Shteti i shpuar i një policie të tradhëtuar

Postuar në 23 Nëntor, 2017 15:58

Ministria e Brendshme pranoi zyrtarisht se aksioni për arrestimin e tre ish-drejtuesve të policisë të akuzuar për trafikim droge dhe lidhje me grupin e Habiljave dështoi. Në një deklaratë të saj thuhet specifikisht “Megjithë kontrollet e ushtruara në banesa dhe vendet ku dyshohej se mund të strehoheshin personat e mësipërm, nuk është bërë e mundur gjetja dhe ndalimi i tyre. 

Në datë 23 Nëntor 2017 rreth orës 09:00, me kërkesë të drejtuesit të SHÇBA-së është zhvilluar analizë me prokurorët e çështjes dhe drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, për gjithë veprimet proceduriale të kryera dhe që do të kryhen në vijim, në funksion të këtij hetimi”.

Paralelisht , Edi Merkaj, Drejtor i Shërbimit Për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme u thirr në Prokurori, ku i është kërkuar të japë sqarime se perse nuk ishin ekzekutuar 2 urdhër-ndalimet dhe një urdhër -arresti.

Tre ish-zyrtarët në kërkim janë Jaeld Çela, ish-Drejtor i Policisë Vendore Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Prill 2017, Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Maj 2017 dhe  Sokol Bode, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, i pezulluar nga detyra në datë 25 Tetor 2017.

Sipas Balkanëeb për çështjen në fjalë është interesuar edhe vetë ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili ka kërkuar nga SHCBA-ja një raport të detajuar lidhur me të gjitha veprimet që janë kryer.

Ai ka kërkuar të dije se kur është marrë urdhri për ekzekutimin e urdhër arresteve, kush ishin oficerët që do t’i kryenin dhe cilat ishin adresat që do kontrolloheshin. Të njëjtat burime saktësojnë, se zarfi që mbante urdhër arrestet ka qenë i sekretuar dhe në dijeni të këtij aksioni ka qenë një rreth i ngushtë personash.

Dyshimet janë se ish-drejtuesit e policisë mund të jenë larguar jashtë vendit dhe nëse kjo vërtetohet atëherë pozita e strukturave shtetërore rëndohet edhe më shumë, pasi kjo do të thotë që ish-efektivët janë ndihmuar për të dalë nga Shqipëria nga vetë shteti. 

4 vite më parë kryeministri në detyrë akuzonte policinë si një trupë të tradhëtuar nga brenda, por tashmë është para fakteve të pakundërshtueshme se policia e tradhëtuar është një nga bëmat e tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.