Një optikë greke përtej Kretës

Postuar në 21 Nëntor, 2017 16:07

Takimi i Kretës dhe zhvillimet e reja në raport me Maqedoninë, kanë riaktivizuar për publikun dhe median axhendat e politikës së jashtme në rajon. Shqipëria ka momentalisht një problem jo pak të ndërlikuar me Greqinë dhe vlerëismi i pikëpamjes greke për këtë situatë, ka rëndësi për të kuptuar masën dhe thelbin e kompromiseve që do të bëhen, por edhe mundësia e realizimit të tyre. Po kështu, pikëpamja greke ka rëndësi edhe për të kuptuar sesa reale janë qëndrimet emocionale dhe nëse ka vërtet vlerë mbingarkesa e zakonshme kur vjen puna te raportet tona me këtë vend.

Në një opinion të datës 19 nëntor në gazetën “Kathimerini”, gazetari Alexis Papachelas thekson që në krye se për Greqinë në krye të axhendës së vet qëndron raporti me Turqinë.

Çështje të tjera si konflikti për emrin me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë apo lidhjet greko-shqiptare, janë sigurisht të rëndësishme, por ato nuk janë çështje të axhendës kryesore

shkruan Papachelas.

Ky përcaktim ka rëndësi për të kuptuar se aktivizimi dhe interesi i Greqisë për çështjet që zakonisht prekin raportet mes të dyja vendeve tona dhe që riprodhohen gjerësisht në media, nuk kanë atë interes që duket. Të paktën nga Greqia. Po të heqim çështjen e minoritetit dhe atë të kufirit, vështirë se mund të shohësh një politikë shtetërore të vërtetë dhe interes strategjik në drejtim të Shqipërisë. Merr më shumë rëndësi ky theksim po të mbahet parasysh fakti se Greqia është një ndër aktorët kryesorë ekonomikë në Shqipëri, çka provon se media në vendin tonë keqlexon interesat e vërteta greke, duke barazaur, herë me dashje e herë pa dashje, axhendat e Vangjel Dules dhe Omonias me ato të Athinës.

Greqia ka hapur frontin e bisedimeve në dy drejtime dhe për këtë arsye muajt që vijnë do të jenë përcaktues për klimën që do të ketë Ballkani i Jugut për vitet e ardhshme.

Muajt e ardshëm do të jenë kyç për sa i përket politikës së jashtme ballkanike të Athinës. Qeveria e re në Shkup ka ndryshuar retorikën dhe duket e gatshme të adoptojë masa që sjellin besim dhe ndoshta të pranojë edhe një kompromis për çështjen e emrit.

Për sa i përket Shqipërisë, duket se pavarësisht disa gjesteve provokative dhe të pamençura nga Tirana, ka në të vërtetë terren të përbashkët për zgjidhje të problemeve që qëndrojnë në raportet me stë dyja vendeve për dekada. As konflikti me Shkupin, as bisedimet me Shqipërinë nuk do të jenë të lehta. Qëllimet e mira shpesh avullojnë përkundrejt realitetit politik të Ballkanit

shkruan Papachelas.

Nëse ky lexim i hierarkisë së raporteve është i vërtetë edhe për qeverinë greke, mund të kuptojmë se Shqipëria vjen e fundit për nga rëndësia, edhe pse numri i shqiptarëve që banojnë në Greqi është shumë i madh. Po kështu ngjan se me gjeste provokative Papachelas nënkupton evokimin dhe amplifikimin e çështjes çame, që mesa duket është lënë si nëntekst i kuadrit të të drejtave që do të përfshihen në dokumentet që pritet të nënshkruhen siç është Traktati i Miqësisë. Ky është thjest një hamendësim, nisur edhe nga fakti se mediat pranë qeverisë  shqiptare përhapën lajmin se ligji i luftës do të hiqet përmes gjetjeve teknike në tekstin e Traktatit.

Le të vihet re se ato që u trajtuan si politikë në Tiranë, në Greqi shikohen si Gjeste dhe ky është një ndryshim jo I vogël.

Ngjan se qeveria e Tsiprasit ka dhënë ofertën më të mirë sipas optikës greke, qoftë për Shqipërinë, qoftë për Maqedoninë. Dhe këtu do parë edhe aspekti strategjik i lëvizjeve diplomatike të fundit të Athinës, që po kërkon të shkarkojë veten nga peshat e tepërta për tu angazhuar në kohë të plotë me problemin kryesor që është Turqia.

“Është koha që më në fund të vendosim se çfarë duam. Disa duan të mbajnë të hapur disa çështje dhe të fshihen pas pretendimeve maksimaliste. Greqia nuk fitoj asgjë në këtë mënyrë…Athina do të ketë mundësinë në muajt e ardhshëm që të sigurohet nëse liderishipi i ri në Shkup dëshiron vërtet një zgjidhje të ndershme…, apo thjehst po angazhohet në simulime PR në përpjekje për të çorientuar Athinën. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë”, shkruan gazetari në fjalë.

Njësoj si në Shqipëri edhe në fqinjin tonë çështje të kësaj natyre kthehen në tema të interesave të brendshme. Këtë gjë luajti vetë qeveria në mandatin e parë, për të mbërritur së fundmi në një pozitë negociimi që nuk duket se ndryson shumë nga ajo që u ofrua që në vitin 2013 nga ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Venizellos. Pasi siç përmendi ditë më parë Kotzias, zgjidhja paketë ka qenë ide e tij. Ajo që sot Ministria e Jashtme apo qeveria ia rekomandon publikut si sukses, qoftë për çështjen çame, për të cilën është tërhequr në formë, qoftë edhe për ligjin e luftës si kërkesë eventuale e Shqipërisë, në fakt janë parashtruar nga pala greke. Papachelas thekson se në Greqi preferojnjë që të bërtasin si ekstremistë për të kërkuar marrëveshje pas dyerve. Diçka që ndodh kudo dhe që na fton të mos i lexojmë edhe aq drejtpërdrejt deklaratat për shtyp.

Nëse kësaj radhe arrihet një marrëveshje e qëndrueshme, për të cilën Shqipëria ka disa avantazhe taktike që burojnë nga nevoja e Athinës për të shkarkuar peshat e problemeve në rajon, atëherë në planin e brendshëm mund të hamendësohet se minimalisht, qeveria shqiptare do të defaktorizojë problemin e Himarës. Se çfarë do të thotë kjo për pronësinë në atë zonë është e qartë, por mirëkuptimi me Greqinë, i jep dorë Tiranës zyrtare të mbyllë njëherë e mirë, në interes të projekteve të veta që i quan edhe strategjike, një diskutim ndërkombëtar në këtë drejtim. Kjo është fitorja e vetme, bashkë me një Traktat që tejkalon disa atavizma që deri më sot shiteshin si interesa.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.