në 29 Nëntor, 2017 17:35

Ka një standard dhe një kriter profesional në realizimin e një edicioni informative në television. Të dyja duhet të respektojnë hierarkinë e atij që quhet lajm dhe që është interes publik. Një kronikë televizive apo koha televizive është përgjegjësi e televizonit që e prodhon, por duke qenë një material në dispozicion të publikut, ajo është vetiu edhe pronë publike.

Aq më tepër kanë vlerë këto elementë për një televizion si Top-Channel që pretendon shumë që nga emir që ka zgjedhur, e deri te deviza e përmendur gjerësisht si “televizioni i të gjithë shqiptarëve”.

Mirëpo duket se standardet dhe normat që deri më sot janë kamufluar mirë pas epërsisë teknologjike, nuk respektohen më.  Personazhi për të cilin nuk po respektohet më asnjë kriter është kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, i cili po kuron karrierën e vet përmes TCh. Kaq e vërtetë është kjo saqë duket se televizioni në fjalë, apo gazetarët entuziastë të tij që mbulojnë Bashkinë, e perceptojnë dhe raportojnë ditën dhe realitetin përmes Erjon Veliajt.

P.sh në një kronikë të sotme raportohet për një nismë të Bashkisë së Tiranës për festën e Pavarësisë, “Rrugëtojmë nën një flamur”, festë e cila përcillet përmes fjalëve te Veliajt. Në fakt një festë mund të raportohet përmes njerëzve dhe atyre që performojnë, por nuk është e vështirë të kuptohet se cili është thelbi i një kronike të këtillë. Në një tekst me 182 fjalë, fjala Veliaj përmendet tri herë për një aktivitet ku mund të kenë marrë pjesë dhjetëra njerëz.

Menjëherë pas kësaj kronike, z. Veliaj është sërish protagonist I një kronike të dytë. Kësaj radhe gazetarët e TCh kanë rrëmuar një portal në Itali, nga ata që shkruajnë mirë për Shqipërinë. Por në ndryshim nga kryeministri Edi Rama që shkrimet të tilla i shërben përmes Facebook të vet, z. Veliaj ka në dispozicion “televizionin e të gjithë shqiptarëve”.

Portali në fjalë e paraqet Tiranën e ndryshuar si vepër të Veliajt, një “djali i ri revolucionar”

“Madje shkon përtej, duke imagjinuar të gjithë kryetarët e qyteteve si Erion Veliaj, pasi sipas këtij artikulli, nëse do të ishin të gjithë të tillë, do të ndryshonte mendimi i qytetarëve për politikanët dhe politikën”, referon TCh portalin në fjalë.

Ky është një ritual i përdishëm i një raporti që e vendos TCh në kushtet e një agjencie për Bashkinë. Sigurisht që kompanitë kanë interesa të cilat duhet t’i mbrojnë. Por nuk është detyra e një televizioni të kthehet në bulletin televiziv, sa kohë që kontratën e ka me shikuesit. Në Tiranë po ndërohen parkingje dhe po jepen leje ndërtimi dhe z. Veliaj është patjetër në qendër të vëmendjes. Por është e papranueshme që ky klering të kalojë në sytë e publikut pa u kritikuar, nën “imunitetin” që të jep amballazhi “televizion profesional”.

Rasti i TCh është i ndryshëm nga aktorë të tjerë që po kujdesen që karriera e z. Veliaj të ecë mirë. Siç është p.sh Sali Berisha, i cili një herë në javë ka në statuset e veta “Lal Plehun”, të cilin e shpall armik për ta bërë të dashur për socialistët dhe faktor në PS. Është lojë e vjetër kjo, loja e nxjerrjes nga anonimati apo rutina, ndërkohë që pas “lal Plehut”, PD-ja dhe Berisha e kanë qepur gojën për të gjitha aferat, parkingjet. Mësimi I marrë me rastin e ndërtimit te Parku I Liqenit duket se ka prodhuar një paqe të negociuuar mirë.

Por Berisha është politikan dhe ca më tej, në pensionim. Tjetër është rasti i televizioneve dhe mediave, ndaj të cilave është koha që të nisë monitorimi dhe vlerësimi publik, në mënyrë që të mos lejohet që opinionbërja të jetë kartë krediti dhe kandar në pazarin e disave.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.