PD: 4 mln euro janë marrë nga Vilma Nushi për analiza të pakryera

Postuar në 18 Nëntor, 2017 14:25

Partia Demokratike ka denoncuar sërish konçesionin e Check up-it në Shëndetësi. Bazuar në disa dokumente mbi personat që kanë marrë këtë shërbim dhe pagesat e kryera nga buxheti i shtetit PD thotë se  vetëm 26 përqind e shqiptarë​ve që e përfitojnë, e kanë kryer këtë shërbim pavarësisht kushtëzimit të ndihmës ekonomike dhe vizitat e të sëmurëve kronikë. Opozita flet për lidhje klienteliste të kryeministrit me kompaninë që ka përfituar me konçesion këtë shërbim. 
 "Check up është më korruptivi, sepse vetëm për dy vitet e para të konçesionit të check up-it, pa përfshirë 2017-ën, klientja e Edi Ramës, Vilma Nushi, ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 4 milionë euro për rreth 250 mijë analiza të pabëra asnjëherë. 1,7 milionë euro në 2015-ën dhe 2.3 milionë euro në 2016-ën, siç tregohet edhe në tabelën e Fondit të Kujdesit Shëndetësor.
 4 milionë euro për një shërbim të padhënë, është provë se check-up jo vetëm nuk është falas, siç thotë Edi Rama, por me këtë konçesion, kontrolli shëndetësor  është kthyer në një shërbim disa herë më i shtrenjtë.
 Ky përfitim marramendës është parashikuar në kontratën e Edi Ramës me klienten e tij Vilma Nushi, e cila do të vazhdojë të paguhet 7 milionë euro në vit, edhe sikur check up-in ta kryejë një shqiptar i vetëm. Kjo është arsyeja pse Edi Rama prej dy vjetësh refuzon ta bëjë publike këtë kontratë zhvatëse për shqiptarët, si dhe çdo kontratë tjetër konçesionare në shëndetësi"-thuhet në deklaratën e PD-së. 
Sipas opozitës, 4 milionë euro që fiton klientja e Edi Ramës, pa bërë asnjë shërbim, do të mjaftonin për të mbuluar nevojat për kurimin e të gjithë pacientëve të onkologjikut, për të cilët sot mungojnë barnat. 4 milionë euro do të mjaftonin për të rritur pagat e për shpërblimet për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.