Manjani: Letra e OBDAT dhe EURALIUS, palaçollëk i porositur

Postuar në 22 Nëntor, 2017 11:17

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar pas mendimit të dhënë nga OBDAT dhe EURALIUS mbi zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm, për shkak se sipas misioneve të SHBA dhe BE mandati i Adriatik Llallës skadon më 3 dhjetor. Manjani e quan një “palaçollëk” të porositur letrën e dy misioneve, duke thënë se ky është vetëm një shërbim që i bëhet në këtë rast kryeministrit.

Reagimi i Manjanit:

Para disa ditësh, kur Johanes Hahn takoi Presidentin e Republikës, ky i fundit “u ankua” se EURALIUS nuk i kishte dhënë dot një interpretim se si mund të dilet nga ky kaos post reformë, që ka kapluar shtetin. Por, dje u emetua në media një mendim i shkruar i EURALIUS dhe OPDAT, që me pak fjalë na lexojnë një çerek fjalie të një neni tranzitor të ligjit për Prokurorinë.Pa i hyrë përmbajtjes së atij arsyetimi (i ngjashëm me të studentëve të juridikut), më bëri përshtypje fakti që: Presidentit të Republikës nuk i qenkan përgjigjur, ndërsa interesit të Kryeministrit dhe grupit të tij, i janë përgjigjur menjëherë! Dhe me ç’përgjigje! Me atë që Ai do të dëgjojë vetë dhe tja thotë dynjasë. Por meqë dynjaja nuk e beson më, mendimi i EURALIUS dhe OPDAT botohet, që të duket si “urdhër ndërkombëtar”!!! Palaçollëk i njohur ky! Sidoqoftë, është e vërtetë që ajo çerek fjalie tek një nen tranzitor i ligjit të Prokurorisë thotë se Kuvendi cakton ( pra nuk zgjedh) një prokuror me përvojë që të drejtojë Prokurorinë, në kushtet kur KLP nuk është krijuar ende. Por a mund të na thotë EURALIUS dhe OPDAT, cfarë ndodh me nene e paragrafë të tërë të Kushtetutës së vendit që nuk zbatohen qëllimisht, për të shkuar po qëllimisht tek ajo çerek fjalie?!! Nuk po i bëj këtu pyetjen tjetër se me çfarë shumice e cakton “Prokurorin e përkohshëm” Kuvendi! Nuk po jua bëj se nuk i përgjigjen dot ashtu siç duhet interesit të “porositësit”. E pra Kushtetuta kërkon që Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit. Madje po kjo Kushtetutë (e shkruar nga EURALIUS dhe OPDAT) thotë në nenet tranzitore të saj se “ Prokurori i parë i Përgjitshëm i pas miratimit të Kushtetutës zgjidhet me 2/3 e deputetëve”. Ndërkohë ai “çerek-çuryk- neni” që preferojnë të lexojnë këta, nuk përmend shumicë. Tani cili ligj është më i rëndësishëm, Kushtetuta (e miratuar me Konsensus absolut)apo ligji i Prokurorisë (miratuar me zor të madh me 84 vota)?! As këtë nuk e thotë EURALIUS e as OPDAT!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.