“Magjia” e Audit të Tahirit, edhe ish-zv. ministrja Gjebrea në “guidë” me Habilajt

Postuar në 24 Nëntor, 2017 15:35

Tashmë nuk është ekzagjerim apo fyerje të thuash se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është një karabush i politikës. Ajo çfarë po nxjerr në sipërfaqe çështja e tij nuk mund të jusitfikohet më me alibinë e një gabimi fëminor siç pretendon ai se ishte shitja e Audit Habilajve, të cilin mandej ua merrte sërish për xhiro dhe as me përkime fatkeqe siç është gjetja e patentave të lundrimit në makinën e Orest Sotës. Për këto çështje kërkohet hetim intensiv dhe që nuk mund të kushtëzohet me asgjë. Ish-ministri po na provon se ai ka qenë tërësisht i papërgjegjshëm në veprimet e veta, që nisën t’i provoheshin publikisht që me pushimet e famshme në Korfuz në vitin 2015.

Së fundmi, në varkën e tij që po fut ujë nga të gjitha anët po ngec edhe ish-zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea. E cila faktohet nga sistemi TIMS se ka dalë në vitin 2014 nga kufiri me Audinne famshëm. I cili nga përkimi i datave duket se i është dorëzuar nga Habilajt në Greqi, Saimir Tahirit. 

Ja hyrje -daljet e verifikuara: 

Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea kanë dalë bashkërisht për në Greqi, në datën 08 gusht të vitit 2014. Ata kanë dalë nga Shqipëria me traget, nëpërmjet Portit të Sarandës, pa makinë.

Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea janë kthyer nga Greqia në datën 16 gusht të vitit 2014. Por në kthim, kanë hyrë me automjetin AA 003 GB, nga pika e kalimit kufitar të Qafë Botës, në Sarandë. Pra, daljen e kanë pa makinë dhe hyrjen e kanë me AUDI-n me targa AA003 GB…Ndërkohë në datën 14 gusht të vitit 2014, Artan Habilaj ka dalë nga Shqipëria nga Pika Kufitare e Qafë Botës, në Sarandë për në Greqi, me automjetin AA 003 GB. Dalja është bërë në orën 10.51 minuta.

Habilaj është kthyer dy ditë më pas në datën 16 gusht nga Pika Kufitare e Sarandës për në Shqipëri, me traget, pa makinë. Pra, Artan Habilaj shkoi në Greqi me mjetin e tij AUDI dhe u kthye me traget. Mjetin e përdori Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea që hynë në Shqipëri nga Greqia, nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Botës, me automjetin AA 003 GB.

Ata kanë hyrë konkretisht:
Saimir Tahiri në orën 13.31, dt. 16.08.2014
Elona Gjebrea në orën 13.34, dt.16.08.2014

Ky është raportimi që bën Lapsi.al që na tregon se dy drejtuesit e Ministrisë së Brendshme kanë qenë në Greqi bashkë për 8 ditë. Në këtë kohë Artan Habilaj ka qenë nën hetim dhe kjo e rëndon pozitën e Gjebreas që sot është vënë në pyetje nga mediat. 

http://lapsi.al/2017/11/24/elona-gjebrea-ne-makinen-e-habilajve-zbulohen...

Kjo lëvizje shtron shumë pikëpyetje qoftë edhe sepse kemi të bëjmë me kohë pushimesh. 

Por çështja që duhet shtuar në këtë skandal që ngjan se nuk ka të sosur është fakti se janë këta zyrtarë që u angazhuan për të sjellë në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, policë gjermanë për të mos lejuar ikjet e shqiptarëve. 
http://www.respublica.al/2015/08/12/kloni-i-shengenit

E ndërkohë që ata që iknin për ndonjë punë kalonin në filtër, zotërinjtë në fjalë duket se kanë guiduar një Audi që sot po hap shumë probleme. E nëse hetimi do të vazhdojë seriozisht, mund të hapë probleme shumë më serioze për imazhin e vendit se ata azilkërkues të cilët “matrikulloheshin”në kufirin e vendit të vet me firmën dhe bindjen e njerëzve si Elona Gjebrea.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.