Rishkrimi ditor i ëndrrës së bashkimit kombëtar

Postuar në 28 Nëntor, 2017 15:16

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka gjetur rastin e festës së Pavarësisë, për të folur edhe njëherë për arritjet shtetformuese të qeverisë së tij, duke nënkuptuar edhe ëndrrën e një bashkimit kombëtar në...BE.

“Sa për ëndrrën tonë, bashkimin kombëtar përmes Bashkimit Europian, politikbërja mbi realitete dhe jo emocione, e vetmja rrugë  prej ku vjen  frymëzim i yni i përditshëm”, është shprehur kryeministri. Bashkimi kombëtar përmes BE-së është një ëndërr krejt  e re, e panjohur në pedagogjinë nacional-intelektuale të shqiptarëve, që e kanë parë bashkimin si qëllim programatik në formën klasike të një shteti të përbashkët.

Ky rrumbullakim i z. Kryeministër, është asgjë më shumë sesa një lëshim i detyruar pas apelit të Europës dhe SHBA-së për retorikën nacionaliste të z. Rama vitin e fundit, retorikë që është parë si provokuese.

Z. Rama thotë se nuk frymëzohet nga emocionet, por me to ka luajtur jo pak dhe keq në emër të një protagonizmi të cilit nuk ja lexon dot kush produktin. Ndaj ky mesazh i sotshëm, jo vetëm që përkufizon një të pavërtetë, vjen si një retushim i detyruar që thjesht e bën joserioz një kryeministër që njëherë vendos në murin e kryeministrisë hologramën e banerit, Autochtonous, njëherë flet për bashkim kombëtar, njëherë shfaqet poshtë monumentit të Skënderbeut, njëherë për bashkim kombëtar përmes Europës dhe njëherë tjetër nuk dihet se për çfarë.

Bashkimi kombëtar përmes Europës është një nakatosje fjalësh që nënkupton integrimin në BE, pa i bërë zbritje bashkimin mes dy shteteve; ai nënkupton heqjen e kufijve, por askush nuk e ka ndaluar Kosovën dhe Shqipërinë që të heqin kufijtë, të bashkojnë doganat siç premtuan dje, apo të eliminojnë barrierat. Ndaj është për të ardhur keq që mania për ta parë trullosjen e turmave si politikë efektive, të përshfaqet kaq shpesh nën petkun e hartimeve politike mbushur me citatet rutinë të një retorike që nuk vlen më për ndonjë gjë. Është thjesht shembulli fatkeq i një shoqërië që sheh përherë në krye njerëz që ngase u mungon ndonjë bindje, apo formim i vërtetë, mund të thonë çdo gjë, që sipas intuitiës kënaq të gjithë dëgjuesit.

Comments

Submitted by Taras (not verified) on

Shqiptareve nuk iu mungon ajo qe nuk e kane patur. Bashkimi me kosovaret do te na sillte vetem probleme ekonomike. Le te rregullojme ekonomine dhe strukturat shteterore dhe bejme shtetin qe nuk e mirembajme dot. Kosovaret e kane shtetin e tyre apo me sakte kolonine qe e donin pa Serbine. Ne rast se ata nuk ndjehen mire ashtu sic jane , menyra legale e tyre eshte kthimi ne Serbi. Biles, BE-ne do t’a gjenin me shpejte nga dera e Serbise se sa nga ajo e Shqiperise.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.