Ligji i gjuhëve kalon testin e parë në Maqedoni

Postuar në 15 Nëntor, 2017 21:04

Me 66 vota “pro” dhe 41 “kundër” Parlamenti i Maqedonisë  votoi nevojën për sjelljen në kuvend të  projektligjit për përdorimin e gjuhëve. Për shumicën parlamentare ligji do të kontribuojë në bashkëjetesë, nuk e prish karakterin unitar dhe është në pajtim me Kushtetutën, ndërsa opozita maqedonase thekson se ky ligj është anti-kushtetues dhe do të sjell dygjuhësi në gjithë shtetin.

Para fillimit të votimit, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, deklaroi se grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së do të votojnë kundër, pasi  sipas tyre ligji është jokushtetues dhe është diskriminues ndaj gjuhës maqedonase dhe gjuhëve tjera që flasin qytetarët në Maqedoni.

“Ky ligj absolutisht nuk është në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe absolutisht nuk është në kuadër të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, por del jashtë saj. Për fat të keq ligji nuk bashkon. Kjo u tregua në muajt e shkuar se ky ligj përçan, ky ligj nuk ndërton shoqëri të përbashkët ose shoqëri të barabartë për të gjithë. Ky ligj distancon dhe krijon shoqëri paralele në Maqedoni”-tha Dimovski.

Kryetari i Komisionit dhe deputet nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Artan grubi përshëndeti votimin duke thënë se ligji do të vërë barazi mes gjuhës shqipe dhe maqedonase në të gjitha organet e administratës shtetërore.

Por deputeti nga radhët e Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, paralajmëroi se do të parashtrojnë amendamente për projektligjin e gjuhëve pasi sipas tij “me këtë Ligj, gjuha shqipe nuk do të zyrtarizohet dhe nuk do të bëhet gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni”. Pas këtij votimi projektligji për përdorimin e gjuhëve hyn në fazën e dytë kur deputetët kanë mundësi të parashtrojnë amendamente të cilat më tej do të shqyrtohen në Komisionin për çështje evropiane.

Me ligjin parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë të cilët ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe shkrimi i saj (gjuha shqipe).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.