Samit trepalësh në Durrës, "del në sipërfaqe" termi Europa Adriatike

Postuar në 17 Nëntor, 2017 17:34

Është zhvilluar sot në Durrës, takimi i dytë trepalësh mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.

Në njoftimin për shtyp që përcjell Ministria e Jashtme theksohen temat për të cilat është diskutuar duke përsëritur edhe në këtë drejtim nevojën e një bashkëpunimi strastegjik.

“Një fokus i veçantë iu kushtua ecurisë dhe ndërveprimit për avancimin e projekteve me rëndësi strategjike si Korridori Adriatiko-Ionian dhe Gazësjellsi që do lidhë linjën Trans-Adriatike me Kroacinë nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, por edhe bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe mjedisit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Nga takimi, ku morën pjesë Ditmir Bushati, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Kroacisë, Marija Pejčinović Burić, si edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srgjan Darmanovic, ka dalë edhe një deklaratë e përbashkët me tetë pika ku bie në sy përdorimi i termit Europa Adriatike, krahas termave Ballkani Perëndimor, apo Europa Juglindore.

Sipas tektit të shpërndarë, takimi që pason atë të Splitit më 10 shkurt 2017, synon rritjen e bashkëpunimit duke shfrytëzuar përparësitë e çdo vendi. Kështu Kroacia mbështet hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, duke afrimuar në bllok me dy vendet e tjera, nevojën e zgjerimit të BE-së në rajonin tonë.

“Ministrat informuan për projektet aktuale dhe të ardhshme si pjesë e agjendave kombëtare në infrastrukturë, energji dhe turizëm. Ministrat thanë se një bashkëveprim më i mirë midis vendeve pjesëmarrëse në këtë pjesë të Evropës Adriatike, është me interes të përbashkët. Për këtë qëllim, ministrat përsëritën domosdoshmërinë dhe inkurajuan platformat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme kombëtare, në mënyrë që të koordinohen veprimet në mbështetje të projekteve me interes të përbashkët”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Takimi ka shmangur nocionet e zonës së përbashkët ekonomike, apo të bashkimit doganor, qoftë edhe sepse për një vend anëtar të BE-së si Kroacia, apo një vend që ka hapur negociatat për anëtarësim si Mali i Zi, këto oferta nuk përshtaten. Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen si vende që në historinë e afërt kanë qenë nën ndikimin austrohungarez, trashëgiminë e të cilës deri diku e ruan Austria.

Edhe asociimi i politikave me rajonin adriatik kujton të njëjtën gjeopolitikë, edhe pse duhet thënë se Shqipëria dallon cilësisht nga të dyja vendet e tjera për nga përbërja demografike dhe fetare. Me Adriatikun i asocion disa politika edhe një vend tjetër, Italia.

Nisma në fjalë është një nga disa nismat ku bën pjesë Shqipëria, si Adriatik 5 për sigurinë dhe anëtarësimin në NATO, Nisma e  Berlinit që synon përshpejtimin e integrimit të rajonit në BE etj..

Takimi që sipas njoftimit zyrtar është mbajtur me iniciativë të ministrit të Jashtëm, Bushati, vjen ndërkohë që Shqipëria ka nisur punën për normalizimin e raporteve me një vend tjetër anëtar të BE-së, Greqinë dhe kur për çështjen e anëtarësimit në BE, komisioneri për Zgjerimin, Hahn ka deklaruar se viti 2025 është afati më I afërt i mundshëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.