Gjebrea njësoj si Dako: Jam e pastër, po më baltosin

Postuar në 25 Nëntor, 2017 21:36

Ish-zv/ministrja e brendshme Elona Gjebrea, e cila sipas Prokurorisë figuron në sistemin Tims të ketë kaluar kufirin me makinën e Habilajve bashkë me ish-eprorin e saj Sajmir Tahiri ka reaguar sërish duke thënë se është e hapur për hetime dhe se akuzat e opozitës janë përpjekje për të baltosur figurën e saj.

Një gjuhë e ngjashme me atë të Vangjush Dakos, i cili po ashtu reagoi pas akuzave se ka dalë në përgjimet e EULEX. Ajo që i bën edhe më të ngjashme deklaratat e dy funksionarëve socialistë është shmangia e përgjigjeve lidhur me faktet konkrete që në rastin e zonjës Gjebrea e lidhin me udhëtimet e saj në Greqi në data dhe orare të identifikuara. 
Megjithatë  Gjebrea në reagimin e saj drejtuar elektoratit thotë se nuk ka bërë asgjë të kundraligjshme, duke mos mohuar në asnjë moment udhëtimin me makinën e Habilajve. 

Reagimi i Gjebreas: 

Asgjë të paligjshme apo të pamoralshme nuk ka në punën time 4-vjeçare si Zv.Ministre e Punëve të Brendshme edhe sot si deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Por dhe gjate gjithe jetes dhe karrieres time.
Miq dhe dashamirës, votues të Njësisë bashkiake nr.1 në Tiranë, bashkëpunëtorë dhe mbështetës të Partisë Socialiste, në respekt të ndjeshmërisë së krijuar për shkak të sulmeve të fundit që më janë bërë nga opozita e Lulzim Bashes, e ndiej për detyrë morale t’ju siguroj se i gjithë aktiviteti im institucional, ashtu sikurse edhe jeta personale e familjare kanë qene dhe mbeten të bazuara te përgjegjshmëria ligjore dhe morale.
Sulmet e opozitës, janë një përpjekje e dështuar për të njollosur figurën time, duke hedhur në tregun mediatik mashtrime dhe të pavërteta.
Sigurisht ne momentin e duhur keta baltoses e shpifes qe guxojne te hedhin balte e shpifje mbi figuren time do te perballen sipas ligjit.
Ashtu siç e kam shprehur publikisht, kam qenë dhe mbetem e hapur për t’u hetuar nga të gjitha organet ligjzbatuese. Deri më sot asnjë thirrje nuk më ka ardhur nga organi i prokurorisë, siç është pretenduar nga disa media.
Duke falenderuar të gjithë miqtë dhe dashamirësit që më kanë shkruar apo telefonuar këto ditë duke më shprehur mbështetjen e tyre, edhe një herë dua t’i garantoj për pastërtinë e figures time.

http://www.gazetatema.net/2017/11/25/elona-gjebrea-e-verteta-e-akuzave-per-lidhjet-me-habilajt/

Por çështjet e znj. Gjebrea me mediat kanë përfshirë edhe bashkëshortin e saj. Në një dokument të publikuar nga Opinion.al, shkruhet se bashkëshorti i saj Arjan Hoxha nuk e ka kaluar dot “vetting”-un e dekriminalizimit, test i çdo punonjësi të administratës. Sipas dokumentit Arian Viktor Hoxha, bashkëshorti i zonjës deputete është deklaruar fajtor për veprën penale të falsifikimit të dokumentave shtetërorë dhe gjykata e ka dënuar me 8 muaj e 25 ditë heqje lirie. (dokumenti bashkëngjitur)
Zoti Hoxha është bërë subjekt verifikimi nga sektori i dekriminalizimit, ku pas verifikimit është konstatuar se ai nuk e ka deklaruar dënimin, sipas detyrimit ligjor që kanë të gjithë zyrtarët e administratës publike. Dosja e tij i është përcjellë më tej Prokurorisë së Tiranës, ndërsa dy vitet e fundit bashkëshorti i deputetes Gjebrea punon për një projekt shumëmilionësh të Bankës Botërore me OSSHEE(http://opinion.al/elona-gjebrea-dy-here-mat/).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.