Letër me vrimë nga Tirana

Postuar në 20 Nëntor, 2017 19:04

Mediat u njohën këtë të hënë me një letër që kryeministri i ka dërguar krerëve të 28 vendeve të BE-së lidhur me përpjekjet që po bën qeveria e tij për të luftuar metastazat e kanabizimit dhe grupeve kriminale që veprojnë pas tyre. 

Duke folur për zgjatim të përgjegjësive edhe tek autoritetet europiane, kryeministri lë të kuptohet se nuk është vetëm Shqipëria që eksporton krim dhe drogë, por edhe Europa që e konsumon atë. Kryeministri i Shqipërisë flet për media të helmatisura dhe një situatë që nuk ka lidhje me atë që është pasqyruar në shtypin ndërkombëtar.

"Vitin e kaluar në këtë kohë, media ndërkombëtare gëlonte nga tituj për sipërfaqet rekord të mbjella me kanabis në Shqipëri. Ndoshta ngaqë gazetarët tërhiqen nga gjysma bosh e gotës, më shumë sesa nga ajo plot, historia e vërtetë nuk ia doli  kurrë të shihte dritën e botimit. Historia e vërtetë ishte se, më në fund, sipërfaqe rekord të mbjella me kanabis po identifikoheshin dhe po shkatërroheshin"- shkruan kryeministri. 

Vështirë të besohet se qeveritë europiane bazohen mbi artikuj gazetash për çfarë po ndodh me drogën në Shqipëri, kur asistojnë me misione të tyre policinë shqiptare. Fakti që kryeministri shqiptar kërkon të sensibilizojë me letra do të thotë se atë nuk e pret më askush në selitë europiane ose më saktë nuk është fort i mirëpritur dhe faktet kanë treguar se përveç kryeministrit të Italisë me të cilin u takua para se të shpërthente skandali Tahiri, fotografia më e rëndësishme është ajo me Komisionerit Hahn në Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë nuk mund t'u fshihet më fakteve, ka një ish-ministër nën hetim dhe të dyshuar si pjesë e një organizate të strukturuar kriminale. Qeverisja e tij u ekspozua për nxitjen që i dha Ekonomisë së kanabisit dhe çdo intepretim që bëhet nuk justifikon tonelatat e drogës të gjetura në tunele apo fikjen e radarëve të ushtrisë.

Letra që kryeministri Rama u ka dërguar homologëve europianë eshte me vrimë, "mbreti ynë ështe lakuriq" dhe nuk mbulon dot njollën e kanabizimit.

Kryeministri  është refuzuar nga homologu i tij grek, për arsye që lidhen me marrëdhëniet mes dy vendeve, por Shqipërisë i është përmendur edhe problemi që ka me drogën dhe trafiqet. Greqia është një prej vendeve anëtare të BE-së, ku minimalisht nuk do kishte nevojë për letra, por për takime kokë më kokë mes dy kryeministrave. Kryeministri që kemi zgjodhi një tjetër rrugë në 4 vitet që shkuan, duke shitur si mbështetje reputacionin përpara kancelares Merkel, ndërsa tani ulet dhe shkruan letra për t'i mbushur mendjen Europës se Shqipëria nuk është ajo që thuhet në mediat ndërkombëtare.

A mendon kryeministri ynë se kjo letër do të ketë efektin që ai dëshiron? Vetëm ai e di se nga cilat premisa është nisur  për të shpalosur me tre gisht kartë, pikëpamjet e tij mbi krimin shqiptar, qeverinë qelibar dhe Europën e paqartë. Në fund nuk mungon edhe një recetë nga Tirana.

"Vendet e konsumit duhet të hetojnë me të gjitha energjitë kriminelët dhe të ngrijnë të ardhurat që vijnë nga krimet e tyre. Në javët e muajt në vijim, ne do të ndajmë ato që dimë dhe provat që kemi kundër tyre me forcat policore e rregullatorët financiarë në të gjithë Evropën. Ata janë njerëz të rrezikshëm. Qeveria ime i konsideron si kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe qeveritë tuaja"- shkruan Edi Rama.

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

"Vetëm ai e di se nga cilat premisa është nisur për të shpalosur me tre gisht kartë, pikëpamjet e tij mbi krimin shqiptar, qeverinë qelibar dhe Europën e paqartë." ... me kete i ke thene te gjitha. Dhe do te mjaftonte vetem kjo, per ti bere edhe diagnozen psikike kryeministrit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.