Palmat ikën, vijnë Pishat 2.5 mln euro

Postuar në 18 Nëntor, 2017 15:23

600 mijë eurot e shpenzuara për blerjen e palmave dekorative që u vendosën në dy anët e autostradës Tiranë - Durrës në segmentin hyrës të kryeqytetit konsiderohen edhe zyrtarisht të falura, pasi palmat do të hiqen përfundimisht. 
Do të jetë bashkia e  e Tiranës që do të zëvendësojë deri në fund të këtij viti palmat me pisha nga mbikalimi i Kamzës te ai i Kasharit. Vendimi është bërë i ditur në relacionin për disa ndryshime dhe rishpërndarjen e fondeve në buxhetin e Bashkisë së kryeqytetit për vitin 2017.

“Gjatë periudhës që sapo kaloi me thatësirë të pazakonte, bimësia dekorative (palmat e mbjella) nuk u përshtatën me kushtet klimatiko-tokësore të Tiranës, kësisoj nuk i mbijetuan zhvillimit të ciklit të tyre jetësor”, – thuhet në relacion. Për këtë arsye propozohet që në vend të palmave të mbillen lloje dekorativësh të pishës së butë, që përshtaten me klimën dhe mjedisin.

Kosto e plotë e projektit “Furnizim dhe vendosje drurë dekorativë në zonën industriale Kamëz-Kashar” është 333.8 milionë lekë, ose gati 2.5 milionë euro, e shpërndarë në 66.7 milionë lekë në 2017-n, 117 milionë lekë në 2018-n dhe 150 milionë lekë në 2019-n. Palmat që u thanë në autostradë u mbollën rreth tre vjet më pare ndërsa kostoja e tyre u raportuar në atë kohë më shumë se 600 mijë euro. 

Televizioni Publik Shqiptar madje i kushtoi edhe një elegji tharjes së palmave në autostradë, duke e cilësuar dramë kombëtare. 

Por edhe zëvendësimi me pisha nuk duket aq i sigurtë. Para disa muajsh ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka foli për prekjen e pisha e nga sëmundja e procesionares. Ndaj dhe sugjerimi është të shihet njëherë mundësia e mbjelljes së rrapeve që të mos paguhen edhe pishat kot si palmat. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.